Kandidati i PDK-së për deputet, Fetah Paçarizi, të cilit pas rinumërimit iu hoqën gati 6 mijë vota, ka thënë se nuk ka pasur asnjë ndikim në këtë proces dhe se distancohet nga çdo keqpërdorim apo manipulim.
Paçarizi ka kërkuar rinumërim të plotë të votave në të gjithë vendin, përfshirë edhe ato të diasporës dhe gjithashtu hetim nga Prokuroria e Shtetit.
“Për këto arsye, konsideroj se është i domosdoshëm rinumërimi i plotë i votave në të gjithë vendin, përfshirë edhe votat e diasporës, në mënyrë që të garantohet transparenca, barazia dhe respektimi i vullnetit real të qytetarëve. Dua të sqaroj qartë se jam i kyçur rishtas në politikë dhe nuk kam mbajtur asnjëherë poste apo përgjegjësi politike. Nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë ndikim në këtë proces dhe distancohem plotësisht nga çdo keqpërdorim apo manipulim që mund të jetë bërë në emrin tim ose në dëm të votës së lirë”, thuhet në reagimin e Paçarizit në Facebook.
Sipas tij edhe “KQZ, si organ i pavarur kushtetues, duhet të japë llogari publike dhe të ofrojë prova të qarta për ligjshmërinë dhe korrektësinë e veprimeve të saj. Pavarësia institucionale nuk nënkupton mungesë përgjegjësie”.
Rinumërimi i votave zbardhi manipulimin në Qendrat Komunale të Numërimit. Devijimi më i madh është evidentuar në Prizren ndërsa “kampion” është kandidati për deputet nga PDK-ja, Fetah Paçarizi.
