Gjykata Supreme e ka vlerësuar të pathemeltë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e cila ia pati refuzuar ankesën e kësaj partie ndaj kandidatit për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku.
Ai në një emision televiziv pati deklaruar: “Unë mendoj që qytetarët e këtij vendi duhet me dalë në rrugë dhe me dalë në protestë, dhe duhet me kërkuar që ata që nuk e respektojnë Kushtetutën, nuk i respektojnë ligjet e Kosovës, nuk respektojnë Prokurorinë, unë mendojë që ata duhet t’i ngrehim zvarrë nëpër rrugët e Prishtinës”. LVV-ja është ankuar në PZAP kundër kësaj deklarate, institucion i cili e ka hedhur poshtë.
Në përgjigjen në ankesë, PZAP ka deklaruar se pretendimet e ankuesit nuk qëndrojnë për arsye se, fillimisht, PDK ka shpërndarë udhëzime të qarta dhe të detajuara për të gjithë anëtarët e saj, duke theksuar rëndësinë e respektimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kjo është një masë për të siguruar që të gjithë të angazhuarit në aktivitete zgjedhore të përmbahen nga përdorimi i gjuhës fyese dhe kërcënuese, si dhe të ruajnë një nivel të lartë etik dhe profesionalizmi gjatë fushatës.
Në arsyetimin e vendimit të tij, PZAP-i, theksoi se pas shikimit të shkresave të lëndës, dhe përgjigjes në ankesë të paraqitur nga Subjekti Politik Partia Demokratike e Kosovës, vlerësoi se pretendimet e Subjektit Politik LVV, janë të pa qëndrueshme dhe si të tilla i refuzoi si të pa bazuara.
“Gjykata Supreme e Kosovës, duke u nisur nga kjo gjendje e çështjes, i pranon si të themelta konstatimet faktike dhe qëndrimin juridik të PZAP-it, që ka marrë sipas vendimit të ankimuar lidhur me shkeljet e pretenduara të Subjektit Politik LVV, të përshkruara më sipër, me që vendimi i të njëjtit organ nuk është i kundërligjshëm, është i bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, përkatësisht, në dispozitat e sipër cituara ligjore. Vendimi i PZAP-së, është marrë pasi që më parë, në mënyrë të sigurt është vërtetuar se në rastin konkret juridik nga ana e Subjektit Politik LDK, nuk ka shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, ndaj, në kuptim të dispozitës së nenit 117 par.3, etj, të LZPsë, ka vendosur si në dispozitiv të vendimit të sipër përmendur”, thuhet në arsyetim.