Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

KQZ-ja sqaron mungesën e shiritit ngjitës në votimin me postë

Votimi me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar mungesën e shiritit ngjitës në pakot e votimit përmes postës, duke sqaruar se kjo nuk ndikon në vlefshmërinë e fletëvotimeve.

Sipas KQZ-së, ashtu si në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbajtura në dhjetor 2025, edhe në zgjedhjet aktuale nuk është paraparë përdorimi i shiritit ngjitës të KQZ-së, i cili ishte përdorur vetëm në Zgjedhjet Lokale 2025.

Institucioni zgjedhor thekson se procesi i votimit me postë zhvillohet duke e vendosur fletëvotimin  në zarfin e fshehtësisë, i cili mbyllet me ngjitësin standard të vet zarfit. Për këtë arsye, mungesa e një shiriti shtesë ngjitës nuk e cenon vlefshmërinë e votës.

Tutje në reagim theksohet se KQZ-ja vazhdimisht ka ndërmarrë masa sigurie për procesin e votimit jashtë vendit. Një prej tyre është dërgimi direkt nga KQZ i pakove individuale me fletëvotime dhe materiale përcjellëse në adresat e votuesve të regjistruar jashtë Kosovës.

Sipas sqarimit, fletëvotimet që gjenden në këto pako përmbajnë elemente sigurie të ngjashme me ato që përdoren në vendvotimet brenda Kosovës. Këto elemente janë të përcaktuara në Rregulloren Zgjedhore për fletëvotimet dhe broshurat dhe përfshijnë mikroshtypin, UV printin dhe elementin “anti-copy”, i cili shfaq shenjë dalluese në rast tentimi për kopjim apo falsifikim.

Edhe KQZ vendos të rinumërohen 185 vendvotime Zgjedhjet 2026 1 muaj më parë KQZ vendos të rinumërohen 185 vendvotime

Po ashtu, KQZ-ja ka sqaruar se secili fletëvotim i dërguar për votuesit jashtë Kosovës është i vulosur në pjesën e pasme me vulë të zezë dhe kjo nuk nënkupton se fletëvotimi është kopje.

Përveç elementeve të sigurisë në fletëvotim, procesi i votimit me postë sigurohet edhe përmes dëftesës së regjistrimit, dokument unik që u dërgohet votuesve pas regjistrimit të suksesshëm si votues jashtë Kosovës.