Zgjedhjet lokale

Haradinaj: Ardian Gjini, kryetar model për tërë Kosovën

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka bërë përmbylljen e fushatës zgjedhore në Gjakovë, ku të dielën do të përballet në balotazh me Lëvizjen Vetëvendosje. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e quajti kandidatin e subjektit të tij, Ardian Gjini, kryetar kampion, tek kërkoi mbështetje që ai ta vazhdojë edhe një mandat në krye të komunës

Mbështetje për kryetarin aktual dhe kandidatin e partisë së tij për edhe një mandat në krye të Gjakovës, Ardian Gjini, e ka kërkuar të premten kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në tubimin përmbyllës të fushatës në Gjakovë, Haradinaj tha se Gjini është kryetar kampion teksa shtoi që vizioni i tij dhe i ekipit që e udhëheq janë model për tërë Kosovën.

“Me Ardianin në udhëheqje vërtet do ta keni një frymëzim të vazhdueshëm e që punët e Gjakovës ti bëni më së miri. Unë e kam ditur që Gjakova e ka potencialin e vet çdo herë. E kam ditur, e kam përjetuar në kohën e vështirë dhe e kam pa se kush janë njerëzit e Gjakovës”, ka thënë Haradinaj.

E Gjini, që në balotazhin e 9 nëntorit me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, e synon edhe një mandat në krye të Gjakovës, e kërkoi besimin e qytetarëve.

“Dimë me punu, që kemi me punu prapë, që kemi me qenë me juve edhe katër vjet dhe kemi me bo Gjakovën kopsht, jo fidanishte. Të dielën, krejt çka na ka mbet me bo është të dielën me dal dhe me votu dhe qaq. Dallimi është shumë i madh se besimin qytetarët e kanë dhënë edhe më 12 tetor pavarisht që na ka ik për atë 2.12 për qind”, ka thënë Gjini.

Si dëshmi për punën, ai i numëroi projektet e realizuara gjatë mandatit të tij.

“Kur i mbledhim bashkë krejt, për këto vjet dalin diku 180-190 milionë euro, investime kapitale, për tetë vjet. Kurrë më përpara as afër nuk ka qenë, kurrë hiq. E prej këtyre 180 milionëve, diku 120 milion janë të Komunës. Kurrë më përpara as afër nuk ka qenë, në asnjë periudhë kohore”, ka shtuar ai.

AAK-ja ka shkuar në balotazh edhe në komunat e Junikut, të Rahovecit, të Suharekës dhe të Klinës.

Tubime përmbyllëse, kjo parti i ka mbajtur edhe në këto komuna, e në të cilat kandidatët e saj për kryetarë i kanë shpalosur premtimet me të cilat e kanë kërkuar votën e qytetarëve më 9 nëntor.

Lexo përditësimet tjera
Zgjedhjet

Dita e pestë e fushatës për balotazhin e zgjedhjeve lokale