Kulturë

“Lightscapes” luan me dritë e tinguj deri tek ana e errët e shqiptarit

“Lightscapes” luan me dritë e tinguj deri tek ana e errët e shqiptarit

Në skenën e vogël, të rrethuar nga drita shumëngjyrëshe dhe elemente të thjeshta dekorative, Liburn Jupolli ka ndenjur i përqendruar përballë sintezatorit të tij, duke ndërtuar një rrjedhë tingujsh që sfidojnë format tradicionale muzikore

E qartë, muzika e Liburn Jupollit është krejt unike, emri i tij do të mund të ishte emri i zhanrit e secila dalje në publik është shpalosje e kapitullit të radhës nga laboratori i tij muzikor. Koncerti “Lightscapes” ka qenë po në këtë frymë: një udhëtim në një peizazh të përbërë nga valë tingujsh, përsëritje minimale, ndërhyrje të papritura dhe tekstura që ndryshojnë gradualisht përmes kontrollit të artistit mbi teknologjinë. Në një nga pjesët përmbyllëse ka sjellë një version krejtësisht të pazakonshëm të melodisë së himnit të flamurit kombëtar shqiptar. “Shqiptarin, të cilin të gjithë e kemi brenda por nuk e manifestojmë kurrë, e ky është një kontrahimn yni, i cili e qet në pah anën e errët tonën dhe po ashtu anën tragjikomike”, ka thënë Jupolli

Muzika e tij është një lloj universi i pashtershëm. Secila dalje në skenë, një kapitull i ri që duket sikur del nga laboratori muzikor i Liburn Jupollit. I radhës, ai në të cilin përmes një performance solo me sintezator dhe elektronikë live, ka sjellë koncertin “Lightscapes”, ku ka ndërthurur tinguj të pazakonshëm me struktura të ndërtuara dhe të zhbëra në kohë reale. Në “Lavjerr’s Culture Cafe” në Prishtinë, të mërkurën mbrëma, në një ambient të vogël e të përmbajtur, ku publiku kishte ardhur për të dëgjuar e jo veç për t’u dukur, Jupolli ka interpretuar vepra që i ka shkruar gjatë vitit të fundit. Kjo nuk është hera e parë që ai e bën këtë eksperimentim, të gjitha veprat e tij janë të këtij lloji.

Në skenën e vogël, të rrethuar nga drita shumëngjyrëshe dhe elemente të thjeshta dekorative, Liburn Jupolli ka ndenjur i përqendruar përballë sintezatorit të tij, duke ndërtuar një rrjedhë tingujsh që sfidojnë format tradicionale muzikore. Nuk ka qenë një koncert me ndarje të qarta mes pjesëve apo me momente të qarta kulmore. Ka qenë më shumë një udhëtim në një peizazh të përbërë nga valë tingujsh, përsëritje minimale, ndërhyrje të papritura dhe tekstura që ndryshonin gradualisht përmes kontrollit të artistit mbi teknologjinë.

Performanca është zhvilluar në një atmosferë intime dhe të heshtur, ku çdo tingull duket se ka hapësirën e vet për të marrë formë. Publiku, ndonëse i paktë në numër, ka qenë i vëmendshëm. Nuk ndërhyn, nuk lëviz, por thjesht dëgjon. Ky përqendrim i rrallë në skenën muzikore vendore e ka bërë mbrëmjen të ngjajë më shumë me një seancë dëgjimi sesa me një koncert në kuptimin klasik të fjalës.

Dhe kjo përputhej plotësisht me natyrën e veprave të interpretuara: të menduara për të sfiduar dëgjimin, me thirrjen për ta përjetuar dritën me anë të tingujve e jo për t’u kënaqur menjëherë.

Jupolli është kompozitor e inovator i muzikës, themelues i ansamblit “Liburn Jupolli”, i cili si një grupim muzikor post stilistik, i sfidon kufijtë e zhanreve dhe bashkon muzikantë nga skena të ndryshme si jazz, metal, elektronikë, folklor ballkanik, klasik bashkëkohor dhe pop eksperimental. Shërben si laborator tingullor, duke përdorur instrumente tradicionale, të shpikura dhe teknologji digjitale për të krijuar një gjuhë të re muzikore. Muajin e kaluar, në kuadër të festivalit “FemArt”, ansambli “Liburn Jupolli” kishte sjellë premierën e performancës “Tales of Scapes”, një shfaqje zanore dhe skenike që ka sfiduar po ashtu format tradicionale të koncertit.

Performanca e së mërkurës ka nisur me ritme të ngadalta, por që shkonin duke u përshpejtuar, fraza të krijuara me Inteligjencë Artificiale në anglisht, shqip e gjuhë të tjera. Mes tyre frazat “Përshëndetje, si je? Si është byreku dhe ku fle kur ha?”  janë përsëritur dhjetëra herë, në gjuhë të ndryshme, kombinuar me tingujt e sintit që krijoheshin me lëvizjet e shpejta të gishtave të Jupollit, i cili në harmoni me ritmet e tyre, lëvizte kokën e kraharorin pa ndalur.

Fraza të tjera që dallojnë dukshëm prej melodive që krijohen, e prapëseprapë përshtaten në njëfarë mënyre me to, japin një ndjesi drithëruese, një frikë prej atyre që ngjajnë me ulërima, e ndonëse frazat qartë thonë fjalë të zakonshme, zëri i çjerrë i inteligjencës artificiale u jep një tjetër dimension.

Edhe pas përfundimit të performancës, Jupolli i ka qëndruar besnik eksperimentit. Kur ka ardhur puna për të komunikuar me fjalë, ai ka zgjedhur një mënyrë të pazakontë: i ka shkruar përgjigjet në “Google Translate”, në shqip, dhe e ka shtypur butonin për t’i dëgjuar me zë.

