Zgjedhjet lokale

Abdixhiku: Provuan të na pengonin, por nuk u ndalëm

Me prezantimin e kandidatëve për kryetarë komunash, Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur fushatën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit me tubim në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar nivelin qendror, pasi sipas tij, ka penguar punën e kryetarëve të komunave ku ka udhëhequr kjo parti në katër vjetët e fundit.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë të shtunën në hapje të fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, se kryetarët e komunave nga radhët e kësaj partie në mandatin e fundit janë përballur me pengesa nga pushteti qendror, por sipas tij, LDK-ja nuk është ndalur asnjëherë me punë.

Nisjen e fushatës, të shtunën me tubimin në Prishtinë, ai e ka cilësuar si hapje të kapitullit të ri.

“Ata i kanë penguar, por këta nuk janë ndalur. Ata i kanë bllokuar, por këta ia kanë dalë”, ka thënë Abdixhiku, duke iu referuar Qeverisë si pengesë.

Për këtë, sipas tij, kthimi i fuqishëm i LDK-së është i domosdoshëm.

“Koha është të ngrihemi sërish në këmbë. Gjithandej nëpër Kosovë, me një ëndërr, më një shpresë dhe me një thirrje që nuk ndalet asnjëherë LDK dje, LDK sot, LDK përgjithmonë. Nga Anamorava në Llap nga ana e Drinit deri në Shalë, rikthimi i LDK-së në komunat që kanë nevojë për zhvillim është mision patriotik, është mision kombëtar”, ka thënë Lumir Abdixhiku.

Teksa ka prezantuar një nga një kandidatët për kryetarë komunash, ai ka theksuar se LDK-ja ofron njerëz që ndërtojnë shtetin, jo që e shkatërrojnë atë.

“Ne krijojmë jo duke rrënuar shtetin po duke e bërë atë, jo duke izoluar ata por duke hapur atë, jo duke përulur tjetrin por duke afruar atë, jo duke zaptuar komunën por duke e dashur atë e kjo është arsyeje pse qytetarët e Kosovës pas çdo stuhie kthehen të LDK. Tek ne gjejnë njerëzit që  bëjnë shtetin jo që e shkatërrojnë shtetin, tek ne gjejnë njerëz që e duan kushtetutën jo që e shkelin atë. Tek ne gjejnë njerëz që bëjnë aleanca me jashtë, jo që i mbyllin dyert me të ”, është shprehur Abdixhiku.

E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili garon për një mandat të dytë, ka premtuar se do të vazhdojë “transformimin e Prishtinës drejt një qyteti të mençur”.

“E ku ka ndjenjë më madhështore se me qenë këtu, ku më dhatë besimi e më mbushet me energji pozitive me i hy transformimit kolosal të kryeqytetit tonë ku qytetarët janë njerëzit e krejt Kosovës. Ky transformim kolosal tashmë ka ngrit themelet e po i vendos shtyllat. E të gjithë p e ndjejmë kudo, me jetësimi n e projekteve të premtuara që do ti vazhdojmë deri në realizimin e plotë. Nuk ka që na ndal kush”, ka thënë ai.

Ka folur edhe për projektet që synon t’i realizojë në mandatin e ardhshëm, nëse rizgjidhet.

“Motoja jonë, PËRTEJ, është emri i rrugëtimit tonë. Ne jemi PËRTEJ edhe me infrastrukturën. Koncepti që kemi instalu në kryeqytet është se ndriçimi publik do të jetë ndriçim i mençur, i cili di si t’i ekonomizojë energjitë që nuk përdoren. Kjo përkthehet në më pak fatura rryme, më shumë buxhet për investime të domosdoshme tjetërkund”, ka thënë Rama.