Zgjedhjet 2025

Rinumërimi zbardh vjedhje industriale të votave në Prizren

Rinumërimi i votave ka zbardhur manipulimin që është bërë në Qendrat Komunale të Numërimit. Devijim më i madh është evidentuar në Prizren, për llogari të kandidatëve të PDK-së. Kampion është kandidati për deputet i kësaj partie, Fetah Paçarizi, të cilit i është përshkruar rrejshëm gati gjysma e votës së PDK-së së administruar deri tash.

Vjedhje industriale votash brenda llojit gjatë numërimit në Prizren, ka shpërfaqur procesi i rinumërimit. Devijimet më të mëdha janë evidentuar te kandidatët e Partisë Demokratike, e cila udhëheq me këtë komunë.

Pas rinumërimit të gati gjysmës së kutive të votimit, rezulton se kandidati i PDK-së Fetah Paçarizi është kampion për kah votat që ka përfituar nëpërmjet abuzimit në Qendrën Komunale të Numërimit. Aty, gati gjysma e votës së kësaj partie i është përshkruar rrejshëm këtij kandidati për deputet. Nga 7,550 vota që i janë rinumëruar në këtë komunë PDK-së, rezulton se 3,369 i janë paraqitur rrejshëm Paçarizit.

Kandidatë tjerë për llogari të të cilëve është vjedhur në Prizren, janë edhe eksponentë të PDK-së. Deputetit veteran Nait Hasani i janë përshkruar 1,742 vota më shumë, ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, 1,208 vota, Arianit Çollakut 1,196, kandidates Luljeta Veselaj Gutaj 1,026 më shumë, ish-kryediplomatit Enver Hoxhaj 750 vota, ish-deputetit Fadil Demaku 705 e deputetit senior, Xhavit Haliti, 558 vota më shumë.

Pas PDK-së, devijimi më i madh i votës është evidentuar te kandidatët për deputetë të Lidhjes Demokratike. Nga 3,077 votat e kësaj partie që janë rinumëruar, rezulton se më së shumti ka përfituar kandidati Xhavit Uka, të cilit i janë përshkruar rrejshëm 741 vota, pasuar nga Driton Selmanaj të cilit i janë paraqitur 552 vota përtej atyre reale.

E, Lëvizjes Vetëvendosjes i janë rinumëruar 15,474 vota, ndërsa devijimi më i madh është tek kandidatja Dafina Alishani, së cilës në Prizren i janë përshkruar rrejshëm 269 vota, pasuar nga Arbër Rexhaj të cilit i janë paraqitur 252 vota më shumë.

Rinumërimi ka zbuluar edhe viktimat e vjedhjes së bërë në qendrat komunale të numërimit.

Në nivel Kosove, 19 kandidatët që më së shumti janë prekur nga vjedhja brenda llojit, janë të Partisë Demokratike, ndërsa i 20-i është Paris Guri i LDK-së.

Viktimë më e madhe është nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, të cilit nuk i janë paraqitur 435 vota, pasuar nga Arian Tahiri, Përparim Gruda, Vlora Çitaku e Mërgim Lushtaku.

Bazuar në rinumërimin e deritashëm, në partitë e tjera, viktimave të vjedhjes në Qendrat Komunale të Numërimit nuk u janë hequr më shumë se 100 vota.