Zgjedhjet lokale

LDK-ja nis fushatën: Provuan të na pengonin, por nuk ndalemi

Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Në një tubim qendror në kryeqytet, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryetarët e komunave nga radhët e kësaj partie në mandatin e fundit janë përballur me pengesa nga pushteti qendror, por sipas tij, LDK-ja nuk është ndalur me punë.

Nisjen e fushatës ai e ka cilësuar si hapje të kapitullit të ri.

“Koha është të ngrihemi sërish në këmbë. Gjithandej nëpër Kosovë, me një ëndërr, më një shpresë dhe me një thirrje që nuk ndalet asnjëherë LDK dje, LDK sot, LDK përgjithmonë. Ky është rrugëtimi jonë i ri...”, ka thënë Abdixhiku në fillim të fjalimit.

“Ata i kanë penguar, por këta nuk janë ndalur. Ata i kanë bllokuar, por këta ia kanë dalë”, ka thënë ai për ato që i ka quajtur pengesa nga pushteti qendror.

Abdixhiku ka thënë se në LDK “nuk gjen njerëz që mbyllin aleanca”.

“Kjo histori do të kapërcejë, dritë në këtë republikë do të ketë”, ka thënë ai.

Kryetari i Prishtinës dhe kandidati për mandatin e dytë, Përparim Rama, ka thënë se po kryen “transformim kolosal” të kryeqytetit.

“Ku ka ndjenjë më madhështore se me qenë këtu, ku më dhatë besimi e më mbushët me energji pozitive me i hy transformimit kolosal të kryeqytetit tonë ku janë njerëzit e krejt Kosovës. Ky transformim kolosal tashmë ka ngritur themelet e po i vendos shtyllat. E të gjithë po e ndjejmë kudo, me jetësimin e projekteve të premtuara që do t’i vazhdojmë deri në realizimin e plotë. Nuk ka që na ndal kush”, ka thënë ai.