Zgjedhjet 2025

Abdixhiku premton investime në energji të pastër e mbështetje financiare për çiftet e reja

Lumir Abdixhiku

Lumir Abdixhiku, kandidat i LDK-së për kryeministër në aktivitetin e mbajtur në Obiliq, ka thënë se qeverisjen e nisim nga familja. Ka premtuar se çdo fëmijë i porsalindur do të mbështetet me 200 euro në muaj për një vit të plotë. Për punëtorët e sektorit publik është zotuar për rritjen e të ardhurave, e për banorët e Fushë-Kosovës edhe për lehtësirat që u sjell atyre Unaza e Kryeqytetit

Investime serioze për energji të pastër dhe për mbrojtje reale të mjedisit në Obiliq ka premtuar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, që është edhe kandidat për kryeministër.

Në ditën e tretë të fushatës elektorale, ai para qytetarëve të Obiliqit është zotuar se do të ndërtojë central me gaz në rast se e merr drejtimin e qeverisë së ardhshme.

E për çiftet e reja, Abdixhiku premtoi mbështetje financiare për çdo fëmijë të porsalindur, si dhe për banim.

“Programi ynë parasheh investime serioze në energji të pastër, në modernizim të kapaciteteve ekzistuese dhe në mbrojtje reale të mjedisit. Parasheh ndërtimin e centralit me gaz dhe investime për pastërtinë e Obiliqit. Ne, po ashtu, qeverisjen e nisim nga familja. Çdo fëmijë i porsalindur do të mbështetet me 200 euro në muaj për një vit të plotë. Jo si lëmoshë, por si investim publik. Çiftet e reja do të kenë mbulim të interesit për banesën e parë, sepse jeta nuk duhet të nisë me ankth dhe borxh”, ka deklaruar Abdixhiku.

Premtime nga Obiliqi, Abdixhiku bëri edhe për fushat e ekonomisë dhe shëndetësi, ndërsa u zotua se do t’i rrisë pagat për secilën kategori të sektorit publik.

“Kemi paraparë edhe rritjen e pagave për të gjithë shërbyesit publikë. Të gjithë ata që punojnë në punë të shtetit, e qeverisë koeficienti do të bëhet 150 që në fillim, kjo do të thotë paga më të larta për secilën kategori. Kjo do të thotë që sonte u flasim mësuesve të Obiliqit, infermierëve të Obiliqit, mjekëve të Obiliqit, policisë së Obiliqit”, është shprehur ai.

Në Obiliq, Abdixhiku e kritikoi qeverisjen aktuale të Lëvizjes Vetëvendosje, e të cilën e akuzoi se e ka mbajtur vendin qëllimshëm në bllokadë institucionale për 10 muaj.

Krahas Obiliqit, Lidhja Demokratike e Kosovës pati aktivitete elektorale të premten edhe në Fushë-Kosovë dhe në Prishtinë.

Edhe në Fushë-Kosovë ai ka folur për ambientin, rendin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. “Infrastruktura nuk është vetëm asfalt, por cilësi jete, shëndet dhe perspektivë për familjet dhe të rinjtë. Në Fushë-Kosovë folëm edhe për Unazën e Kryeqytetit, si një projekt jetik që lehtëson qarkullimin, edhe në këtë komunë. Folëm për magjistralet dhe autostradat që duhet ta lidhin Kosovën më shpejt, më sigurt dhe më drejt, me një plan kombëtar infrastrukture që u shërben qytetarëve dhe bizneseve. Me qytetarët e Fushë-Kosovës ndamë zotime konkrete dhe vizion të qartë për katër vjetët e ardhshëm. Një vizion që e kthen planifikimin në vepra dhe premtimet në projekte reale”, ka thënë Abdixhiku.

Fushë-Kosova në garën e 28 dhjetorit përfaqësohet në listën e LDK-së me dy kandidatë -  Besnik Osmanin që humbi garën për kryetar në zgjedhjet lokale dhe Majlinda Shaqirin.

Lexo përditësimet tjera
Zgjedhjet

Dita e tretë e fushatës