Zgjedhjet lokale

Nis votimi me postë për zgjedhjet lokale

votimi jashtë kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të mërkurën (sot) ka filluar procesi i votimit me postë për shtetasit e Kosovës, të cilët janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet lokale.

Periudha e votimit me postë do të zgjasë 25 ditë, nga 17 shtatori deri më 11 tetor. Do të vlejë vetëm për 43,933 shtetasit që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës.

“Në përputhje me detyrimet e përcaktuara në Rregulloren Zgjedhore Nr. 04/2025 për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, sipas të cilave KQZ do të sigurohet që shtetasve të Kosovës të regjistruar për votim me postë t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotime, KQZ ka përgatitur pakot për secilin votues të regjistruar, e cila përmban nga dy fletëvotime, një për zgjedhjet për Kryetar Komune dhe një për Zgjedhjet për Kuvend Komunal”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Deri më tani, KQZ-ja ka thënë se ka nisur përmes postës pako me fletëvotime për votuesit e regjistruar në disa shtete dhe shërbimet postare do ta përcjellin te votuesit e regjistruar në adresat e dhëna prej tyre gjatë procesit të regjistrimit. Në ndërkohë, KQZ do të vazhdojë të dërgojë edhe pjesën tjetër të pakove me fletëvotime.

“Zarfi i cili do t’i dërgohet votuesit, përmban: fletëvotimet; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës”, vijon njoftimi.

Në votimin jashtë Kosovës në zgjedhjet ëokale, detyrë e votuesit është që pakon me fletëvotime ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së. Në shumicën e këtyre zarfeve, KQZ ka shënuar paraprakisht adresën e kutisë postare në shtetin përkatës të votuesit të regjistruar. Në rastet kur adresa nuk është shënuar nga KQZ-ja, votuesi duhet ta shënojë njërën nga adresat e kutive postare të KQZ.

“KQZ fton për vëmendje votuesit e regjistruar se çdo dërgesë postare duhet të jetë individuale. Të gjitha informacionet e detajuara për procesin e votimit jashtë Kosovës, KQZ ua përcjellë individualisht votuesve të regjistruar në e-mail adresat e tyre”, përfundon njoftimi.

No description available.No description available.