Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Skenderajt, Hysni Mehani, ka paraqitur programin e tij zgjedhor, duke premtuar një sërë projektesh infrastrukturore, arsimore dhe sociale.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË” u shpreh se, në bashkëpunim me nivelin qendror, një nga prioritetet do të jetë realizimi i Pendës së Koçicës, si dhe ndërtimi i ngrohtores së qytetit dhe i një pishine gjysmëolimpike. Mehani premtoi gjithashtu trafik publik, ndërtimin e parqeve me lodra për fëmijë, një park inovativ, si dhe shteg për ecje e vrapim.
Në qendër të planit të tij është edhe nënkalimi në sheshin “Adem Jashari”, i cili, sipas tij, do të funksionalizonte më tej kompleksin e UÇK-së. Ai akuzoi kundërshtarin politik Sami Lushtakun se e ka mbajtur peng këtë projekt për arsye elektorale dhe për të mos humbur votat e familjeve të dëshmorëve.
Në aspektin e administratës, kandidati i VV-së premtoi zvogëlim të drejtorive, ristrukturim të administratës komunale, si dhe hapjen e çerdheve të reja. Për arsimin, ai ka paralajmëruar digjitalizimin e shkollave, dhënien e bursave, mësimin gjithëditor dhe futjen e kodimit si lëndë mësimore.
“Për çdo diplomë duhet të ketë vende pune”, u shpreh Mehani, duke theksuar se qëllimi i tij është një Skenderaj më modern dhe më i zhvilluar.
