Zgjedhjet 2025

Nis numërimi i votave nga diaspora

zgjedhjet

Foto ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Përditësuar 10:51 - Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit në përfaqësi diplomatike.

“Siç e dini, më 27 dhjetor 2025, në 29 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës, është zhvilluar votimi për shtetasit e regjistruar paraprakisht për të votuar fizikisht në ndonjërën nga këto misione diplomatike. Nga 19,187 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 16,165 prej tyre apo 84.24% dhe këto fletëvotime do t’i nënshtrohen numërimit. Pas përfundimit të numërimit të fletëvotimeve nga votimi fizik në përfaqësitë diplomatike, do të vazhdojmë me numërimin e fletëvotimeve nga votimi përmes postës, që deri më tani janë tërhequr nga dy kutitë postare jashtë vendit, ajo në Berlin (Gjermani) dhe në Bernë (Zvicër)”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media të premten.

Ai ka shtuar se nga mbi 28,500 pako me fletëvotime të supozuara të tërhequra deri tani, janë aprovuar 27,600 dhe janë refuzuar mbi 950 për shkak të mungesës së dëftesës së regjistrimit të votuesit.

“Deri më tani, nga dy kutitë postare, Berlin dhe Bernë, janë tërhequr më shumë se 28 mijë e 500 pako me fletëvotime që i takojnë votimit përmes postës dhe të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së. Nga numri i përgjithshëm i pakove me fletëvotime të supozuara që deri më tani kemi pranuar, pra nga më shumë se 28 mijë, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950. Arsyeja më e shprehur te zaret e refuzuara është sepse në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit. Pra, në procesin e numërimit do të përfshihen 27,600 zarfe të supozuara me fletëvotime”, ka thënë ai. “Nga votimi me postë, siç e kemi treguar më herët, numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare, andaj në këtë fazë nuk e dijmë se sa prej këtyre votuesve të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e votës. Tërheqjet e fundit të zarfeve me fletëvotime do të bëhen më 2 dhe 5 janar 2026”.

Ai ka bërë të ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon aktivitetet për shpalljen sa më të shpejtë të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Elezi ka thënë se presin që numërimet në Qendrat Komunale të Numërimit të përmbyllen në fundjavë.


Verifikimi i votave brenda Kosovës drejt fundit, sot nis numërimi i atyre nga diaspora

Edhe 10 për qind të vendvotimeve kanë mbetur pa u procesuar në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga procesi i verifikimit të votave në vendvotimet në Kosovë, në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

Pas verifikimit të rreth 90 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje mbetet larg e para me rreth 49 për qind, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me mbi 21 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me më pak se 13 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që kalon pragun, por merr më pak se 6 për qind. Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje do të mund të formojë Qeverinë vetëm në bashkëpunim me komunitetet joshumicë. Partia e Albin Kurtit ka marrë 56 ulëse nga 100 sa janë për partitë shqiptare. PDK-ja do t’i ketë 23, LDK-ja 15 e AAK-ja 6.

Gjatë ditës së premte (sot) pritet që të nisë edhe numërimi i mbi 27 mijë fletëvotimeve nga diaspora. Këto janë vota përmes postës.

Ndërkaq nga votimi në 29 përfaqësi diplomatike, nga 19 mijë e 187 shtetas të regjistruar, kanë votuar 16 mijë e 165 prej tyre, pra 84.24 për qind.

Numri total i votave pritet të jetë rreth 950 mijë.