Zgjedhjet 2025

Në orën 19:00 pritet të fillojë numërimi i votave të fundit me postë

votat me poste

Foto: Arkiv

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar që po presin që në Kosovë të arrijnë edhe 3 mijë e 185 pakot me fletëvotime me postë. Sipas KQZ-së, po planifikojnë që numërimi i tyre të fillojë sonte rreth orës 19:00.

“Gjatë ditës së sotme presim që në Kosovë të arrijnë edhe 3,185 pako me fletëvotime, që janë tërequr më 2 dhe 5 janar nga kutitë postare në Paris (1,962), Berlin (633), Hagë (61), Podgoricë (125), dhe Otavë (404). Fillimisht, këto pako do të përfshihen në procesin e vlerësimit dhe verifikimit, me qëllim të vërtetimit nëse të njëjtat janë dërguar nga votuesit e regjistruar jashtë Kosovës dhe pastaj, fletëvotimet e aprovuara do të numërohen. Planifikojmë që numërimi të fillojë sonte rreth orës 19:00”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Pas përfundimit të numërimit të tyre, shënohet edhe përfundimi i procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, thuhet në njoftim.

KQZ-ja ka përfunduar numërimin e të gjitha votave me postë që kanë arritur në Kosovë, pa përfshirë 3185 pakot që pritet të sillen sot.

Sipas rezultateve të përmbledhura të publikuara në faqen e KQZ-së Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të marrë 51.01% të votave duke siguruar me 57 ulëse në Kuvend. Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 20.24 për qind, me 22 ulëse, pastaj Lidhja Demokratike me 13.26 për qind duke siguruar 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.50 për qind të votave, ka siguruar 5 ulëse në Kuvend.