Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore rreth aktiviteteve të partive politike në ditën e shtatë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen më 28 dhjetor. Për premtimet kryesore që kanë dhënë kandidatët për kryeministër e për akuzat e tyre ndaj kundërkandidatëve. Teksti do të përditësohet gjatë ditës me zhvillimet kryesore
Kurti premton ndërtimin e 20 stadiumeve të reja në 18 komuna
Ndërtimin e 20 stadiumeve të reja në 18 komuna, investim ky në vlerë prej 250 milionë eurosh e ka premtuar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti.
Në ditën e shtatë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Kurti mbajti tubim në Gjakovë, nga ku theksoi se qeverisja e tij synon të jetë në shërbim të qytetarëve dhe në mbrojtje të familjeve.
“E këtu ne po investojmë në stadiumin e qytetit, 9 milionë euro nga Qeveria, një prej stadiumeve ma të mira që do t’i ketë Kosova, do t’i ketë Vllaznimi nga Gjakova. Në Gjakovë do të ndërtojmë hangaret për fluturaket e FSK-së, e po ashtu do ta ndërotojmë edhe fabrikën e municioneve të parën në republikën tonë. Një vit nga tani nga fabrika në Jahoc do të dalin fishekët e parë”, ka thënë Kurti.
Kurti foli gjithashtu për projektin e linjës hekurudhore që do të lidhë portin e Durrësit me Prishtinën, duke kaluar përmes Gjakovës dhe Shkodrës.
Ai theksuar se shteti duhet të garantojë investimin dhe sigurinë ekonomike, duke krijuar kushte që rreziku të zvogëlohet dhe guximi për të investuar të rritet.
Foli edhe për rritjen e qarkullimit të bizneseve, duke thënë se u dyfishua brenda gjashtë vjetësg dhe se këtë vit fitimi i korporatave arriti në 2.3 miliardë euro.
“Qarkullimi i bizneseve për 6 vjet është dyfishuar ka qenë 12.5 miliardë vitin 2019 viti i parë para pandemie, sepse nuk bënë të krahasohemi me vitin pandemie që ka pasur tkurrje ekonomike dhe tash sivjet qarkullimi i gjithmbarshëm i gjithë bizneseve është 25 miliardë nga 12.5 në 25 miliardë dyfishim i qarkullimit të bizneseve e sivjet fitimi i korporatave në Kosovë është 2.3 miliardë euro”, ka thënë Kurti.
Në aspektin e politikës së jashtme, Kurti u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hedhur poshtë çdo ide për shkëmbim territoresh.
“Së fundmi SHBA-të i dhanë fund çdo ideje për shkëmbimin e territoreve dhe bënë thirrje për njohje të dyanshme, zbatimin e marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit të zbatimit nga Ohri, ku katër nenet e para flasin për njohjen e Kosovës nga Serbia. Me SHBA-në kemi bashkëpunim sa u përket blerjeve ushtarake prej tyre”, ka theksuar Kurti.
Në takimet e tjera që zhvilloi gjatë ditës së martë, Kurti u zotua për shtim të 10 profileve të reja në mësimin dual.
Ka përmendur edhe punët që i ka bërë gjatë mandatit qeverisës, siç është ndarja e shtesave për fëmijë dhe nëna lehona, të cilat sipas tij, do të rriten në mandatin e ardhshëm.
Kurti theksoi se gjatë mandatit të shkuar është ulur papunësia në 11 për qind dhe se janë shtuar 85 mijë vende të reja të punës.
E viti 2026, sipas Kurtit do të jetë për ndërtimin e digave dhe hekurudhave. Ai u zotua për ndërtimin e 5 digave.
Foli edhe për zotimet kryesore që do t’i ketë gjatë mandatit të ardhshëm. Premtoi se do të ndahen mbi 1 miliard euro për investime kapitale çdo vit e 1 miliard euro për forcimin e Ushtrisë së Republikës së Kosovës.
