Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore rreth aktiviteteve të partive politike në ditën e tretë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen më 28 dhjetor. Për premtimet kryesore që kanë dhënë kandidatët për kryeministër e për akuzat e tyre ndaj kundërkandidatëve. Teksti do të përditësohet gjatë ditës me zhvillimet kryesore
Hamza: PDK i uli tatimet në vitin 2009 dhe i rriti pagat, do ta bëjë edhe në vitin 2026
Premtimin për rritje të pagave prej 50 për qind e ka ritheksuar kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të kundërkandidatit nga Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili një ditë më parë i ka kontestuar premtimet elektorale të PDK-së për ulje të tatimeve dhe rritje të shpenzimeve, pagave dhe pensioneve.
Hamza ka thënë se programi i PDK-së bazohet në përvojë konkrete qeverisëse dhe në vendime që, sipas tij, kanë përmirësuar jetën e qytetarëve në të kaluarën.
“Në mungesë vizioni, guximi, vendimmarrje që vetë nuk i kanë ditë dhe nuk dinë me i ba, ata po konsiderojnë që këto nuk bahen dhe nuk munden me i bë të tjerët. E na edhe kena ditë edhe i kemi bë. Dhe po ju tregoj që po në janar 2009 ne i kemi ulë tatimet në fitimin e korporatave nga 20 në 10 për qind, si dhe tatimi në të ardhurat individuale nga 20 në 10 për qind për shkallën e lartë”, ka thënë Hamza
Hamza ka ironizuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Po të them të drejtën, nuk kanë as kualifikime, as përvojë profesionale e as institucionale. I pastë në qafë ai që i ka thanë, e ky pse i ka dëgjue, që ju ka thanë që kjo punë nuk bëhet, bëhet”, ka theksuar ai.
Gjatë ditës, Hamza, bashkë me kryetarin e Ferizajt që vjen nga radhët e PDK-së, Agim Aliu ka vizituar disa biznese në Komunën e Ferizajt, ku ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së sektorit privat si bazë e zhvillimit ekonomik.
Ai u ka shpërndarë qytetarëve fletushka me pesë zotimet kryesore për vitin 2026, përfshirë zhvillimin, punësimin, paga më të larta dhe mirëqenie për familjet.
“Qeveria ime do të jetë partnere e sektorit privat, sepse pa një sektor privat të fortë nuk ka zhvillim të shtetit. Ne do t’i mbështesim bizneset të rriten, të investojnë dhe t’i rrisin pagat për punëtorët... Bizneset kanë nevojë për mbështetje dhe politika të drejta, jo pengesa. Programi ynë parasheh tatim sipas fitimit real për qarkullim deri në 30 mijë euro dhe grante deri në 30% për rritje, zhvillim dhe investime të reja”, ka shkruar Hamza në “facebook”.
Hamza, ndërkaq, ka premtuar edhe rritje prej 50 për qind të pensioneve.
E, kandidati i PDK-së për deputet, Bashkim Gllareva, gjatë një debati në KTV, premtoi se do të rriten pagat në sektorin e shëndetësisë për 50 për qind.
“Kemi demotivim të skajshëm të punëtorëve shëndetësorë, humbje të dinjitetit, prandaj Partia Demokratike do t’ua kthejë dinjitetin punëtorëve shëndetësorë, duke ua rritur pagat, ofruar kushte dhe infrastrukturë të mirë, ndërtuar spitale të reja”, është shprehur Gllareva.
Kandidati i PDK-së ka folur edhe për problemet me prokurimin dhe me furnizimin me barna, e që sipas tij janë pasojë e keqmenaxhimit të Qeverisë së udhëhequr nga LVV-ja.
Gllareva në debat ka përmendur top-prioritetet e PDK-së në fushën e shëndetësisë.
“Do të jenë prioritet sigurimet shëndetësore, mbulimi 100% i barnave esenciale, ndërtimi i Qendrës Klinike Universitare të re ose ndërtimi i spitalit të Prishtinës, si dhe ndalja e rrjedhjes së trurit duke bërë politika të reja që parashohin dhënien e specializimeve, edukimin e stafit terciar dhe sekondar, si dhe mbështetja e nivelit primar shëndetësor”, ka theksuar ai.
Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, Gllareva ka përmendur edhe infermierët, për të cilët ka thënë se do të përfitojnë rritje të pagës dhe kushte më të mira të punës.
PDK-ja në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit ka dal partia e dytë me 20.95 për qind të votave, apo gjysmë më pak sesa partia fituese LVV-ja (42.30 për qind).
