Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Kallas: Liderët politikë në Kosovë të angazhohen për formimin e shpejtë të institucioneve

Kaja Kallas

Foto: Associated Press

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, ka vlerësuar procesin zgjedhor në Kosovë, duke theksuar se zgjedhjet demokratike dhe gjithëpërfshirëse kanë krijuar mundësinë për t'i dhënë fund bllokadës politike që ka zgjatur më shumë se një vit.

Në një reagim të saj në rrjetin social “X”, Kallas ka bërë thirrje që liderët politikë të veprojnë me përgjegjësi dhe në mënyrë konstruktive për të siguruar formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kosova, me zgjedhjet e saj demokratike dhe gjithëpërfshirëse, ka hapur rrugën për të lënë pas më shumë se një vit bllokadë politike. Liderët politikë tani duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për të siguruar formimin sa më të shpejtë të qeverisë”, ka deklaruar ajo.

Kallas ka theksuar gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e cilësuar atë si një element kyç për të ardhmen evropiane të Kosovës.

“Përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, mbeten thelbësore për avancimin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian”, është shprehur Përfaqësuesja e Lartë e BE-së.

Edhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka kërkuar nga partitë politike në Kosovë që të gjejnë kompromis dhe të bashkëpunojnë për të siguruar stabilitet institucional pas zgjedhjeve.