Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Mbi 7 mijë pako me fletëvotime nga diaspora janë aprovuar, 142 janë refuzuar

QNR - KQZ - vota - zgjedhje - diaspora - mergata - votat me poste DP

Foto: Driton Paçarada

Procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht përmes postës, po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri të mërkurën në orën 10:00 janë shqyrtuar mbi 7 mijë pako të supozuara me fletëvotime. Prej tyre, 7,153 janë aprovuar, ndërsa 142 janë refuzuar.

Sipas Elezit, arsyeja kryesore e refuzimit ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument që përmban të dhëna unike dhe që KQZ-ja ua dërgon votuesve të regjistruar për votim përmes postës. Vetëm për këtë arsye janë refuzuar 114 pako.

“Procesi i vlerësimit ka nisur më 9 qershor në orën 16:00 dhe synon të verifikojë nëse pakot janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës. Pas përfundimit të këtij procesi, KQZ-ja do të publikojë numrin përfundimtar të pakove me fletëvotime që do t’i nënshtrohen numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, ka deklaruar Elezi.

Ndërkohë, më 8 qershor është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës. Sipas KQZ-së, pakot janë tërhequr nga 23 kuti postare të vendosura në 22 shtete të ndryshme, si dhe në Kosovë.

Edhe Aprovohen 82.809 fletëvotime të dërguara me postë Zgjedhjet 2026 1 muaj më parë Aprovohen 82.809 fletëvotime të dërguara me postë

Nga këto kuti postare janë tërhequr mbi 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë e të cilave tashmë janë transportuar në Kosovë për t’iu nënshtruar procesit të verifikimit.

Gjatë periudhës së regjistrimit, nga 6 deri më 17 maj, gjithsej 104,480 shtetas janë regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme. Mbi 20 mijë votuan në përfaqësi diplomatike.