Kurti viziton bizneset – për njërën thotë se në mandatin e tij ka dyfishuar edhe punëtorët edhe qarkullimin
Me duartrokitje e brohoritje u prit në Vushtrri, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili synon mandatin e tretë të kryeministrit.
Fjalimin e tij e nisi me “më shumë siguri e më shumë begati e mos lëshoni pe”, e qytetarëve të Vushtrrisë u kërkoi votën për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kurti tha se pavarësisht sfidave me të cilat është përballur Qeveria, është arritur që ato të tejkalohen me sukses.
“Në mandatin tonë më shumë se dy vite gjatë qeverisjes, kemi pasur kriza të njëpasnjëshme dhe situata të jashtëzakonshme dhe as vetëm dy vite nuk i kishim kushtet normale dhe rezultatet ishin të jashtëzakonshme. Tash imagjinoni se çfarë mund të bëjmë me katër vjet pa kriza, me stabilitet dhe fokus në zhvillim. E kemi tejkaluar suksesshëm pandeminë, krizën energjetike, krizën e inflacionit, edhe sulmet e agresionet terroriste të Serbisë. Prandaj më 28 dhjetor votoni Vetëvendosjen”, ka thënë Kurti.
Qytetarëve të Vushtrrisë Kurti u ka premtuar se do të ketë vazhdim të rritjes ekonomike dhe pagave.
Në Fushë Kosovë, Kurti vizitoi një biznes privat me 30 të punësuar. Ai ka folur për përfitimet që sektori privat ka pasur viteve të fundit nga mbështetja financiare e qeverisë
“Produktet e tyre, që i gjejmë në tregun vendor dhe rajonal, janë të licensuara dhe certifikuara sipas standardeve evropiane. Mirënjohje për punën, sipërmarrjen dhe kontributin në ekonomi të bizneseve tona prodhuese, të cilat do ta kenë përsëri mbështetjen e qeverisë edhe në mandatin tonë të ardhshëm”, është zotuar Kurti.
E më herët gjatë ditës së premte ai ka qëndruar edhe tek një kompani e cila nga viti 2020 e deri më 2025 ka dyfishuar numrin e punëtorëve.
“Në vitin 2020 kompania e i kishte 131 të punësuar. Sot ajo i ka 264 punëtorë, rritje prej 100%. 26 milionë euro e kishin qarkullimin vjetor para pesë vitesh, e sot ajo arrin 63 milionë euro. Paga mesatare në kompani ka kapërcyer nga 460 në 737 euro. Kompani e ndan edhe pagën e 13-të, të cilën edhe ne si qeveri do ta ndajmë për sektorin publik në mandatin e ardhshëm, dhe atë qysh në fillim të vitit. Përkrahjen do të vazhdojmë ta rrisim për kompanitë dhe bizneset edhe në katërvjeçarin e ardhshëm, për të qëndruar pranë tyre në çdo hap dhe kontribuar në zhvillimin e tyre”, ka thënë Kurti.
E premtime, ai dha edhe për pensionistët e për të rinjtë.
“Rritja e pensioneve do të vazhdojë me rritjen ekonomike. Por për pensionistët do të bëjmë edhe një program të veçantë, gjyshet edhe gjyshërit të cilët do të kujdesen për nipat e për mbesat, prej moshës 1 – 3 vjeç do të marrin edhe 100euro shtesë mbi pensionin bazik kur punojnë të dy prindërit. Qëllimi ynë është që sa më shumë gra, e sa më shumë nëna të punojnë”.
E, kandidati për deputet nga kjo komunë, Sylejman Meholli, tha se Vushtrria është qyteti të cilit i shkon slogani për begati.
“Vushtrria është qyteti simbol i bujqësisë e prodhimtarisë prandaj sloganet tona mishërohen e bashkohen edhe me Vetëvendosjen, edhe me germën e Vushtrrisë, edhe me germën e Vetëvendosjes”, është shprehur Meholli.
Përveç Vushtrrisë, në ditën e tretë, Lëvizja Vetëvendosje fushatën e vazhdoi edhe në Obiliq e Fushë Kosovë.
Në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare, LVV-ja ka dalë fituese. Synon që këtë ta përsërisë edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Abdixhiku premton investime në energji të pastër e mbështetje financiare për çiftet e reja
Investime serioze për energji të pastër dhe për mbrojtje reale të mjedisit në Obiliq ka premtuar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, që është edhe kandidat për kryeministër.
Në ditën e tretë të fushatës elektorale, ai para qytetarëve të Obiliqit është zotuar se do të ndërtojë central me gaz në rast se e merr drejtimin e qeverisë së ardhshme.
