Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, ka prezantuar 10 vendimet e para që do t’i marrë nëse e fiton garën për kryetar të Prishtinës.
Në një konferencë për media të mbajtur të martën Ismaili, ka thënë se në javën e parë do ta hapë sheshin “Xhorxh Bush”.
Ai ka thënë se do të pezullojë dhënien e lejeve të reja ndërtimore për 6 muajt e parë.
Një tjetër vendim që Ismaili e ka përmendur është edhe fillimi i procedurave për krijimin e Qendrës Digjitale të Menaxhimit të Trafikut.
Fillimi i procedurave për blerjen e 60 kamionëve të rinj për mbledhjen e mbeturinave, krijimi i taskforcës për ndriçimin e 1,000 rrugëve të Prishtinës, fillimi i procesit për ndërtimin e një strehimoreje të re për trajtimin e qenve endacakë, fillimi i procedurave për vendosjen e 200 oficerëve të sigurisë në shkolla si dhe nënshkrimi i vendimit ekzekutiv për lirimin e trotuareve të bllokuara, janë gjashtë vendimet e tjera që ai ka thënë se do t’i marrë menjëherë.
Krijimi i taskforcës për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës është vendimi tjetër të cilin e ka përmendur Ismaili.
Ndërkohë që vendimi i fundit që Ismaili ka thënë se do ta marrë është nënshkrimi i vendimit ekzekutiv për dyfishimin e subvencioneve për fermerë dhe agrobiznese.
Ismaili ka thënë se kryeqyteti ndodhet para një momenti vendimtar, i cili sipas tij kërkon vendime të guximshme dhe të menjëhershme.
“Prishtina nuk ka kohë për eksperimente, për kaos e bllokada që ia vështirësojnë jetën qytetarëve. Nuk ka kohë për konflikte e akuza të pafundme politike që e mbajnë peng nëpër gjykata. Nuk ka kohë për plane 10-vjeçare e projekte mega-futuristike. Prishtina ka nevojë për ndryshim, për guxim dhe për një kryetar që u del zot punëve dhe zotimeve që jep”, ka deklaruar Ismaili.
Ai ka theksuar se ndryshimi për një Prishtinë funksionale do të nisë menjëherë pas 13 tetorit, me vendime që sipas tij e prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve. “Në fund të mandatit tim, qytetarët do të më matin me punë. Nëse nuk i realizoj 90% të zotimeve, nuk do të kërkoj më kurrë vota për një mandat të dytë”, ka deklaruar Ismaili.
