Përditësim, 19:18 - Pasditen e ditës së hënë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar me numërimin e më shumë se 27 mijë fletëvotimeve që i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës dhe që janë tërhequr para natës së vitit të ri nga dy kutitë postare, në Bernë dhe Berlin.
Por, sipas KQZ-së këto s’do të jenë fletëvotimet e fundit nga jashtë Kosovës që do të numërohen. Të tjera fletëvotime që i takojnë votimit me postë janë tërhequr nga KQZ me datë 2 dhe 5 janar.
“Më 2 janar, ku nga kutitë postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, Neë York, Kanbera dhe Kopenhagë, janë tërhequr 8,180 pako të tjera me fletëvotime, të cilat gjatë ditës së sotme janë sjellur në Kosovë. Gjithashtu, sot më 5 janar, është përmbyllur tërheqja e pakove me Nga 13 kutitë postare, në: Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr 11,867 pako me fletëvotime. Pra, janë rreth 20 mijë pako me fletëvotime të tërhequra më 2 dhe 5 janar që pritet të numërohen së shpejti. Por, derisa të bëhet vlerësimi dhe verifikimi i tyre, KQZ pritet që deri në orën 20:00 të fillojë më numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta”, thuhet në njoftim.
Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht, ndërkaq, numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2,860.
Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 72.20 për qind të tyre apo 19.344 vota.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 10.15 për qind apo 2.720 vota. Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës 9.56 për qind ose 2.560 vota.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë ditës bëri të ditur se sot do të fillohet me numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.
Ndërkohë rreth 20 mijë pako me fletëvotime janë tërhequr nga kutitë postare jashtë Kosovës dhe pritet që gjatë ditëve në vijim të arrijnë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Këto fletëvotime i takojnë votimit me postë dhe janë të fundit. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve gjithashtu kanë shprehur pritshmërinë që numërimi i të gjitha votave të përfundojë gjatë kësaj jave.
Numërohen mbi 80 për qind të votave me postë, VV-ja ka marrë mbi 71 për qind
Përditësim, 12:49 - Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar 80.43 për qind të votave me postë për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Lëvizja Vetëvendosje kryeson në këto vota me 71.29 për qind, pasuar nga LDK-ja me 10.66 për qind dhe PDK-ja me 9.04 për qind.
E në rezultatet e përmbledhura, ku përfshihen gjitha votat, kur janë numëruar 95.98 për qind të vendvotimeve, Vetëvendosja kryeson me rekord prej 50.52 për qind, pasuar nga PDK-ja me 20.48 për qind dhe LDK-ja me 13.37 për qind.
Vetëvendosja ka vendosur rekord edhe për nga numri i votave totale të mbledhura. Aktualisht i ka rreth 463 mijë. E lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, po ashtu ka vendosur rekord si më i votuari. I ka afro 382 mijë vota. I dyti në listën e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, është te afro 300 mijë vota.
Në top 10 kandidatët më të votuar nëntë janë nga Lëvizja Vetëvendosje. Në Top 10 është edhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza, që ka marrë rreth 158 mijë vota.
Numërohen rreth 74 për qind të votave me postë, Vetëvendosje kryeson bindshëm
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar 73.91 për qind të votave me postë për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Nga këto vota shumicën i ka marrë Lëvizja Vetëvendosje.
Aktualisht i ka marrë 72.39 për qind të votave, LDK-ja është e dyta me 10.57 për qind dhe PDK-ja e treta me 8.24 për qind.
Ndërsa te rezultatet e përmbledhura në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku përfshihen të gjitha votat, Vetëvendosje kryeson me 50.50 për qind pas numërimit të afro 96 për qind të votave. PDK-ja është e dyta me 20.49 për qind dhe LDK-ja me 13.37 për qind.
Vetëvendosje ka vendosur rekord si për nga përqindja e votave ashtu edhe për nga numri i votave ku aktualisht i ka rreth 462 mijë. E edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka vendosur rekord me mbi 380 mijë vota.
Bazuar në rezultatet e deritashme, Lëvizja Vetëvendosje parashihet të ketë në Kuvend 57 deputetë.