E për çiftet e reja, Abdixhiku premtoi mbështetje financiare për çdo fëmijë të porsalindur, si dhe për banim.
“Programi ynë parasheh investime serioze në energji të pastër, në modernizim të kapaciteteve ekzistuese dhe në mbrojtje reale të mjedisit. Parasheh ndërtimin e centralit me gaz dhe investime për pastërtinë e Obiliqit. Ne, po ashtu, qeverisjen e nisim nga familja. Çdo fëmijë i porsalindur do të mbështetet me 200 euro në muaj për një vit të plotë. Jo si lëmoshë, por si investim publik. Çiftet e reja do të kenë mbulim të interesit për banesën e parë, sepse jeta nuk duhet të nisë me ankth dhe borxh”, ka deklaruar Abdixhiku.
Premtime nga Obiliqi, Abdixhiku bëri edhe për fushat e ekonomisë dhe shëndetësi, ndërsa u zotua se do t’i rrisë pagat për secilën kategori të sektorit publik.
“Kemi paraparë edhe rritjen e pagave për të gjithë shërbyesit publikë. Të gjithë ata që punojnë në punë të shtetit, e qeverisë koeficienti do të bëhet 150 që në fillim, kjo do të thotë paga më të larta për secilën kategori. Kjo do të thotë që sonte u flasim mësuesve të Obiliqit, infermierëve të Obiliqit, mjekëve të Obiliqit, policisë së Obiliqit”, është shprehur ai.
Në Obiliq, Abdixhiku e kritikoi qeverisjen aktuale të Lëvizjes Vetëvendosje, e të cilën e akuzoi se e ka mbajtur vendin qëllimshëm në bllokadë institucionale për 10 muaj.
Krahas Obiliqit, Lidhja Demokratike e Kosovës pati aktivitete elektorale të premten edhe në Fushë-Kosovë dhe në Prishtinë.
Edhe në Fushë-Kosovë ai ka folur për ambientin, rendin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. “Infrastruktura nuk është vetëm asfalt, por cilësi jete, shëndet dhe perspektivë për familjet dhe të rinjtë. Në Fushë-Kosovë folëm edhe për Unazën e Kryeqytetit, si një projekt jetik që lehtëson qarkullimin, edhe në këtë komunë. Folëm për magjistralet dhe autostradat që duhet ta lidhin Kosovën më shpejt, më sigurt dhe më drejt, me një plan kombëtar infrastrukture që u shërben qytetarëve dhe bizneseve. Me qytetarët e Fushë-Kosovës ndamë zotime konkrete dhe vizion të qartë për katër vjetët e ardhshëm. Një vizion që e kthen planifikimin në vepra dhe premtimet në projekte reale”, ka thënë Abdixhiku.
Fushë-Kosova në garën e 28 dhjetorit përfaqësohet në listën e LDK-së me dy kandidatë - Besnik Osmanin që humbi garën për kryetar në zgjedhjet lokale dhe Majlinda Shaqirin.
AAK-ja premton qeverisje që i shërben qytetarit dhe paga më të larta për mantelbardhët
Vendime të guximshme dhe qeverisje që i shërben qytetarit ka premtuar në Ferizaj kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Ramush Haradinaj.
Pas tubimit elektoral të mbajtur të premten në kuadër të ditës së tretë të fushatës, Haradinaj e ka quajtur Ferizajn motor të rëndësishëm të Kosovës moderne.
“Sot u pritëm nga shumë qytetarë që besojnë në këtë frymë dhe që shprehën gatishmërinë t’i qëndrojnë krah Aleancës, duke kontribuar aktivisht në ndërtimin e një shteti më të drejtë, më të fortë dhe më të zhvilluar. Kjo mbështetje tregon se Ferizaj kërkon politika të punës, vendime të guximshme dhe një qeverisje që i shërben qytetarit. Aleanca është krah Ferizajt, sepse Ferizaj është krah vizionit të ri për Kosovën!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ahmet Isufi, i cili është kandidat i AAK-së për deputet, ka bërë thirrje që të besohet në njerëzit që lënë gjurmë.
“Fjalët i merr era ndërsa veprat mbesin si dëshmi që ju i shihni e i prekni. Liria, pavarësia, ushtria dhe veprat infrastrukturore e ndërtimi i shtetit kanë ndodhur nga njerëz që e duan dhe punojnë për vendin”, ka shkruar Isufi në Facebook teksa ka numëruar edhe premtime për qeverisjen e AAK-së në katër vjetët e ardhshëm.
