“Të dielën me 28 dhjetorë populli i Kosovës ushtroi të drejtën e tij demokratike për të hedhur votën në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Pas një bllokade politike pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025 ne presim tash një konstituim të shpejtë të parlamentit dhe formim të qeverisë dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet”, thuhet në deklaratën e përbashkët të përfaqësueses së lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas dhe komisioneres për Zgjerim, Marta Kos
Bashkimi Evropian (BE) në reagimin e parë pas zgjedhjeve në Kosovë është shprehur se pret që pas tyre të formohet sa më shpejt qeveria dhe të vazhdojnë kontaktet me të. Blloku ka nënvizuar sidomos nevojën për ratifikimin e marrëveshjeve nga Plani i Rritjes në mënyrë që Kosova të përfitojë nga ato mjete të BE-së. Po ashtu, përmend edhe heqjen e masave.
Këto porosi janë dhënë në një komunikatë të përbashkët të lëshuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos.
“Të dielën më 28 dhjetor populli i Kosovës ushtroi të drejtën e tij demokratike për të hedhur votën në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Pas një bllokade politike pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025 ne presim tash një konstituim të shpejtë të parlamentit dhe formim të qeverisë dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet”, thuhet në deklaratë. “Qeveria duhet t’i dyfishojë përpjekjet drejt reformave aq të nevojshme që lidhem me BE-në. BE merr mirë në dijeni pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve dhe partive të tyre politike në zgjedhje. Procesi zgjedhor dëshmoi një përkushtim të fuqishëm ndaj parimeve demokratike”.
Këto dy zyrtare të larta të BE-së kanë rikujtuar se BE-ja ka dërguar një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve, i cili do të mbetet në Kosovë për ta ndjekur vazhdimin e procesit paszgjedhor.
“Presim nga Parlamenti që sapo të konstituohet t’i ratifikojë marrëveshjet nga Pani i Rritjes. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument i kufizuar kohor i miratuar për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027 dhe është në interes të Kosovës që ratifikimi të ndodhë sa më parë që të jetë e mundur për t’i shfrytëzuar të gjitha mundësitë që jep ky plan në dobi të popullit të saj”, thuhet në komunikatë.
Edhe në këtë deklaratë për zgjedhjet në Kosovë, Kaja Kallas dhe Marta Kos kanë rikujtuar obligimet nga procesi i dialogut.
“Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, lehtësuar nga BE-ja, vazhdon të jetë e vetmja rrugë që të dyja palët të arrijnë progres në rrugëtimin evropian. Presim që të gjitha obligimet që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, si dhe ato të mëhershme nga dialogu, të zbatohen pa vonesa të reja dhe pa parakushte. BE mbetet e gatshme të mirëpret një takim të nivelit të lartë sapo të përmbushen kushtet”, thuhet në këtë deklaratë.
Kallas dhe Kos kanë njoftuar edhe se masat ndaj Kosovës janë duke u hequr nga BE-ja.
“Të rikujtojmë, BE-ja është duke lëvizur përpara me heqjen e masave ndaj Kosovës. Asistenca financiare prej 216 milionë eurosh është liruar tashmë pas transferimit të qetë të pushtetit lokal pas zgjedhjeve të fundit. Ne po ashtu synojmë lirimin e 205 milionë eurove të tjera në pjesën e hershme të vitit të ardhshëm”, thuhet në deklaratën e BE-së.