Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Perëndimit i duhet një aleancë për energji dhe burime

Krahas fuqizimit të transicionit të gjelbër, lëndët e para kritike dhe burimet e energjisë mund të shndërrohen në një burim të paqes, bashkëpunimit dhe stabilitetit. Me anë të nxjerrjes së mësimeve nga tronditja e naftës e 1973-tës, mund të sigurojmë që historia të mos e përsërisë vetveten. Ky përfundim do të ishte një tjetër tragjedi, e jo një farsë, siç besonte Karl Marksi. Shmangia e tij është e mundur vetëm po qe se demokracitë e botës bashkohen për ta bërë atë që nevojitet për ta parandaluar shndërrimin e mëtutjeshëm në armë të të mirave thelbësore ekonomike

Thënia e vjetër që thotë se “historia nuk e përsërit vetveten, por shpesh rimon”, e përbën përshkrimin e duhur të marrëdhënies në zhvillim midis Perëndimit dhe rivalëve të tij. Gjatë Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik ishte një superfuqi globale, falë zotësisë së tij ushtarake. Sot forcat e armatosura të Rusisë duket se janë në gjendje të mjerueshme, porse vendi është shndërruar në një superfuqi energjetike që mund të përdorë rezervat e saj të shumta të gazit natyror si një armë. Po kështu, përplasja e sotme midis Perëndimit dhe Rusisë rreth Ukrainës i jep jehonë konfrontimit të kohës së Luftës së Ftohtë ndërmjet autoritarizmit dhe demokracisë.

Me afrimin e dimrit, mbyllja prej anës së Kremlinit e rrjedhës së gazit drejt Bashkimit Evropian mund të ketë pasoja të rënda, duke e nxitur krizën më të madhe energjetike në 50 vjet. Ndonëse rritja e dërgesave të gazit nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia do të ndihmojë në zbutjen e varësisë së BE-së nga furnizimet ruse për një afat të shkurtër, kjo nuk është një zgjidhje afatgjatë.

Shndërrimi në armë i burimeve të energjisë e nënvizon nevojën për një lloj të ri aleance midis demokracive të botës. Në Samitin e Sigurisë Energjetike të Detit Baltik në Danimarkë të mbajtur dy muaj më parë, Gjermania, Polonia, Lituania, Letonia, Estonia, Finlanda, Suedia dhe Komisioni Evropian ofruan një plan preliminar se si do të mund të duket koordinimi më i afërt energjetik. Të gjitha vendet pjesëmarrëse e nënshkruan një deklaratë, duke u zotuar që të rrisnin kapacitetin e tyre të kombinuar të energjisë së erës në det të hapur për pothuajse shtatëfish gjatë tetë vjetëve të ardhshëm. Deri në vitin 2030, fermat e erës në det të hapur vetëm në rajonin e Detit Baltik duhet të jenë në gjendje që të prodhojnë 19.6 gigavat për vit, sasi kjo e mjaftueshme për të përmbushur kërkesat për energji elektrike të 28.5 milionë amvisërive evropiane (një ekuivalent i përafërt me numrin e kombinuar të amvisërive në të gjitha vendet e Detit Baltik, përjashtuar Gjermaninë dhe Rusinë).

Samiti ishte një hap historik politik, i cili demonstroi se gjeopolitika e energjisë është në shtegun e një ndryshimi të madh. Gjatë dekadës së fundit kostot e energjisë së erës dhe të diellit kanë rënë nën atë të karburanteve fosile në shumicën e vendeve. Rritja e shpejtë e energjisë së rinovueshme do të ketë dy pasoja të thella. Si e para, aftësia e vendeve eksportuese të karburanteve për të përdorur resurset energjetike si armë do të dobësohet. E dyta, teksa rëndësia gjeopolitike e burimeve të karburantit po zvogëlohet, pesha e lëndëve të para kritike, siç janë elementët e tokës së rrallë, mineralet dhe metalet, do të rritet.

Gjatë dy dekadave të fundit Kina e ka siguruar dominimin global mbi ekstraktimin dhe përpunimin e mineraleve dhe metaleve. Sot Kina mih 58 për qind dhe përpunon 85 për qind të elementëve globalë të tokës së rrallë, në atë që ia ofron kontrollin mbi pjesët kyç të zinxhirëve të furnizimit të nevojshëm për ndërtimin e turbinave me erë, paneleve diellore dhe automjeteve elektrike. Për ta vendosur këtë pozitë në perspektivë, hisja e Arabisë Saudite në prodhimin global të naftës qëndron në mezi 11 për qind.