Po ashtu, tha se do të dyfishohen shtesat për fëmijë, paga minimale do të rritet në 500 euro, do të zbatohet transporti i integruar urban dhe ndërurban me vetëm 10 euro në muaj, si dhe do të funksionalizohet valuta digjitale.
Gjatë mandatit të ardhshëm, ai premtoi se do të bëhet digjitalizimi i arkave fiskale, zbatimi i plotë i faturës elektronike biznes-biznes, mbikëqyrja në kohë reale e TVSH-së. Kurti foli edhe për luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se qeveria e tij ka drejtimin e duhur dhe nuk është e korruptuar.
“Duke shpërndare rritjen ekonomike e kemi zvogëluar varfërinë dhe pabarazinë dhe e kemi rritur kërkesën agregate në ekonomi e cila më tej e shton qarkullimin e bizneseve dhe mundëson rritjen e mëtutjeshme të ekonomisë. Pra, nuk është çështja vetëm që jemi të pa korruptuar dhe të pa korruptueshëm por ne e kemi edhe drejtimin e duhur unë besoj që ata edhe janë korruptuar edhe janë të korruptueshëm, sepse e kanë drejtimin e gabuar, ne duke e pasur drejtimin e duhur as s’jemi korruptuar dhe kurrë nuk do të korruptohemi”, ka theksuar Kurti.
Hamza premton ulje të çmimeve përmes heqjes së TVSH-së në produkte bazë ushqimore, barna e energji
Heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në produkte bazë e ka premtuar kryetari i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, i cili është edhe kandidat për kryeministër.
Në një videoadresim, ai ka thënë se vendimi do të ketë ndikim në ulje të këtyre produkteve, por edhe në barna.
“Do ta ul TVSH-në për produktet esenciale dhe për shumë prej tyre do ta bëjmë zero. Për shembull për bukën, qumështin dhe produktet e tij, drithërat, vezët, vajin, barnat e kështu me radhë. Kjo do të thotë çmime më të ulëta, më pak barrë për familjet dhe më shumë lehtësim për buxhetin e çdo shtëpie, sepse askush nuk duhet të luftojë për gjërat elementare të jetës. Unë jam Bedri Hamza dhe ky është misioni im”, ka thënë Hamza.
Hamza ka thënë se as rryma nuk është luks, dhe se edhe çmimin e saj do ta ulë përmes heqjes së TVSH-së, në rast se mandatin e ardhshëm qeveria drejtohet prej tij.
“Çmimi i energjisë elektrike është bërë barrë e rëndë për familjet dhe bizneset. Faturat po rriten, ndërsa pagat nuk mjaftojnë. Kjo është padrejtësi sociale. Prandaj, si kryeministër unë do ta heq TVSH-në. Kjo do të thotë faturë më të ulët çdo muaj, më shumë qetësi për familjet dhe më shumë lehtësi për secilin prej jush”, ka thënë Hamza.
Për ulje të çmimeve ka folur edhe nënkryetari partisë dhe kandidati për deputet, Uran Ismaili.
Sipas tij, me programin e Hamzës, gjithçka është e mundur.
Kemi paraparë uljen e TVSH-së në produktet esenciale, ndërsa për shumë prej tyre TVSH-ja do të jetë zero. Po ashtu, do të hiqet TVSH-ja nga faturat e energjisë elektrike. Kjo do të thotë se në fund të muajit qytetarët do të paguajnë më pak për energjinë elektrike”, ka thënë Ismaili në një video në Facebook.
Ai ka theksuar se efektet e këtyre masave nuk do të ndihen vetëm në faturat familjare, por edhe në çmimet e produkteve dhe shërbimeve në treg.
“Kur faturat e energjisë elektrike janë më të ulëta për bizneset tona, atëherë edhe çmimet e produkteve që i blejmë nga ato biznese, apo të shërbimeve që marrim, do të jenë më të ulëta”, ka deklaruar ai.