E kandidati tjetër i AAK-së për deputet, Arbër Tolaj, ka shpalosur programin e partisë për fushën e shëndetësisë. Ai, gjatë një debati në KTV, është zotuar për paga dhe kushte më të mira të punës për mjekë e infermierë.
“Është koha që mantelbardhi të vlerësohet në mënyrë institucionale, pra të vlerësohet nga shteti. Si bëhet kjo, duke i respektuar, duke pasur paga dhe kushte të dinjitetshme dhe më të mira për punë, që rrjedhimisht do të ketë menjëherë edhe rritje të pagave. E kemi kategorinë e infermierëve, të cilët nuk kanë përfituar nga një rritje që ka qenë e mëhershme, do të thotë ai është prioriteti i parë te mantelbardhët”, është zotuar ai.
Tolaj ka premtuar edhe jetësimin e sigurimeve shëndetësore, plani për implementimin e të cilave ai ka thënë se do të jetë i gatshëm për një afat kohor prej dy deri në katër vjet.
Në planet e AAK-së, Tolaj ka thënë se është edhe shqyrtimi i mundësisë së bashkëpunimit publiko-privat, me anë të të cilit ai është zotuar se do të sigurohen pako bazike për shërbimet që nuk do të mund të ofrohen në spitale publike.
Abdixhiku: Të flasim për programe, jo për ndarje e përçarje
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në fushatën për zgjedhjet e 28 dhjetorit duhet të flitet për programet zgjedhore e jo për çështje të ndarjes e përçarjes.
Në një video në Facebook, Abdixhiku ka njoftuar se vullnetarët e partisë do ta shpërndajnë programin me zotimet e LDK-së për Kosovën. Sipas tij, ky “është programi më i mirë që ka sot ndonjë parti”.
Abdixhiku ka premtuar rritje të pagave për të gjithë në sektorin publik, ka shtuar se programi i LDK-së është për punësim të të rinjve e për pensionistët. Ai ka premtuar ndërtimin e centralit të ri me gaz, stadiumit e spitalit të ri. Po ashtu, kryetari i LDK-së ka thënë se me të kryeministër “do të jetë kohë e projekteve të mëdha infrastrukturore”. Këtu ka përmendur unazën e kryeqytetit, autostradën e Gjilanit, rrugën për Pejë, për Podujevë, për Mitrovicë dhe për Gjakovë.
“Të flasim për programe, sa ma pak për fjalë, ndarje, e përçarje. Zgjidheni shpresën”, ka thënë ai.
Kurti: Do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë bizneseve
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati i kësaj partie për edhe një mandat si kryeministër, Albin Kurti, ka premtuar “vazhdim të qëndrimit pranë bizneseve”.
Gjatë ditës, Kurti ka njoftuar për vizitë në dy biznese të ndryshme duke thënë se ato kanë rritur prodhimin gjatë qeverisjes së tij.
“Përkrahjen do të vazhdojmë ta rrisim për kompanitë dhe bizneset edhe në katërvjeçarin e ardhshëm, për të qëndruar pranë tyre në çdo hap dhe kontribuar në zhvillimin e tyre”, ka shkruar Kurti.
Zgjedhjet parlamentare mbahen më 28 dhjetor.
Hamza: Pagat e sotme nuk mjaftojnë, do t’i rrisim 50 për qind për sektorin publik
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se i kupton qytetarët se pagat e sotme nuk mjaftojnë dhe si rrjedhojë ka premtuar që do t’i rrisë pagat në sektorin publik për 50 për qind, po që se bëhet kryeministër.
“Në qeverisjen time, do t’i rris pagat për 50 për qind për të gjithë punëtorët e sektorit publik”, ka deklaruar Hamza në një video të publikuar të premten në Facebook.
Ai ka theksuar se paga aktuale nuk po arrin të përballojë rritjen e kostos së jetesës dhe shtrenjtimin e çmimeve.
“E di që pagat që merrni sot nuk po ju mjaftojnë të përballoni shtrenjtimin e jetesës dhe rritjen e çmimeve”, ka thënë Hamza.
Sipas tij, kjo rritje do të përfshijë të gjithë të punësuarit që marrin paga nga shteti. “Kjo do të thotë paga më të larta për mjekët, mësimdhënësit, policët, ushtarët, punëtorët e administratës dhe të gjithë ata që marrin paga nga shteti”, ka theksuar Hamza. “Nëse sot merrni 800 euro, me mua Kryeministër, paga juaj do të jetë 1200 euro”.
Sipas Hamzës, “ky nuk është vetëm zotim parazgjedhor, por investim i domosdoshëm në ata që e mbajnë shtetin tonë gjallë çdo ditë”.