Zgjedhjet lokale

Çeku i VV-së premton rrjet të tramvajit për Prishtinën

Lëvizja Vetëvendosje ka hapur fushatën zgjedhore nëpër komunat e Kosovës. Kandidati për kryetar të kryeqytetit, Hajrulla Ceku, ka premtuar investim në çdo lagje të Prishtinës. Mes tjerash ka thënë se transportit publik në kryeqytet, përveç autobusëve do t’i shtohen edhe tramvajet. E kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, të shtunën, u përqendrua në fushatën në Mitrovicë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeqytetin, Hajrulla Çeku, e ka hapur fushatën zgjedhore në Prishtinë, duke dhënë pesë zotime themelore me të cilat tha se do të transformohet qyteti. Ka thënë se LVV-ja do të angazhohet për banorin që i del zot lagjes; për ekonominë familjare që rritet; për fëmijët që rriten të sigurt; për trafikun që lëviz; dhe për urbanizmin që prodhon mirëqenie. Çeku ka thënë se do të do të qeverisë ndershmërisht dhe duke dhënë llogari para qytetarit. Ka premtuar se çështja e trafikut të bllokuar do të zgjidhet dhe se transportit publik në kryeqytet, përveç autobusëve do t’i shtohen edhe tramvajet.

Është zotuar për ngritjen e parkut industrial në Bërnicë, për rinovim të Pallatit të Rinisë dhe për rifunksionalizim të hotelit “Grand”.

Qeverisja e deritanishme në Prishtinë, sipas tij, ka keqpërdorur paranë publike.

“Çfarë kemi parë deri tash është keqpërdorim i parasë publike, nepotizëm, klientelizëm, një qeverisje që merret me fasadë dhe injoron qytetarin. Prishtina nuk është fasadë, është përmbajtje, është përgjegjësi, është shërbim ndaj qytetarit. Kjo është arsyeja pse jemi këtu. Drejtimi ynë ka një emër quhet Prishtina 2035. Do të qeverisim ndershmërisht, me transparencë në çdo vendim, do të japim llogari për çdo veprim tonin. Sepse qeverisja është shërbim dhe besim dhe ne nuk e tradhtojmë këtë besim të qytetarit”, ka thënë Çeku.

Ndërkohë, tubimin e përbashkët hapës, ndryshe nga partitë e tjera, Vetëvendosje e ka bërë një ditë para fillimit të fushatës. Të premten mbrëma, tek i ka prezantuar kandidatët, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se Vetëvendosje do ta çlirojë secilën komunë nga ajo që e ka quajtur “hajni e partive të vjetra”.

“Ne së bashku e kemi shpëtuar Kosovën nga prangat e korrupsionit dhe nga tendencat për ndarje, prandaj jemi ne që sërish së bashku duhet ta çlirojmë e do ta çlirojmë secilën komunë nga prapambeturia e hajnia e partive të vjetra”, ka thënë ai.

Të shtunën Kurti ka marrë pjesë në hapjen e fushatës zgjedhore në Mitrovicë me kandidatin e LVV-së, për kryetar të kësaj komune, Faton Peci. Kurti është shprehur se fitorja e Pecit do të jetë garanci që projektet e LVV-së për punësim, arsim modern, shëndetësi cilësore e transport publik të bëhen realitet në Mitrovicë. Ka përmendur edhe kandidatët e partisë së tij në katër komunat mbi lumin Ibër, të cilët ka thënë se janë të guximshëm e të vendosur që veriu të ecë me drejtësi e zhvillim. E Peci është shprehur se rrugëtimi i tij politik në këtë garë do të jetë i përkushtuar në një qeverisje lokale që u shërben qytetarëve, zhvillimit dhe barazisë.

“Mitrovica na tregoi që ka energjinë dhe vullnetin për ndryshim, prandaj bashkë me qytetarët po hapim një kapitull të ri për të ardhmen e qytetit tonë. Me punë dhe përkushtim, do të ndërtojmë një Mitrovicë që hap rrugë për zhvillim ekonomik, investime publike dhe mirëqenie të barabartë për të gjithë qytetarët”, ka thënë ai.