“Këto vepra i kam shkruar qe një vit dhe janë pjesë e një albumi me vepra solo me sintezator. Janë të përgatitura me kujdes dhe të shkruara e incizuara në mënyrë elektro-akustike me elemente që interpretohen live”, ka deklaruar Jupolli përmes zërit artificial, për veprat që janë nga albumi debutues i ansamblit, i cili do të publikohet pas pak muajsh.

Ato janë fjalë robotike, të çjerra e monotone, siç është zëri aktual i platformës për gjuhën shqipe. Njëjtë si me këtë, Jupolli eksperimenton me zhanret e me stilet e muzikës, në një industri që më shumë preferon format e sigurta të muzikës. A është kjo një lëvizje e rrezikshme drejt ndërtimit të karrierës së një artisti?

Performanca është zhvilluar në një atmosferë intime dhe të heshtur, ku çdo tingull duket se ka hapësirën e vet për të marrë formë. Publiku, ndonëse i paktë në numër, ka qenë i vëmendshëm. Nuk ndërhyn, nuk lëviz, por thjesht dëgjon

“Rreziku është thelbi i jetës”, ka thënë Jupolli në lidhje me këtë.

Në një nga pjesët përmbyllëse të performancës, mes valëve të ndërthurura të sintezës dhe elektronikës eksperimentale, Jupolli ka sjellë një version krejtësisht të pazakonshëm të melodisë së himnit të flamurit kombëtar shqiptar. E njohura është shfaqur si e panjohur, e transformuar nga tinguj të çuditshëm e me rezonanca të zgjatura.

“Ajo pjesë, të cilën e keni dëgjuar se tingëllon si himni i flamurit është një version i himnit kombëtar shqiptar në tonalitet modern, menduar si alternativë në një botë paralele. Shqiptarin, të cilin të gjithë e kemi brenda por nuk e manifestojmë kurrë, e ky është një kontrahimn yni, i cili e qet në pah anën e errët tonën dhe po ashtu anën tragjikomike”, ka shtuar Jupolli.

Nora Sahatçiu, bashkëpronare në “Lavjerr’s Culture Cafe”, që e ka përcjellë koncertin deri në fund, ka thënë se ideja për të ftuar Liburnin ishte një vendim që i përshtatej qasjes hibride të hapësirës që ajo menaxhon.

“Me Liburnin njihemi një kohë të gjatë dhe duke e marrë parasysh që e kemi një ambient të këtillë, siç po e shihni, një ambient hibrid, i cili i ngërthen disa aktivitete, disa hapësira, të cilat e mundësojnë një platformë pak më alternative për artistët e Prishtinës, një prej sendeve racionale të cilat ne i kemi menduar është të ofrojmë edhe një hapësirë për muzikën alternative që Liburni na e ofron, për talentin e tij dhe të mundemi pakëz ta ekspozojmë audiencën tonë në kësi lloji të muzikës, kështu që ideja për këtë ka ardhur në mënyrë shumë spontane, por gjithashtu si pjesë e planit afatgjatë të ‘Lavjerrësit’”, ka thënë Sahatçiu për KOHËN pas përfundimit të koncertit.

Ajo e ka përshkruar mbrëmjen si një përvojë eksperimentale që kërkon njohuri të thellë për t’u çmuar siç duhet. 

“Ishte eksperimentale, ishte shumë interesante dhe duhet me pasë një njohuri mjaft të thellë të muzikës, për me ditë me çmu dhe me e vlerësu. Definitivisht Liburni investon shumë në muzikën e tij dhe ky kreativitet na bën të gjithëve me lypë pak më shumë, kështu që mënyra me të cilën Liburni e shpreh atë talentin e tij artistik është diçka që duhet të gjithë me mësu prej asaj, edhe nëse nuk është e kapshme për të gjithë, është një pjesë e edukimit të popullatës sonë dhe sidomos e të rinjve në Kosovë”, ka thënë Sahatçiu, për të cilën prania e këtij lloji të muzikës në skenën lokale nuk është vetëm argëtim, por edhe një ftesë për të menduar më thellë dhe për t’i sfiduar shijet e zakonshme.

Nga audienca, një prej të pranishmeve, studentja Fiona Gashi, ka treguar se kishte ardhur me kureshtje, ndonëse shumë pak e kishte njohur më parë muzikën e Jupollit.

“Shumë mirë, është diçka shumë unike edhe që jo çdoherë e ke rastin ta dëgjosh, edhe më pëlqeu shumë, atmosfera ishte shumë e mirë, performanca ishte shumë e mirë dhe kënaqësi me qenë këtu. Kam qenë edhe javën e kaluar, ka qenë si jazz-night, ka qenë shumë e mirë edhe ajo dhe është shumë interesant verës edhe me pasë një performancë, me pasë diçka pak më ndryshe se zakonisht”, ka thënë Fiona Gashi.

Në skenën muzikore ku shpesh dominojnë e njohura dhe e sigurta, kjo performancë e Liburn Jupollit dhe të gjitha veprat e tij vijnë si një sfidë ndaj rehatisë estetike, një thirrje për të dëgjuar me vëmendje, për të duruar të panjohurën dhe për të menduar përtej strukturave të zakonshme muzikore. Me një qasje që nuk synon vetëm argëtimin, por edhe trazimin e perceptimeve tona mbi tingullin dhe identitetin, Jupolli përveçqë eksperimenton me muzikën, eksperimenton edhe me mënyrën se si publiku e përjeton dhe e kupton artin sot.


Lexo edhe