Lëvizja Vetëvendosje ka arritur fitore të thellë të dielën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.
Bazuar në rezultatin preliminar të publikuar në faqen e Komisionit Qendror Zgjedhor, Vetëvendosja, ka marrë 49.3 për qind të votave, ndërsa PDK-ja doli e dyta me 21 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës ka pësuar rënien më të madhe, duke dal e treta me 13.57 për qind. AAK-ja doli e katërta me 5.68 për qind.
Në këto shifra nuk janë llogaritur edhe votat nga jashtë dhe ato me kusht.
“Më 9 shkurt fitoi Lëvizja Vetëvendosje, më 28 dhjetor fitoi populli dhe Republika e Kosovës. Urime fitorja më e madhe në histori të vendit”, ka thënë ai.
Përkthyer në mandate, Lëvizja Vetëvendosje me pak nën 50 për qind të votave ka siguruar 56 ulëse në Kuvend.
Me përllogaritjen sipas formulës “D’Hondt”, Partia Demokratike e Kosovës me 21 për qind të votave ka 23 ulëse. Lidhja Demokratike ka 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 6 ulëse.
Në krahasim me zgjedhjet e shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje është rritur në Kuvend për tetë ulëse, nga 48 sa i kishte.
Ndërkaq, PDK-ja e humbi një ulëse. LDK-ja ka humbur pesë ulëse, nga 20 sa i kishte. AAK-ja në koalicion me Nismën ka pasur 8 ulëse. Kjo përllogaritje nuk i përfshin edhe votat me postë dhe ato në përfaqësi diplomatike.
20 ulëset e tjera ndahen në 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet tjera. Për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe më pas votimit të qeverisë, janë të domosdoshme 61 vota.
Partitë opozitare kanë thënë se do të reflektojnë pas rezultatit në zgjedhje.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se e merr përgjegjësinë për rezultatin dhe se do të thërrasë Kuvendin e partisë për të diskutuar të gjitha çështjet dhe përgjegjësitë si kryetar.
“Duke marrë përgjegjësinë, ditëve në vijim do ta thërras Kuvendin e LDK-së dhe para tij do t’i shpalosim e shqyrtojmë të gjitha çështjet dhe përgjegjësit që mbaj si kryetar. Rezultati i LDK-së nuk është ai që e kemi pritur dhe dëshiruar. Është moment reflektimi. Kur qytetarët flasin, ne duhet të dëgjojmë. Demokracia funksionon kur udhëheqësit mbajnë përgjegjësi, edhe kur kanë humbje të tilla”, ka thënë Abdixhiku.
E kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në konferencë për media të hënën ka thënë se rezultati nuk është ai që ka pritur.
Ka theksuar se do të organizojë takime me strukturat e partisë dhe vendimet do t’i marrë në kohë.
“Këto ditë do të kemi takime me strukturat e partisë, vendimet i marrë në kohë, ta analizuara, të peshuara mirë dhe sigurisht nuk vonohem në vendimmarrje”, ka theksuar Hamza.
Kreu i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinaj, në një postim në Facebook ka thënë se rezultati i zgjedhjeve e zgjidh ngërçin institucional, por jo edhe problemet e shqetësimet e qytetarëve.
“Gjatë gjithë kësaj kohe të fushatës jemi përballur me shqetësime të shumta të qytetarëve që nga kolapsi energjetik, ngecjet në proceset integruese euro-atlantike, posaçërisht në Nato, rënia e investimeve kapitale në gjithë vendin e lënien përgjysmë të krejt projekteve të mëdha, shtrenjtimin enorm të jetesës e stagnimin e pagave e deri te largimi në masë i të rinjve nga Kosova. Rezultati i këtyre zgjedhjeve e zgjidh ngërçin institucional, por kam frikë se nuk i zgjidh problemet e shqetësimet e qytetarëve. Kosova do të dobësohet në planin e brendshëm e të jashtëm e do të fitojnë armiqtë e saj!” – ka shkruar Haradinaj në Facebook.
E fitoren Kurtit ia kanë uruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Po ashtu Kurti pranoi urime edhe nga liderët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, përfshirë nga Ali Ahmeti.
“E kam uruar kryeministrin e rizgjedhur të Kosovës, për fitoren domethënëse dhe uroj që mandati i konfirmuar nga populli i Kosovës për Albinin e për partinë e tij, të kthehet në sukses e në mbarësi për Kosovën, si edhe për marrëdhënien vëllazërore mes dy shteteve tona. Gëzuar”, ka shkruar Rama në platformën “X”.