Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se ashtu siç ishte planifikuar, më 5 janar 2026 është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës.
Siç bëhet e ditur fillimisht, më 23 dhe 29 dhjetor 2025, nga dy kutitë postare të KQZ-së, në Berlin dhe Bernë, ishin tërhequr 28,555 pako me fletëvotime.
“Pas procesit të vlerësimit, 27,600 janë aprovuar dhe 955 të tjera janë refuzuar, pasi në shumicën e rasteve mungonte dëftesa e regjistrimit të votuesit. Numërimi i këtyre fletëvotimeve ka filluar të shtunën (3 janar 2026, ora 16:00) dhe do të përfundojë gjatë ditës së sotme (e hënë, 5 janar 2026). Procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime ka vazhduar dhe më 2 janar, ku nga kutitë postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanbera dhe Kopenhagë, janë tërhequr 8,180 pako të tjera me fletëvotime, të cilat gjatë ditës së hënë, më 5 janar, janë sjellë në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se tërheqja e pakove me fletëvotime është përmbyllur më 5 janar 2026. Nga 13 kutitë postare, në: Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr 11,867 pako me fletëvotime.
KQZ-ja ka njoftuar se në përgjithësi, rreth 58 mijë shtetas të Kosovës ishin regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të datës 28 dhjetor 2025.
“Numërimi i pakove me fletëvotime, të tërhequra më 2 dhe 5 janar 2026, do t’i nënshtrohen vlerësimit/verifikimit dhe ato që do të aprovohen, do të numërohen në QNR. Me qëllim të lehtësimit të procesit të votimit jashtë Kosovës, për votuesit e regjistruar për votim me postë, janë funksionale kutitë postare në 23 shtete të ndryshme. Kutitë postare ishin funksionale në këtë 23 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër”, thuhet në njoftim.