Që nga sot votuesit nga diaspora mund të votojnë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Paraprakisht fletëvotimet ata do t’i pranojnë përmes postës, ndërkaq pasi t’i plotësojnë mund t’i dërgojnë ose në kutitë postare të hapura jashtë Kosovës, ose t’i përcjellin në KQZ
Rreth 10 mijë fletëvotime janë dërguar deri të mërkurën jashtë Kosovës për shtetasit me të drejtë vote në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Sekretariatit të këtij komisioni, Besnik Buzhala, ka bërë e ditur se gjatë kësaj jave janë kompletuar pakot për 15 mijë votues.
“Sipas konfirmimit nga Posta dhe Telekomi, rreth 10 mijë pako tashmë janë dërguar jashtë Kosovës ku pjesa më e madhe e tyre janë për shtetet Austri dhe Gjermani. Nëse marrim për bazë numrin e votuesve të regjistruar suksesshëm, që në total 43.993 janë proceduar përreth 34 për qind”, ka thënë Buzhala.
Zarfi i cili i dërgohet votuesit përmban: dy fletëvotimet; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës.
Buzhala ka theksuar se procesi i dërgimit të fletëvotimeve për votuesit nga diaspora pritet të përmbyllet deri në dielën.
“Normalisht që ditën e parë ka qenë si proces i punës më i ngadalshëm sepse kjo mënyrë e përgatitjes së pakos është për herë të parë që bëhet prej KQZ-së edhe dita e parë ka qenë më e ngadalshme. Sigurisht që ky proces do të shkojë më shpejt në ditët në vijim”, ka thënë Buzhala.
E derisa procesi i dërgimit të fletëvotimeve është duke vazhduar, votuesit që banojnë jashtë Kosovës, që nga 17 shtatori e deri më 11 tetor, mund t’i dërgojnë votat e tyre me postë.
Dërgimi i fletëvotimeve nga KQZ-ja te votuesit jashtë Kosovës është bërë për herë të parë pasi deri në këto zgjedhje qytetarët me të drejtë vote është dashur që ato t’i shkarkonin online.
Votuesit nga diaspora mund t’i dërgojnë zarfet me votat e tyre në 23 kuti postare jashtë Kosovës sa janë hapur ose përmes postës ta përcjellin në adresë të KQZ-së në Prishtinë.
Në votimin jashtë Kosovës në zgjedhjet lokale, detyrë e votuesit është që pakon me fletëvotime ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së. Në shumicën e këtyre zarfeve, KQZ ka shënuar paraprakisht adresën e kutisë postare në shtetin përkatës të votuesit të regjistruar. Në rastet kur adresa nuk është shënuar nga KQZ-ja, votuesi duhet ta shënojë njërën nga adresat e kutive postare të KQZ-së.