Ismaili ka ftuar qytetarët që në zgjedhjet e 28 dhjetorit të mbështesin programin e PDK-së dhe Bedri Hamzën për kryeministër në mënyrë që këto premtime të jetësohen.
“Më 28 dhjetor, mbështeteni kandidatin që e ka planin, dijen dhe aftësitë për ta ndryshuar jetën tuaj. Votoni PDK 130, Bedri Hamza 1 dhe Uran Ismaili 2. Bashkë. Përpara!”, ka thënë Ismaili.
Me një video, qytetarëve të martën u është adresuar edhe kandidatja për deputete, Vlora Çitaku.
“E ardhmja e Kosovës është me botën demokratike, me aleatët tanë, me perëndimin. Integrimi nuk është fjalë politike. Është siguri. Është zhvillim, është shpresë që të rinjtë të mos largohen. Unë besoj se Kosova mund dhe duhet dhe duhet të ecë përpara dhe Kosova ka çfarë të ofrojë: një shoqëri dinamike, e arsimuar dhe e lidhur me botën, me energji sipërmarrëse dhe vullnet për inovacion. Ne sjellim stabilitet në rajon, partneritet të besueshëm në siguri, zë të qartë në mbrojtjen e vlerave demokratike. Kosova nuk kërkon vetëm të integrohet, Kosova kontribuon me punë, me përgjegjësi dhe me përkushtim ndaj paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Për këtë rrugë na duhet guxim dhe seriozitet, na duhet përvojë dhe besueshmëri. Prandaj më 28 dhjetor është koha për të për një kapitull të ri për Kosovën, adresa është PDK – 130”, ka thënë ajo.
Të martën, PDK-ja ka zhvilluar fushatë në Prishtinë dhe Malishevë.
“Në rrugëtimin për ta çuar Kosovën përpara, sot në Malishevë pashë vendosmërinë, energjinë dhe gatishmërinë për ndryshim që po rritet çdo ditë. Bashkë me Malishevën, përpara për Kosovën!”, ka shkruar Hamza.
Ai gjatë ditës është takuar edhe me një boksier shqiptar, që karrierën e zhvillon jashtë vendit – Granit Bylykbashin. Hamza ka lavdëruar diasporën me këtë rast.
“Me kampionin botëror WBC Middle East, Granit Bylygbashin, ‘The Albanian Stone’, një djalë nga Drenasi që jeton dhe garon në Gjermani, por zemrën e mban gjithmonë në Kosovë. Diaspora jonë prodhon kampionë! Bashkë. Përpara”, ka shkruar Hamza.
Haradinaj: Në qeverisjen time, prioritet anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO
Udhëheqje për shtet pa sanksione ndërkombëtare dhe me marrëdhënie të përmirësuara me aleatë perëndimorë ka premtuar të martën kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili është edhe kandidat i kësaj partie për kryeministër.
Në programin e AAK-së për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Kosova parashihet që “të parashtrojë kërkesë formale që NATO-ja të themelojë një zyrë ndërlidhëse në Prishtinë, të ngjashme me praktikat e NATO-s për vendet e tjera që kanë qenë në proces të anëtarësimit”, sikurse ka qenë rasti me Maqedoninë e Veriut.
E anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veriatlantike të NATO-s dhe në Bashkimin Evropian, Haradinaj është zotuar se do ta ketë prioritet po qe se zgjidhet kryeministër.
