Zgjedhjet lokale

PDK-ja hap fushatën: Për Uranin, Prishtina s’është qytet rezervë

Uran Ismaili

Partia Demokratike e Kosovës ka nisur fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, në hyrje të fushatës ka lavdëruar kandidatin e kësaj partie, Uran Ismaili.

Ai ka thënë se “për Uranin, Prishtina nuk është qytet rezervë”.

E Uran Ismaili ka thënë se me PDK-në “po nis një moment i ri në Prishtinë”.

Ismaili ka thënë se Prishtina për të gjithmonë ka qenë qytet i ëndrrave të mëdha. E sipas tij këto ëndrra janë zbehur me pushtetet tjera.

“A duhet të qëndrojmë anash teksa qyteti ynë i ëndrrave të mëdha shndërrohet në qytet jofunksional të premtimeve të thyera? Në asnjë mënyrë!”, u shpreh ai.

Sipas Ismailit, Prishtina nuk ka më kohë për konflikte dhe inate politike, por ka nevojë për bashkëpunim dhe rezultate konkrete. “Në qytetin tonë të ëndrrave sot ka hapësirë vetëm për zgjidhje e për bashkëpunim. Vetëm kështu Prishtinës do t’i kthehen ëndrrat” përfundoi ai.

Ai ka prezantuar pesë zgjidhjet e tij që ka thënë se e nxjerrin kryeqytetin nga kaosi:

Zhbllokimi i trafikut brenda 18 muajve

Rrugë të sigurta, 24/7

Lagje të pastra, 24/7

Prej betonit te komuniteti

Prishtina e së ardhmes

Ismaili ka premtuar 100 autobusë të rinj, 60 semaforë shtesë, pesë parkingje në hyrjet e qytetit dhe një qendër për menaxhim trafiku. Ka premtuar edhe ndriçimin e 1000 rrugëve, ndërtimin e 450 kilometrave trotuare të reja, vendosjen e 200 oficerëve të sigurisë në shkolla e lagje dhe trajtim human për 5,000 qen endacakë. Për një Prishtinë të pastër, Ismaili premtoi shtimin e 60 kamionëve për mbeturina, vendosjen e 2,100 kontejnerëve nëpër lagje dhe hapjen e një deponie për mbeturina voluminoze dhe ndërtimore. Në kuadër të kthimit të hapësirave publike për komunitetin, ai premtoi pezullimin e të gjitha lejeve të reja të ndërtimit për gjashtë muaj, mbjelljen e 100 mijë drunjve dhe sigurimin që çdo shtëpi të ketë një park jo më larg se 300 metra. Pjesë e programit është edhe transformimi i Pallatit të Rinisë në kampus për Teknologji dhe Kulturë, hapja e 10 qendrave “Future Hubs”, dyfishimi i çerdheve publike dhe krijimi i hapësirave komunitare në çdo lagje.