Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2019

Iniciativa Qytetare SDP e Ivanoviqit garon bashkë me Listën Serbe

Iniciativa Qytetare SDP (Serbia Demokracia Drejtësia) që kishte për lider Oliver Ivanoviqin e vrarë, ka njoftuar se në zgjedhjet e paralajmëruara të parakohshme në Kosovë do të dalë "bashkë me opsionet e tjera politike që do të jenë në listën "Srpska lista - Aleksandar Vuçiq", bën të ditur "Danas" i Beogradit, transmeton Koha.net.

Kjo Iniciativë në arsyetimin e vendimit të saj ka theksuar se "Serbëve në Kosovë e Metohi në këto momente u duhet më shumë se gjithçka uniteti dhe mbështetja e shtetit të Serbisë për hir të mbijetesës dhe mbrojtjes së interesave shtetërore e nacionale".

Marko Jakshiqi nga IQ SDD këtë veprim të Iniciativës Qytetare, të cilën e ka themeluar Oliver Ivanoviqi, e ka paralajmëruar përmes facebokut, duke theksuar se (po të vepronte ndryshe) do t'i vinte turp edhe nga njerëzit , edhe nga i ndjeri Ivanoviq.

Oliver Ivanoviq është vrarë para selisë së partisë së tij në Mitrovicë më 16 janar të vitit 2018, rikujton Koha.net.