“E ardhmja e Kosovës nuk është në izolim e sanksione, është qartë në Perëndim bashkë me botën demokratike. Në Qeverinë e ardhshme Haradinaj, Kosova ka prioritet anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, ka shkruar Haradinaj në një postim në Facebook. “Në NATO, Kosova fiton: siguri të përhershme dhe paqe afatgjatë, ushtri profesionale, të pajisur dhe të standardeve më të larta, mbrojtje të garantuar nga çdo kërcënim ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial, partneritet të drejtpërdrejtë me SHBA-në dhe vendet më të fuqishme të botës, stabilitet politik dhe besueshmëri ndërkombëtare, rritje të rolit të Kosovës në sigurinë rajonale dhe globale. Në Bashkimin Evropian, Kosova fiton: bashkohet me vlerat kombëtare dhe kulturore, me identitetin e vet, treg shumë më të madh për prodhimet dhe shërbimet vendore, investime të huaja direkte dhe vende të reja pune, fonde zhvillimore dhe mbështetje për bujqësi, infrastrukturë dhe arsim, drejtësi funksionale, institucione të forta dhe sundim të ligjit, standard evropian jetese, mbrojtje sociale dhe të drejta më të mëdha për qytetarët, lëvizje të lirë, mundësi studimi dhe punësimi në vendet e BE-së, perspektivë të sigurt për të rinjtë, pa nevojë për largim nga vendi”.
Për përafrim me aleatë perëndimorë është zotuar edhe kandidati i AAK-së për deputetë, Bekë Berisha.
Ai theksuar se AAK-ja synon që të jetë përcaktuese e qeverisë së ardhshme ndërsa ka bërë thirrje për mobilizim për votimin e për këtë subjekt politik.
“Për me t’iu kthyer aleatëve, për t’iu kthyer normalitetit, për t’iu kthyer zhvillimit na duhet të mobilizohemi më 28! Katër vjet s’do të ketë zgjedhje më. Unë ju lus shumë kësaj radhe. Duam të grumbullojmë votën ne numri 129, te Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Mendoj ta krijojmë atë forcën kritike që të jemi përcaktues të qeverisjes së ardhshme, pra më 28 përcaktohet qikjo punë edhe jemi në rrugë të drejtë e të mirë e të mbarë, por së bashku mund t’ia dalim”, ka shkruar ai në Facebook.
Tubim elektoral në kuadër të ditës së shtatë të fushatës zgjedhore, AAK-ja ka mbajtur të martën në Suharekë. Aty, kandidati për kryeministër i AAK-së ka numëruar disa zotime.
“Suhareka foli qartë për atë që kërkon: të vërtetën, qëndrueshmërinë dhe një vizion që nuk lë askënd pas.
Me qytetarët e Suharekës folëm hapur për planin tonë, për një Kosovë në NATO, ku ekonomia është në shërbim të njerëzve; për energji të sigurt dhe të përballueshme; për vende të reja pune; për arsim që i përgatit të rinjtë për jetën; dhe për një shtet që i mbron e i respekton qytetarët. Suhareka ka vendosur për AAK dhe qeverisjen në komunë, me 28 dhjetor Suhareka do të vendosë për qeverinë Haradinaj”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
E kandidati i AAK-së për deputet, Daut Haradinaj, ka pasur të martën takim me qytetarë në Klinë.
“Klina po frymon fitore dhe kësaj fryme po i bëhen krah edhe vëllezërit e motrat tona nga diaspora.
Festat e fundvitit veç sa e kanë rritur adrenalinën e këtij qyteti, duke sjellë dritë, ngrohtësi dhe emocion kudo”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Abdixhiku premton strategji për “Trepçën” dhe modernizim të saj
Strategji shtetërore, investime serioze dhe modernizim të kompleksit metalurgjik “Trepça” ka premtuar kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, i cili është edhe kandidat për kryeministër.
Në tubimin elektoral të mbajtur të martën në Mitrovicë, ai ka theksuar rolin e këtij qyteti si bartës i barrës politike, ekonomike dhe të sigurisë, ndër dekada.
“Sot minatorët përballen me pasiguri, me mungesë investimesh serioze, me paqartësi rreth së ardhmes së Trepçës. Dhe kjo është e papranueshme. Trepça nuk është barrë – Trepça është aset strategjik kombëtar. Ajo nuk mund të trajtohet me improvizim, me heshtje apo me vendime të përkohshme. Trepça ka nevojë për strategji shtetërore, për investime serioze, për modernizim dhe për respekt ndaj minatorit që e mban gjallë. LDK e ka të qartë: Trepça duhet të rikthehet në zemër të zhvillimit industrial të Kosovës, me menaxhim profesional, me transparencë dhe me mbështetje të plotë shtetërore”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku është zotuar edhe për finalizimin e projektit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë dhe ka theksuar se programi i LDK-së përfshin projekte të mëdha kapitale, përfshirë gazifikimin e Kosovës, dhe synon edhe rikthimin e Mitrovicës si motor industrial i vendit.
