Sot dinamika globale po ndryshon me shpejtësi, jo vetëm përmes revolucionit digjital dhe inteligjencës artificiale, por edhe përmes ngritjes së një boshti të ri të shteteve autoritare – një aleance strategjike mes Rusisë, Kinës dhe Iranit. Kjo aleancë, e ushqyer nga armiqësia e përbashkët kundër dominimit perëndimor, veçanërisht kundër SHBA-së, synon të rimodelojë rendin global
Përfundimi i Luftës së Ftohtë ushqeu iluzionin se bota, e veçanërisht Evropa, kishin gjetur paqen e përhershme. Shpërbërja e Jugosllavisë dhe katër luftërat e nisura dhe të humbura nga Serbia u perceptuan si shkundjet e fundit drejt asaj që politologu i shumëcituar Francis Fukuyama e quajti "Fundi i Historisë". Perëndimi, deri në agersionin rus kundër Ukrainës më 2022, nënvlerësoi prapaskenat gjeopolitike dhe ushtarake të luftërave kundër Çeçenisë, Gjeorgjisë, dhe aneksimin e Krimesë, duke i parë si lëvizje të lokalizuara dhe Rusinë si të paaftë për të zhvilluar luftëra në shkallë të gjerë. Një nënvlerësim i ngjashëm u bë edhe për rritjen e Kinës, me shpresën se motoja kineze e "rritjes paqësore" nuk do të shndërrohej në një ambicie për dominim global. Shpresat u bazuan në parimin e "ndryshimit përmes tregtisë", duke menduar se interesi tregtar do të nxiste bashkëpunimin dhe jo përplasjen.
Sot dinamika globale po ndryshon me shpejtësi, jo vetëm përmes revolucionit digjital dhe inteligjencës artificiale, por edhe përmes ngritjes së një boshti të ri të shteteve autoritare – një aleance strategjike mes Rusisë, Kinës dhe Iranit. Kjo aleancë, e ushqyer nga armiqësia e përbashkët kundër dominimit perëndimor, veçanërisht kundër SHBA-së, synon të rimodelojë rendin global. Ajo përbën një sfidë për periudhën e stabilitetit relativ që ka mbizotëruar botën nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, falë dominimit të SHBA-së, e njohur si “Pax Americana”. Në vend të saj, ky bosht trepalësh po përpiqet të vendosë një rend të ri botëror, të cilin unë do ta pagëzoja me emrin “Pax Orientalis”. Ky zhvillim do të sjellë pasoja të rëndësishme për marrëdhëniet ndërkombëtare, ekonominë botërore dhe stabilitetin edhe në Evropën Juglindore (EJL).
Bazat e “Pax Orientalis”
Partneriteti midis Rusisë, Kinës dhe Iranit nuk është një aleancë tradicionale, por një përafrim interesash që promovon autokracinë në vend të demokracisë. Synimi kryesor është sfidimi i dominancës ekonomike, politike dhe ushtarake perëndimore dhe ndryshimi i normave ekzistuese globale drejt një bote multipolare.
Rusia, nën petkun e frikës nga zgjerimi i NATO-s dhe BE-së drejt lindjes, e sheh këtë aleancë si një mjet për të rimarrë statusin e saj si fuqi botërore. Në vitin 2008, në shkrimin “Po vijnë rusët,” kam paralajmëruar se synimi i Rusisë është kthimi në një botë bipolare, bazuar në dy elemente kryesore: eksponentët e KGB-së që me ardhjen e Putinit u vendosën në pikat kyç të pushtetit rus, duke rikthyer metodat jodemokratike dhe represive të mbajtjes së pushtetit, dhe burimet e saj të mëdha energjetike, të cilat Moska i përdor si armë politike dhe si mjet për të financuar rritjen ushtarake.
Ndërkohë, Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, dhe Irani, një fuqi energjetike me përvojë të gjatë në shmangien e sanksioneve, ofrojnë mbështetje thelbësore për Moskën në përballjen e saj me Perëndimin. Irani është bërë një aktor kryesor destabilizues në Lindjen e Mesme, jo vetëm përmes programit të tij bërthamor, por edhe përmes ndërhyrjeve në konfliktet rajonale dhe kundërshtimit të hapur ndaj gjeopolitikës perëndimore. Kina, nga ana tjetër, vazhdon të zgjerojë ndikimin e saj përmes nismës "Një brez, një rrugë" (BRI), duke synuar të lidhet më fuqishëm me Azinë, Evropën dhe Afrikën përmes investimeve masive në infrastrukturë dhe në fusha të tjera të ekonomisë.
Një rend i ri botëror?
Thelbi i “Pax Orientalis” qëndron në kundërshtimin e strukturave globale të dominuara nga Perëndimi, të cilat kanë mbështetur “Pax Americana” për dekada të tëra. Udhëheqësit e Rusisë, Kinës dhe Iranit po sfidojnë hapur parimet e së drejtës ndërkombëtare të përfshira në Kartën e OKB-së dhe në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, të cilat u vendosën pas Luftës së Dytë Botërore. Ata argumentojnë se këto parime reflektojnë një koncept të imponuar nga Perëndimi për të drejtat e njeriut dhe demokracinë, që minon sovranitetin dhe cenon zonat e tyre historike të ndikimit.