Dominimi i Kinës është një shqetësim në vetvete; por për t'i bërë gjërat edhe më keq, ajo e ka një historik të shndërrimit në armë të burimeve të saj. Në vitin 2010, pasi një barkë peshkimi kineze u përplas me një anije të rojës bregdetare japoneze në ujërat përreth ishujve të kontestueshëm Senkaku, Kina i ndaloi eksportet e saj të elementeve të tokës së rrallë në Japoni. Në kundërpërgjigje, Japonia ndërmori hapa për të reduktuar varësinë e saj nga Kina, me anë të të punuarit me kompanitë minierash për gjetjen e burime të reja të të njëjtave materiale, si dhe duke ndërtuar kapacitete të brendshme të rafinimit.

Evropa, SHBA-ja dhe demokracitë e tjera duhet të nxjerrin mësime nga incidenti i 2010-s në Ishujt Senkaku dhe ta fillojnë ndërtimin e aleancave të reja për sigurimin e furnizimit me energji dhe me lëndë të para kritike. Ne tashmë e dimë se aleanca të këtilla të orientuara kah misioni funksionojnë: NATO-ja ka qenë një mburojë efektive e demokracisë, e tregtisë së lirë dhe e sigurisë për shumë dekada; dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë – e krijuar nga vendet anëtare të OECD-së pas tronditjes së naftës të vitit 1973 – ka ofruar një mburojë të fuqishme kundër shndërrimit në armë të naftës nga OPEC-u.

Një aleancë e re e energjisë dhe e lëndëve të para mund të fillojë duke i përfshirë Japoninë, Australinë, Zelandën e Re, Korenë e Jugut dhe ato demokraci të Amerikës Latine që e mbështesin rendin global të bazuar në rregulla. Bazuar në modelin e IEA-së, ajo do të zhvillonte një kapacitet të përbashkët analitik për të prodhuar parashikime të rregullta mbi furnizimet dhe kërkesën e lëndëve të para kritike. Dhe po ashtu siç anëtaret e IEA-së i mbajnë rezerva urgjente të naftës, të barasvlefshme me të paktën 90 ditë të importit neto të naftës, anëtaret e aleancës së re do të mbanin rezerva të lëndëve të para të rëndësisë strategjike.

Aleanca do të vendoste po ashtu standarde mbi cilësinë e lëndëve të para kritike të rafinuara dhe për praktikat e qëndrueshme etike të mihjes. Standarde të këtilla përbëjnë mënyrën më efektive për reformimin e ekstraktimit të burimeve në vendet në zhvillim, ku operacionet rëndom dëmtohen nga degradimi mjedisor dhe kushtet çnjerëzore të punës.

Përfundimisht, anëtaret e Aleancës do të këmbëngulin për një sistem tregtar ndërkombëtar të bazuar në treg për lëndët e para kritike nëpërmjet G7-s, G20-s dhe në Organizatën Botërore të Tregtisë. Ata do të koordinonin dhe do të promovonin kërkime që e synojnë diversifikimin e kërkesës për minerale. Dhe do të krijonin partneritete të reja publiko-private për ndërtimin e një tubacion për projektet e ardhshme të ekstraktimit dhe rafinimit.

Krahas fuqizimit të transicionit të gjelbër, lëndët e para kritike dhe burimet e energjisë mund të shndërrohen në një burim të paqes, bashkëpunimit dhe stabilitetit. Me anë të nxjerrjes së mësimeve nga tronditja e naftës e 1973-s, mund të sigurojmë që historia të mos e përsëris vetveten. Ky përfundim do të ishte një tjetër tragjedi, e jo një farsë, siç besonte Karl Marksi. Shmangia e tij është e mundur vetëm po qe se demokracitë e botës bashkohen për ta bërë atë që nevojitet për ta parandaluar shndërrimin e mëtutjeshëm në armë të të mirave thelbësore ekonomike.

(Morten Svendstorp është këshilltar strategjik i ministrit danez për Klimë, Energji dhe Shërbime Komunale, si dhe ligjërues jorezident në Universitetin George Washington. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).

Artikuj të ngjashëm