“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk premton zhurmë. Premton përgjegjësi.
Jo fjalë të mëdha, por zgjidhje të domosdoshme. Mitrovica meriton qetësi, stabilitet dhe mbi të gjitha zhvillim. Zhvillim të fuqishëm ekonomik. Dhe këtë rrugë do ta ecim bashkë, hap pas hapi”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka premtuar edhe mbështetje financiare për familjet, investime në arsim, shëndetësi, siguri dhe punësim të të rinjve.
“Gjendja ekonomike sot është e rëndë dhe godet grupe të ndryshme shoqërore në mënyra të ndryshme. Familjet po përballen me rritje të kostos së jetesës. Çmimet janë rritur, energjia është bërë barrë, ndërsa të ardhurat nuk e kanë ndjekur këtë ritëm. Në një qytet industrial si Mitrovica, ku jeta ka qenë e lidhur me punën, kjo peshë ndihet çdo ditë”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka prezantuar programin qeverisës edhe para mbështetësve në Vushtrri, ku ka përsëritur kërkesën për ta mbështetur LDK-në me votë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
“36 vjet më parë, LDK lindi si shpresë për liri, demokraci dhe shtet. Sot, në Vushtrri, ajo shpresë ishte e gjallë, e fortë dhe e vendosur për të ardhmen. U ndje qartë besimi se ky vend ka nevojë për normalitet, zhvillim dhe udhëheqje të përgjegjshme. Vushtrria flet me njerëz punëtorë, me familje që duan siguri dhe perspektivë për fëmijët e tyre, me të rinj që duan arsye për të qëndruar këtu. Pikërisht për ta është programi ynë, zotimet tona dhe vizioni ynë për Kosovën”, ka shkruar lideri i LDK-së pas tubimit në Vushtrri.
Gjatë ditës së martë është shënuar edhe 36-vjetori i themelimit të LDK-së, me ç’rast Abdixhiku ka deklaruar se zgjedhjet janë përcaktuese dhe se kjo dekadë është e anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe e rrugëtimit për në Bashkimin Evropian.
“Sot nderojmë me respekt të thellë të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në çdo periudhë dhe në çdo nivel, të gjithë ata burra e gra që i qëndruan besnikë kësaj shtëpie të demokracisë në kohët më të vështira dhe në kohët e shpresës. Nderojmë secilin anëtar e veprimtar që dha kohën, dijen, energjinë dhe jetën e vet në shërbim të Kosovës. Dhe me përulje të veçantë, nderojmë ata që dhanë më të shenjtën për këtë shtëpi të demokracisë dhe për Republikën tonë, duke u flijuar për lirinë dhe shtetin”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Sipas tij, LDK-ja ka qenë dhe mbetet parti e shtetit, jo e pushtetit, parti e dorës së shtrirë, e bashkimit dhe e përgjegjësisë historike.
“Në dekadën e katërt të ekzistencës sonë, përgjegjësia jonë është më e madhe se kurrë. Jo për fatin e një partie, por për fatin e Kosovës. Për orientimin e saj perëndimor. Për unitetin e brendshëm. Për zhvillimin, normalitetin dhe shpresën”, ka shkruar Abdixhiku.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, kjo parti doli e treta.
Haradinaj: Prioritet anëtarësimi në BE e NATO
Kandidati për kryeministër nga AAK-ja, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se prioritet në rast se do të vije në krye të qeverisë do ta ketë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Haradinaj ka theksuar se e ardhmja e Kosovës nuk është në izolim e sanksione.