Strategjia e kësaj aleance trepalëshe përfshin ndërtimin e një bote të ashtuquajtur "të qëndrueshme dhe të drejtë" përmes krijimit të sistemeve ekonomike dhe gjeopolitike paralele që janë të pavarura nga kontrolli perëndimor. Një shembull është krijimi i Sistemit Ndërkombëtar të Pagesave të Kinës (CIPS) për të sfiduar dominimin e Swiftit të kontrolluar nga Perëndimi. Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (SCO) dhe zgjerimi i fundit i BRICS janë përpjekje të tjera që synojnë të krijojnë një bllok të ri ekonomik që përfaqëson gati gjysmën e popullsisë së botës dhe një të tretën e prodhimit të saj ekonomik. Shtytja për "dedollarizim", duke promovuar tregtinë në valutat vendase, synon të dobësojë ndikimin financiar të Perëndimit dhe të reduktojë efektivitetin e sanksioneve në rrugën e tyre ekspansioniste.
Lufta hibride dhe beteja e informacionit
“Pax Orientalis” përdor gjithashtu taktikat e luftës hibride, duke përfshirë sulmet kibernetike, fushatat e dezinformimit, propagandën dhe korrupsionin. Mediat e kontrolluara nga shteti, trollët dhe botët online përdoren për të përhapur narrative që minojnë besimin te institucionet perëndimore, veçanërisht në BE, dhe nxisin përçarje të brendshme. Qëllimi është të dobësohet uniteti perëndimor nga brenda, duke nxitur ekstremizmin e djathtë dhe të majtë, për të zvogëluar aftësinë e Perëndimit të ruajë dhe projektojë ndikimin e tij global.
Implikimet në EJL
Rajoni i Evropës Juglindore, që historikisht ka shërbyer si një pikëtakim strategjik midis Lindjes dhe Perëndimit, është veçanërisht i ekspozuar ndaj përplasjeve gjeopolitike mes “Pax Orientalis” dhe “Pax Americana”. Për Rusinë, EJL përfaqëson një "zonë historike të ndikimit legjitim" dhe një vijë të parë kundër zgjerimit të NATO-s dhe BE-së. Ndërkohë që Moska vazhdon të përdorë lidhjet e saj politike dhe fetare me Serbinë për të rritur ndikimin e saj, prania ekonomike në rritje e Kinës përmes investimeve të BRI-së dhe eksportit të teknologjisë dhe armëve, si dhe zgjerimi i marrëdhënieve diplomatike të Iranit, shtojnë kompleksitetin e dinamikave në rajon.
“Pax Orientalis” nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe trimëron projektin e “botës serbe”, ndërkohë që investimet kineze, burimet energjetike ruse dhe lidhjet me Iranin mund ta tërheqin Serbinë edhe më afër orbitës së këtij boshti. Serbia, njëkohësisht, po përfiton nga përpjekjet e të dyja palëve – “Pax Orientalis” dhe “Pax Americana”– për ta afruar atë në orbitën e tyre përmes ndihmave ekonomike, zhvillimore, ushtarake dhe investimeve. Megjithatë, lidhjet e forta historike të Serbisë veçanërisht me Rusinë flasin për një prirje të natyrshme të Serbisë drejt “Pax Orientalis”. Ky orientim serb nuk po kuptohet qartë nga Perëndimi, ashtu siç u keqkuptuan edhe Kina e Rusia, që mendohej se mund të integroheshin në sistemin ndërkombëtar perëndimor përmes bashkëpunimit tregtar dhe diplomatik.
Ndërsa Rusia, Kina dhe Irani konsolidojnë "Trekëndëshin e Hekurt" të ndikimit nën flamurin e “Pax Orientalis”, ato paraqesin një sfidë të fortë ndaj vizionit perëndimor për një rend ndërkombëtar liberal, të bazuar në parimet iluministe të lirisë, barazisë, vëllazërisë, laicitetit e solidaritetit. Për shtetin e Kosovës, i cili ende sfidohet në të drejtën e tij për ekzistencë edhe nga disa vende të BE-së dhe i cili paradoksalisht ndodhet nën trysninë e “Pax Americana”, ky riorganizim i ri global është njëkohësisht sfidë dhe mundësi. Kosova, nuk ka alternativë, pasi lidhja e saj e vetme e natyrshme dhe strategjike është me “Pax Americana”.
Për EJL-në dhe Kosovën kjo është një periudhë e një rëndësie të jashtëzakonshme: pozicionimi i vendeve të EJL-së në këtë terren të ndërlikuar gjeopolitik kërkon mbështetje dhe angazhime më të forta dhe të qarta nga BE-ja dhe NATO-ja, duke qëndruar syçelë ndaj presioneve të jashtme nga boshti në ardhje. E ardhmja e rajonit dhe, në fund të fundit, stabiliteti global, do të varet nga mënyra se si Perëndimi përballet me këto dinamika dhe nëse do të mund të sfidojë në mënyrë efektive ambiciet strategjike të kësaj aleance të re. Por kjo nuk është një rrugë njëkahëshe dhe Perëndimi nuk duhet të lihet vetëm në këto përpjekje. Në rastin e Kosovës, e ardhmja varet edhe nga aftësitë e saj diplomatike, që hë për hë lënë shumë për të dëshiruar, për të thelluar përafrimin strategjik me Perëndimin dhe gjithashtu me vendet mike në EJL. Krijimi i tregut të përbashkët rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, bashkëpunimi ekonomik dhe ushtarak me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Kroacinë dhe Slloveninë, si dhe anëtarësimi në NATO, do të ishte një rrugë e duhur për të zvogëluar ndikimet negative të “Pax Orientalis” në të ardhmen e Kosovës dhe rajonit në përgjithësi.