Zgjedhjet lokale

PZAP-së “i bie puna”, 4 mijë euro gjobë për gati 10 ditë fushatë

Për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit PZAP-ja i pati shqiptuar 146 gjoba me shumë të përgjithshme monetare prej 651 mijë e 100 eurosh, që i bie se mesatarisht janë dhënë 21.700 euro gjoba në ditë. Ndërkohë për gati 10 ditët e para të fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, PZAP-ja ka gjobitur dy subjekte me shumë të përgjithshme 4 mijë euro

4 mijë euro është shuma totale e gjobave që Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa ua ka shqiptuar subjekteve politike brenda për shkelje të Kodit të Mirësjelljes, që nga nisja e fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Pas aprovimit të dy prej 13 ankesave të parashtruara nga parti, qytetarë, kandidatë e organizata joqeveritare, PZAP-ja u ka shqiptuar gjoba Lëvizjes Vetëvendosje dhe Iniciativës Qytetare për Skenderaj.

Vetëvendosja ka marrë gjobën më të lartë, prej 2 mijë e 500 eurosh, shkaku i fushatës elektorale që kandidati i saj për kryetar komune në Mitrovicë të Jugut, Faton Peci, e ka mbajtur në Muzeun e qytetit. 

“Paneli vlerëson se, në bazë të nenit 4 par. 2 të Rregullores 7/24, përcaktohet se subjektet politike të certifikuara mund të mbajnë tubime në hapësirat publike në institucionet arsimore, sportive dhe kulturore, ku nuk pengohet puna e rregullt e tyre dhe pasi që kjo lejohet nga institucioni përkatës dhe KKZ. Çka do të thotë se fjala është për tubime ku duhen hapësirat, ndërsa nuk përfshihen muzetë e aq më pak kur bëhet fjalë për Muzeun e Qytetit në Mitrovicë”, thuhet në vendimin e PZAP-së, bazuar në ankesën e shtruar nga PDK-ja.

E Iniciativa Qytetare për Skenderaj është gjobitur me 1 mijë e 500 euro, për shkak të postimit në Facebook të kandidatit të saj për kryetar komune, Sokol Halili, në të cilin ai shkroi se rivali i tij nga PDK-ja, Sami Lushtaku, ka miqësi me përgjegjësin kryesor për sulmin terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq.

“Përdorimi i kësaj gjuhe nga Iniciativa Qytetare për Skenderaj, kandidati Sokol Halili, sipas Panelit është shkelje e etikës zgjedhore dhe standardeve të sjelljes në fushatë zgjedhore. Sjellja e tillë minon procesin demokratik dhe promovimin e zgjedhjeve të lira e të drejta. PZAP-ja me rastin e shqiptimit të gjobës ka marrë për bazë kontekstin se deklarata është bërë në kohën e fushatës zgjedhore dhe se nxit dhunë dhe urrejtje politike”, thuhet në vendimin e PZAP-së për Iniciativën Qytetare për Skenderaj, bazuar në ankesën e shtruar nga PDK-ja.

Në mesin e 11 ankesave të refuzuara nga PZAP-ja është ajo e Vetëvendosjes lidhur me deklaratën e Lushtakut në një emision televiziv, gjatë të cilit ka thënë se duhet të tërhiqen zvarrë ata që nuk i respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Në arsyetimin e refuzimit, PZAP-ja ka vlerësuar që nuk dihet qartë se kujt ai i referohet.

“...sipas vlerësimit të Panelit, kjo deklaratë ka të bëjë drejtpërdrejt me personin konkret-individin dhe jo ndonjë subjekt politik, gjegjësisht ankuesit të subjektit politik Vetëvendosje dhe për këtë arsye nuk ka gjetur se janë shkelur rregullat zgjedhore në dëm të ndonjë subjekti politik”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Numri më i madh i ankesave të adresuara në PZAP ndërlidhet me vërejtjet e subjekteve politike për njëra-tjetrën, 8 prej të cilave për shkelje të Kodit të Mirësjelljes. 

Prej tyre, katër janë për gjuhë të urrejtjes, tri për zhvillim të fushatës zgjedhore në objekte ku nuk lejohet me rregulla zgjedhore dhe një ankesë që e ka bërë Lista Serbe kundër Vetëvendosjes për abuzim të së drejtës së ankesës.

PZAP-ja ua ka rrëzuar ankesat edhe dy kandidatëve të subjektit politik për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë kundër vendimit të KQZ-së për të mos i larguar nga lista për asamble komunale në Leposaviq.
Për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit PZAP-ja i pati shqiptuar 146 gjoba me shumë të përgjithshme monetare prej 651 mijë e 100 eurosh, që i bie se mesatarisht janë dhënë 21.700 euro gjoba në ditë.