“E ardhmja e Kosovës nuk është në izolim e sanksione, është qartë në Perëndim bashkë me botën demokratike. Në Qeverinë e ardhshme Haradinaj, Kosova ka prioritet anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Në NATO, Kosova fiton: Siguri të përhershme dhe paqe afatgjatë; Ushtri profesionale, të pajisur dhe të standardeve më të larta; Mbrojtje të garantuar nga çdo kërcënim ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial; Partneritet të drejtpërdrejtë me SHBA-në dhe vendet më të fuqishme të botës; Stabilitet politik dhe besueshmëri ndërkombëtare; Rritje të rolit të Kosovës në sigurinë rajonale dhe globale”, ka shkruar Haradinaj.
Tutje Haradinaj ka renditur edhe përfitimet e Kosovës në rast të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Në Bashkimin Evropian, Kosova fiton: Bashkohet me vlerat kombëtare dhe kulturore, me identitetin e vet; Treg shumë më të madh për prodhimet dhe shërbimet vendore; Investime të huaja direkte dhe vende të reja pune; Fonde zhvillimore dhe mbështetje për bujqësi, infrastrukturë dhe arsim; Drejtësi funksionale, institucione të forta dhe sundim të ligjit; Standard evropian jetese, mbrojtje sociale dhe të drejta më të mëdha për qytetarët; Lëvizje të lirë, mundësi studimi dhe punësimi në vendet e BE-së; Perspektivë të sigurt për të rinjtë, pa nevojë për largim nga vendi”, ka shturar Haradinaj.
Hamza premton zero TVSH për produktet esenciale
Sipas Hamzës kjo do t’i bënte çmimet më të ulëta dhe do ulte barrën për çdo familje.
“Çmimet po rriten dhe barra po bëhet gjithnjë e më e rëndë për çdo familje. Në qeverinë time, për t’i ulur çmimet dhe mbrojtur fuqinë blerëse, TVSH-ja do të jetë 0% për produktet esenciale. Ushqim më i lirë. Dinjitet për familjen. Siguri për fëmijët”, ka shkruar Hamza në një video të publikuar në Facebook.
Në një takim tjetër me qytetarë, Hamza ka shpalosur premtimin për rritjen prej 50% të pensioneve e ndihmave sociale dhe me minimum 250 euro në muaj për çdo përfitues.
“Rritje 50% e pensioneve dhe ndihmave sociale, me minimum 250€ në muaj për çdo përfitues. Për të gjithë, pa përjashtime, dinjitet, siguri ekonomike dhe drejtësi sociale”, shkroi në një tjetër postim në Facebook, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.
Abdixhiku: Kjo dekadë është e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe e rrugëtimit drejt BE-së
Në 36-vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, ka thënë se zgjedhjet e 28 dhjetorit janë përcaktuese jo vetëm për dekadën e katërt të partisë, por edhe të aspiratave të popullit të Kosovës. Sipas tij, kjo dekadë është e anëtarësimit të Kosovës në NATO si dhe e rrugëtimit për në Bashkimin Evropian.
Abdixhiku ka thënë se LDK-ja për tri dekada e gjysmë ka përfaqësuar guximin, qëndrueshmërinë dhe përkushtimin e palëkundur ndaj idealeve të lirisë, demokracisë dhe vetështetësisë, duke përcaktuar jo vetëm rrugën e saj politike, por edhe fatin e Kosovës dhe të gjithë kombit. Abdixhiku ka theksuar se përvjetori i 36-të është një moment reflektimi dhe ripërtëritjeje të zotimit ndaj vlerave themelore të LDK-së, në një kohë kur, sipas tij, partia mban një përgjegjësi të veçantë për të ardhmen e vendit, sidomos në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
“Janë 36 vite guxim, qëndrueshmëri dhe përkushtim i palëkundur ndaj idealeve të lirisë, demokracisë dhe vetështetësisë, një rrugëtim historik që ka përcaktuar jo vetëm fatin e shtëpisë sonë të demokracisë, por fatin e vendit dhe gjithë kombit tonë. Ne nderojmë trashëgiminë e atyre që hodhën themelet e kësaj lëvizjeje të madhe, siç edhe reflektojmë për rrugën e gjatë dhe të lodhshme, gjithsesi të papërsëritshme, që kemi përshkruar për 36 vite rresht. Gjejmë momentin të ripërtërijmë edhe njëherë zotimin tonë ndaj vlerave dhe parimeve që vazhdojnë të na udhëheqin edhe sot”, ka thënë ai.
