Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se procesi i numërimit të votave me postë është drejt përfundimit, ndërsa ende nuk janë sjellë në Kosovë 3,185 pako me fletëvotime nga disa qendra jashtë vendit. Janë votat e fundit që kanë mbetur pa numëruar.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se aktualisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po numërohen votat që i përkasin pjesës së dytë të votimit me postë. Sipas tij, këto vota janë tërhequr nga kutitë postare më 2 dhe 5 janar.
“Më 2 janar janë tërhequr 8,180 pako me fletëvotime, ndërsa më 5 janar janë tërhequr 11,867 pako. Pjesa më e madhe e këtyre pakove tashmë janë sjellë në Kosovë dhe i janë nënshtruar procesit të verifikimit. Rreth 16 mijë pako janë aprovuar dhe aktualisht janë në proces numërimi”, ka thënë Elezi në konferencë për media të mërkurën.
Ai ka shtuar se ende nuk janë sjellë në Kosovë 3,185 pako me fletëvotime, të cilat janë tërhequr në qendrat e votimit në Paris, Berlin, Hagë, Podgoricë dhe Ottawa. Sipas KQZ-së, këto pako pritet të sillen në Kosovë gjatë ditëve në vijim.
Elezi ka theksuar se KQZ-ja është në fazën përfundimtare të numërimit të votave dhe, pas përmbylljes së këtij procesi, është e gatshme të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Megjithatë, sipas tij, duhet të pritet afati ligjor prej 48 orësh për paraqitjen e ankesave eventuale pas përfundimit të numërimit.
“Shpallja e rezultateve mund të ndodhë më shpejtë sesa kishim paralajmëruar”, ka thënë ai, duke shtuar se kishin paraparë që rezultatet t’i shpallnin më 19 janar.
-
Mbi 7 mijë pako me fletëvotime nga diaspora janë aprovuar, 142 janë refuzuar
-
Përfundon numërimi në 9 qendra, tërhiqen mbi 85,700 pako me fletëvotime nga jashtë
-
Në orën 19:00 pritet të fillojë numërimi i votave të fundit me postë
-
KQZ-ja pret që rezultatet të shpallen më herët sesa ka parashikuar
-
KQZ: Më 5 janar është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve me postë