OpEd

Si mund ta mbrojnë Evropën vendet e Baltikut nga arma energjetike e Rusisë

Gjeopolitika e energjisë po ndryshon para syve tanë. Pushtimi rus i Ukrainës shkaktoi tronditje gjeopolitike në Bruksel, në çdo kryeqytet tjetër evropian dhe në Uashington. Dhe teksa energjia është përdorur si armë kundër Evropës shumë herë më parë, kostot në rënie të burimeve të rinovueshme dhe gazit të lëngshëm natyror, si dhe ardhja e ekonomisë së hidrogjenit, mund të përdoren si mburojë për të na mbrojtur

Përdorimi i energjisë nga Rusia si armë politike dhe ekonomike i ka vendosur vendet përreth Detit Baltik në front të krizës ndërkombëtare të energjisë. Por duke forcuar sigurinë energjetike, duke hequr gradualisht karburantet fosile të Rusisë dhe duke rritur kapacitetin tonë të energjisë së erës në det të hapur shtatë fish më shumë në vetëm tetë vjet, vendet e rajonit do të luajnë rol kyç në mbrojtjen e Evropës nga arma energjetike e Rusisë.

Për këtë qëllim, Samiti i Sigurisë Energjetike të Detit Baltik, i mbajtur në Danimarkë këtë javë, bëri bashkë presidentin e Komisionit Evropian, Komisionerin e BE-së për Energjinë, kryeministrat, presidentët dhe ministrat e Energjisë nga Gjermania, Polonia, Lituania, Letonia, Estonia, Finlanda, Suedia dhe Danimarka.

Për shekuj me radhë, Deti Baltik ka qenë skena e konflikteve dhe rivalitetit ndërkombëtar. Sot, megjithatë, tetë vendet tona janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe tani ne po e rrisim ndjeshëm bashkëpunimin energjetik.

Pushtimi rus i Ukrainës ishte sa tronditës aq edhe i pajustifikuar, dhe përdorimi i mëvonshëm i gazit nga Rusia si armë politike dhe ekonomike ka nxjerrë në pah nevojën që Evropa të bëhet e pavarur nga importet ruse të energjisë. Duke ndaluar eksportet e gazit natyror në shkelje flagrante të marrëveshjeve ekzistuese, Rusia po përpiqet ta shtyjë BE-në në prag të krizës energjetike dhe të na bëjë presion që të mos e ndihmojmë Ukrainën.

Mst: A do të funksionojë strategjia e Rusisë?

Ne kemi forcuar ndjeshëm bashkëpunimin për çështjet e energjisë gjatë dekadës së fundit. Plani i ndërlidhjes së tregut të energjisë baltike (BEMIP) ka qenë bllok i rëndësishëm ndërtimi në këtë arkitekturë që nga viti 2008. Por kjo javë shënoi fillimin e epokës së re për sistemet tona energjetike, pasi tetë vendet tona dhe Bashkimi Evropian u bashkuan dhe nënshkruan “Deklaratën e Marienborgut”. Kjo marrëveshje synon katër gjëra.

Së pari, ne do të përshpejtojmë largimin e energjisë ruse. Për të hequr dorë nga karburantet fosile ruse, ne për shembull do të përshpejtojmë elektrifikimin e sistemeve tona energjetike, do të diversifikojmë furnizimin tonë me energji dhe gradualisht do të dekarbonizojmë rrjetet tona të gazit.

Së dyti, kemi vendosur vizion për të rritur kapacitetin tonë të energjisë së erës në det të hapur me pothuajse shtatë fish më shumë gjatë tetë vjetëve të ardhshëm. Duke zgjeruar kapacitetin aktual prej 2.8 GW në të paktën 19.6 GW, ne mund të jemi në gjendje të furnizojmë me energji deri në 28.5 milionë shtëpi. Për ta vendosur këtë numër në perspektivë, është afërsisht i barabartë me numrin total të familjeve në Poloni, Lituani, Letoni, Estoni, Finlandë, Suedi dhe Danimarkë.

Së treti, në afat të shkurtër, energjia ruse do të duhet të zëvendësohet me rritjen e importeve të gazit natyror të lëngshëm në disa nga vendet tona. Për shkak se gazi i lëngshëm natyror transportohet nga deti, ne duhet të përmirësojmë koordinimin për të menaxhuar tregtinë detare në rritje rreth Detit Baltik. Këtu përfshihet bashkëpunimi për ndërtimin e infrastrukturës, si portet dhe terminalet për gazin e lëngshëm natyror.

Së fundi, ne do të eksplorojmë projekte të përbashkëta ndërkufitare të energjisë së rinovueshme dhe do të identifikojmë nevojat e infrastrukturës për të mundësuar integrimin e energjisë së rinovueshme të nevojshme për të garantuar sigurinë e furnizimit dhe energjinë e përballueshme në shtëpitë dhe bizneset tona, duke respektuar prioritetet e politikave kombëtare të energjisë dhe zgjedhjet e energjisë.

Në nivel global, sektori i energjisë ka pësuar transicion dramatik, por shpesh të anashkaluar gjatë dekadës së fundit. Për shembull, çmimi mesatar global i energjisë së erës në det të hapur ka rënë me 60% që nga viti 2010, dhe sot ajo mund të sigurojë energji më të lirë se shumica e burimeve të karburanteve fosile. Për më tepër, rritja në kapacitetin vendës të prodhimit të energjisë do të na lejojë të prodhojmë hidrogjen të gjelbër që gradualisht mund të përdoret si alternativë ndaj gazit rus.

Gjeopolitika e energjisë po ndryshon para syve tanë. Pushtimi rus i Ukrainës shkaktoi tronditje gjeopolitike në Bruksel, çdo kryeqytet tjetër evropian dhe Uashington. Dhe teksa energjia është përdorur si armë kundër Evropës shumë herë më parë, kostot në rënie të burimeve të rinovueshme dhe gazit të lëngshëm natyror, si dhe ardhja e ekonomisë së hidrogjenit, mund të përdoren si mburojë për të na mbrojtur. Në këtë moment vendimtar ne kemi mundësi unike për të hequr gradualisht varësinë tonë historike nga energjia ruse dhe për të marrë pronësinë e së ardhmes sonë energjetike. Duke e bërë këtë, ne mund t'i tregojmë botës se energjia nuk duhet të përdoret kurrë si mjet shtypjeje, por si burim bashkëpunimi dhe prosperiteti.

Ky koment është nënshkruar nga: Khashayar Farmanbar, ministër i Suedisë për Energjinë dhe Zhvillimin Digjital; Riina Sikkut, ministre e Çështjeve Ekonomike dhe Infrastrukturës së Estonisë; Anna Moskwa, ministre e Klimës dhe Mjedisit e Polonisë; Ilze Indriksone, ministre e Ekonomisë e Letonisë; Mika Lintilä, ministre e Çështjeve Ekonomike të Finlandës; dhe Dainius Kreivys, ministër i Energjisë së Lituanisë.

(Robert Habeck është ministër i Gjermanisë për Çështjet Ekonomike dhe Mbrojtjen e Klimës. Kadri Simson është Komisionere e BE-së për Energjinë. Dan Jørgensen është ministër i Danimarkës për Klimën, Energjinë dhe Shërbimet Komunale. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)