Zgjedhjet 2025

Pas rezultatit zgjedhor, shihen të domosdoshme ndryshimet tek opozita

Llogaridhënie e përgjegjësi është kërkuar prej lidershipit të partive opozitare të cilat nuk arritën rezultatin që synuan në zgjedhjet e parakohshme. Eksponentë të LDK-së, parti kjo që e pësoi rënien më të madhe, kanë thënë se rezultati është pasojë e mungesës së reflektimit pavarësisht humbjeve të mëhershme. E njohës të zhvillimeve politike thonë se tek opozita mungon lideri karizmatik, i cili e mobilizon dhe sfidon realisht pushtetin.

Thirrje për reforma brenda partive opozitare, duke filluar nga lidershipi i tyre, janë bërë pas rezultatit që morën ato në zgjedhjet e së dielës. 

Rënien më të madhe krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit e ka shënuar Lidhja Demokratike, duke marrë 13,57 për qind të votave, përkatësisht 119 mijë e 201 vota. Në zgjedhjet e fillim vitit, LDK-ka ishte në nivelin e 171 mijë e 357 votave apo 18,27 për qind. 

Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, e mori përgjegjësinë për rezultatin në natën e 28 dhjetorit. Ai njoftoi se ditëve në vijim do ta ftojë Kuvendin e partisë për të shqyrtuar të gjitha çështjet dhe përgjegjësitë si kryetar, përfshirë dorëheqjen. 

Ish-nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, i cili nuk u përfshi në listën për deputet për këto zgjedhje, megjithëse ia kërkoi atë partisë, ka shkruar të martën duke thënë se humbjet radhazi të LDK-së nuk janë rastësi.

“Ato janë verdikt i qartë politik. Mosreflektimi pas tyre nuk është më gabim – është refuzim i përgjegjësisë. Një parti që kërkon besimin e qytetarëve nuk mund të sillet sikur humbjet nuk kanë autor. Mbyllja ndaj kritikës, mungesa e analizës dhe kapja e vendimmarrjes e kanë dëmtuar rëndë partinë dhe e kanë larguar shumë nga misioni i saj”, tha Veliu. 

Edhe Arben Gashi, kandidat për deputet i LDK-së, ka kërkuar reflektim.

Rritjen që e synonte nuk e arriti as Partia Demokratike, e cila u rendit e dyta me 20,98 për qind ose mbi 184 mijë vota, rezultat afërsisht i ngjashëm me atë të fillim vitit. 

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, PDK-ja mori në total 196 mijë e 474 vota apo 20.9 për qind.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, një ditë pas zgjedhjeve paralajmëroi reforma në parti, për të cilat tha se do të nisin prej bazës. 

E, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, mbështetur në rezultatet preliminare, ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor me 5,66. 

Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, po ashtu ka paralajmëruar reflektim. 

Analisti Arbnor Sadiku thotë se duhet ndryshime të mëdha te subjektet politike opozitare.

“Opozita ka pësuar fiasco elektorale dhe natyrisht karshi kësaj do të duhej të reflektojë, si me thënë, qoftë me ndërrimin e metodave të të bërit opozitë dhe me ndryshim të lidershipit dhe faktin që ky lidership aktual ka treguar që nuk ka fuqi potenciale për ta mundur Albin Kurtin dhe kjo u pa edhe në zgjedhjet e fundit”, tha Sadiku. 

E, avokati Arianit Koci e ka vlerësuar se liderët e partive opozitare duhet të japin dorëheqje.

“Problemi mbetet opozita. Mungon lideri karizmatik që mobilizon dhe e sfidon realisht pushtetin. Pa këtë peshë, qeveria humb presionin dhe efikasitetin. Në këtë gjendje, shteti nuk ecën mirë. E siç e shohim të gjithë – kemi ngecje”, tha Koci.  

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, LVV-ja shënoi rritjen më të madhe duke fituar 49 për qind me mbi 433 mijë vota. Përkthyer në mandate, i bie që kjo parti t’i ketë 56 deputetë, tetë më shumë se në legjislaturën e fundit. E, të tria partitë opozitare bashkë do t’i kenë 44 deputetë.