Duke folur për rrethanat historike të themelimit të LDK-së, Abdixhiku ka kujtuar periudhën e vitit 1989 dhe rolin e liderëve themelues.
“36 vjet më parë, saktësisht më 23 dhjetor të vitit të ndryshimit evropian, të vitit 1989, në një atmosferë represioni dhe dëshpërimi, një grup vizionarësh guxuan të ëndërrojnë për një të ardhme tjetër të Kosovës. Ata ëndërruan për lirinë, ëndërruan për demokracinë, ëndërruan për pavarësinë dhe në gjithë këtë ëndërrim të tyre ata themeluan LDK-në, formacionin e parë dhe të vetëm pavarësist të popullit të Kosovës. Në krye të kësaj besëlidhjeje, të kësaj lëvizjeje popullore, qëndronte prijësi ynë historik, ati themeltar i shtetit të Kosovës, presidenti historik Ibrahim Rugova”, tha ai.
Abdixhiku ka thënë se LDK-ja sot bart një përgjegjësi të madhe politike për orientimin e vendit në vitet që vijnë. “Kemi jo vetëm nderin dhe privilegjin, por kemi edhe përgjegjësinë e madhe të përcaktojmë fatin tonë politik në këtë pjesë të dekadës së mbetur. Ndjej përgjegjësi shumë të madhe në rolin që LDK duhet të ketë në skenën politike kosovare, jo për fatin e vet politik si parti, por për fatin e të ardhmes së Kosovës, sidomos sot, sidomos tani, sidomos në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”, ka thënë ai.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se zgjedhjet e ardhshme janë përcaktuese për rrugëtimin strategjik të vendit.
“Sepse në këto zgjedhje përcaktohet jo vetëm dekada e katërt e Lidhjes sonë, por edhe dekada e katërt e aspiratave të popullit të Kosovës. Kjo dekadë është e anëtarësimit në NATO, e rrugëtimit për në BE, dekadë e zhvillimit dhe e modernizimit”, u shpreh Abdixhiku.
Peci e quan “ura e Albinit” urën e re në Mitrovicë
Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, e ka quajtur urën e re mbi lumin Ibër “ura e Albinit” në një video që e ka publikuar të martën bashkë me ministrin në detyrë të Industrisë, Hysen Durmishi.
Peci e Durmishi kanë ftuar qytetarët për datën 24 që të mblidhen për t’i ndezur dritat në këtë urë të re të këmbësorëve.
“Jemi këtu nga ura më e bukur në Kosovë, ura e Albinit, bashkë me kolegun tim ministrin Hysen Durmishi që lehtësoi jetën e qytetarëve të Mitrovicës me investimet në rrugën Prishtinë-Mitrovicë dhe ndërtimin e urës më të bukur në Kosovë”, ka thënë Peci në video.
Më 17 dhjetor, u përurua mbi Ibër një urë e re për këmbësorë për t’i lidhur Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut. Ishte kjo ura e dytë, pas asaj për veturat e hapur në gusht.
Megjithatë, ura kryesore mbi lumin Ibër u mbyll në vitin 1999 dhe që atëherë asnjëherë nuk është kthyer në funksionin e saj të plotë. Që nga viti 2011, ajo u hap për këmbësorë porse jo edhe për automjete - të vetmet që kalojnë mbi të janë veturat e KFOR-it.