Zgjedhjet 2025

Abdixhiku premton strategji për “Trepçën” dhe modernizim të saj

Lumir Abdixhiku

Strategji shtetërore, investime serioze dhe modernizim të kompleksit metalurgjik “Trepça” ka premtuar kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, i cili është edhe kandidat për kryeministër.
Në tubimin elektoral të mbajtur të martën në Mitrovicë, ai ka theksuar rolin e këtij qyteti si bartës i barrës politike, ekonomike dhe të sigurisë, ndër dekada.

“Sot minatorët përballen me pasiguri, me mungesë investimesh serioze, me paqartësi rreth së ardhmes së Trepçës. Dhe kjo është e papranueshme. Trepça nuk është barrë – Trepça është aset strategjik kombëtar. Ajo nuk mund të trajtohet me improvizim, me heshtje apo me vendime të përkohshme. Trepça ka nevojë për strategji shtetërore, për investime serioze, për modernizim dhe për respekt ndaj minatorit që e mban gjallë. LDK e ka të qartë: Trepça duhet të rikthehet në zemër të zhvillimit industrial të Kosovës, me menaxhim profesional, me transparencë dhe me mbështetje të plotë shtetërore”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku është zotuar edhe për finalizimin e projektit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë dhe ka theksuar se programi i LDK-së përfshin projekte të mëdha kapitale, përfshirë gazifikimin e Kosovës, dhe synon edhe rikthimin e Mitrovicës si motor industrial i vendit.

“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk premton zhurmë. Premton përgjegjësi.

Jo fjalë të mëdha, por zgjidhje të domosdoshme. Mitrovica meriton qetësi, stabilitet dhe mbi të gjitha zhvillim. Zhvillim të fuqishëm ekonomik. Dhe këtë rrugë do ta ecim bashkë, hap pas hapi”, ka thënë Abdixhiku. 

Ai ka premtuar edhe mbështetje financiare për familjet, investime në arsim, shëndetësi, siguri dhe punësim të të rinjve.

“Gjendja ekonomike sot është e rëndë dhe godet grupe të ndryshme shoqërore në mënyra të ndryshme. Familjet po përballen me rritje të kostos së jetesës. Çmimet janë rritur, energjia është bërë barrë, ndërsa të ardhurat nuk e kanë ndjekur këtë ritëm. Në një qytet industrial si Mitrovica, ku jeta ka qenë e lidhur me punën, kjo peshë ndihet çdo ditë”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka prezantuar programin qeverisës edhe para mbështetësve në Vushtrri, ku ka përsëritur kërkesën për ta mbështetur LDK-në me votë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

“36 vjet më parë, LDK lindi si shpresë për liri, demokraci dhe shtet. Sot, në Vushtrri, ajo shpresë ishte e gjallë, e fortë dhe e vendosur për të ardhmen. U ndje qartë besimi se ky vend ka nevojë për normalitet, zhvillim dhe udhëheqje të përgjegjshme. Vushtrria flet me njerëz punëtorë, me familje që duan siguri dhe perspektivë për fëmijët e tyre, me të rinj që duan arsye për të qëndruar këtu. Pikërisht për ta është programi ynë, zotimet tona dhe vizioni ynë për Kosovën”, ka shkruar lideri i LDK-së pas tubimit në Vushtrri.

Gjatë ditës së martë është shënuar edhe 36-vjetori i themelimit të LDK-së, me ç’rast Abdixhiku ka deklaruar se zgjedhjet janë përcaktuese dhe se kjo dekadë është e anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe e rrugëtimit për në Bashkimin Evropian.

“Sot nderojmë me respekt të thellë të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në çdo periudhë dhe në çdo nivel, të gjithë ata burra e gra që i qëndruan besnikë kësaj shtëpie të demokracisë në kohët më të vështira dhe në kohët e shpresës. Nderojmë secilin anëtar e veprimtar që dha kohën, dijen, energjinë dhe jetën e vet në shërbim të Kosovës. Dhe me përulje të veçantë, nderojmë ata që dhanë më të shenjtën për këtë shtëpi të demokracisë dhe për Republikën tonë, duke u flijuar për lirinë dhe shtetin”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Sipas tij, LDK-ja ka qenë dhe mbetet parti e shtetit, jo e pushtetit, parti e dorës së shtrirë, e bashkimit dhe e përgjegjësisë historike.

“Në dekadën e katërt të ekzistencës sonë, përgjegjësia jonë është më e madhe se kurrë. Jo për fatin e një partie, por për fatin e Kosovës. Për orientimin e saj perëndimor. Për unitetin e brendshëm. Për zhvillimin, normalitetin dhe shpresën”, ka shkruar Abdixhiku.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, kjo parti doli e treta.

 

Lexo përditësimet tjera
Zgjedhjet

Dita e shtatë e fushatës