Zgjedhjet 2025

Abdixhiku zotohet se asnjë i posadiplomuar s’do mbetet pa punë

lumir abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës, të hënën, fushatën zgjedhore e ka zhvilluar në Dragash, Prizren e Suharekë. Takime me qytetarë ka mbajtur edhe në njërën nga degat në kryeqytet. Në Prizren, kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, premtoi punësim për të rinjtë e diplomuar e për rritje të numrit të inspektorëve që mbikëqyrin zbatimin e kontratave të punëtorëve të sektorit privat

Asnjë i diplomuar nuk do të jetë i pa punë - ky është premtimi që kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të hënën në Prizren.

Në tubimin elektoral në këtë komunë, ai ka prezantuar programin e LDK-së për punësim të garantuar për të posadiplomuarit.

“Zotohemi se nuk do të ketë një të ri në Kosovë që ka përfunduar fakultetin e s’do ta ketë punësimin e garantuar për 6-12 muajt e parë me pagë 500 euro në muaj. Ky është një programi kombëtar i punësimit, i punës së garantuar për secilin të posadiplomuar”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka premtuar se anash nuk do të lë as punëtorët e sektorit privat.

“Do të kujdesemi që kontrata të respektohen në plotni, që të keni punë të paguara shtesë, siç iu takon me ligj, që Inspektorati i Punës do të dhjetëfishohet me numrat e njerëzve që ju vëzhgojnë, ju ndihmojnë dhe qëndrojnë krah jush në punët e vështira që i keni”

Në Prizren, kryetari i LDK-së, ka thënë se qyteti nuk është duke jetuar në përputhje me potencialin që ka. Sipas tij, me problemin e njëjtë, shkaku i keqqeverisjes aktuale, është duke u përballur e gjithë Kosova.

“Ky Prizren me rini kaq kreative, me pozitë strategjike po përballet me mungesë të vizionit, me harresë institucionale dhe me një qeverisje që për pesë vite nuk e pa këtë qytet me prioritet zhvillimi. Dhe ky nuk është problem vetëm i juaji i Prizrenit është sindrom e një problemi më të madh që ka Kosova”, ka deklaruar Abdixhiku, para të pranishmëve.

Ai është zotuar se në katër vitet e ardhshme do të investohen 5 miliardë euro në të gjithë sektorët, derisa ka veçuar teknologjinë, arsimin, shëndetësinë, mbrojtjen e infrastrukturën rrugore.

Për Prizrenin, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka premtuar realizimin e mësimit tërë ditor për fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën e edhe ndërtimin e disa çerdheve, nga 80 gjithsej sa planifikon të ndërtojë të gjithë Kosovën.

“60 milionë euro për ndërtimin e 80 çerdheve gjithandej Kosovës dhe Prizreni i juaj do të ketë prioritet kombëtar për ndërtimin e çerdheve këtu në mes jush... Do të bëjmë dhe një model zhvillimor për fëmijët tanë në çdo etapë sidomos për fëmijët e klasës së parë deri në klasën e pestë, që atë mësim tërë ditor që e dëgjoni gjithandej Kosovës nga çdo komunë e çdo parti politike ta kuptoni se vetëm një shtëpi politike e ka bërë realitet, e ka bërë Lidhja Demokratike e Kosovës në Prishtinë, mësimin ditor do të bëjmë edhe në Prizren”.

Në kryeqytetin historik, Abdixhiku ka folur edhe për bllokadën institucionale. Ka thënë se pesë vitet e fundit kanë qenë vite të humbura për Kosovën dhe të ardhmen e qytetarëve. Sipas tij, humbësi më i madh ka qenë Prizreni.

“Kosova po jeton sot pa institucione funksionale, pa kuvend efektiv, pa qeverisje të përgjegjshme dhe legjitime besa, me një vendimmarrje që i shërben jo qytetarit por një pushtetari. Konfliktet politike, shkeljet e vazhdueshme kushtetuese dhe kokëfortësia e një pushteti kanë prodhuar paralizë shtetërore”, ka thënë ai.

Në tubimin elektoral të LDK-së në Prizren, ai kërkoi dalje në zgjedhje e votë për, siç tha, ndryshimin e përgjithshëm.

“LDK-ja nuk është vetëm një parti, është një ide, është zëri i qetë në kohë të stuhishme, është guximi për të mos urryer. Është trashëgimia e presidentit Ibrahim Rugova i cili na mësoi se liria fitohet edhe me mençuri edhe me durim edhe me dashur për njerëzit. LDK-ja nuk është thjeshtë një emër fletëvotimi, është histori e guximit qytetarë, është zëri i qetë që nuk u shua kurrë, është politikë e maturisë e dijes dhe e përgjegjësisë”, tha Selmanaj, që në zgjedhjet e 28 dhjetorit është në garë për t`u bërë deputet.

Sipas tij, data e zgjedhjeve është vendimi se çfarë Kosove duam.

“Izolim apo partneritet, kaos apo shtet, dështim apo shpresë. Prizreni e ka ditur gjithmonë përgjigjen e duhur dhe kësaj radhe përgjigja është Lidhja Demokratike e Kosovës edhe 123 (numri i LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit)”

Paraprakisht, kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku ka qëndruar në Dragash. Në këtë komunë, ai ka prezantuar në plan-programin për familjen. Në tubimin e mbajtur të hënën në këtë komunë, ai ka thënë se LDK-ja do të investojë te familja me politika të qëndrueshme shtetërore e jo me projekte të përkohshme.

“Dhe kur familja tronditet, tronditet i gjithë shteti”, ka thënë Abdixhiku.

Takimet elektorale në kuadër të fushatës zgjedhore, Lidhja Demokratike e Kosovës, i ka përmbyllur në Suharekë e Prishtinë.