Pas 26 vjetësh në krye të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ia ka dorëzuar drejtimin e partisë Ardian Gjinit. Në Kuvendin e 10-të zgjedhor të AAK-së, Gjini u zgjodh kryetar i ri i partisë, ndërsa Haradinaj mbajti fjalimin e tij të fundit si udhëheqës i Aleancës, duke rikujtuar rrugëtimin e tij politik dhe duke shprehur mbështetje të plotë për pasardhësin e tij.
Ardian Gjini është zgjedhur kryetar i ri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në Kuvendin Zgjedhor të kësaj partie.
Në Kuvendin e 10-të të AAK-së, për herë të fundit si kryetar i kësaj partie, Ramush Haradinaj mbajti fjalimin e tij, ku bëri një përmbledhje të shkurtër të rrugëtimit të tij politik.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Prej vitit 2000, nga mosha ime 32-vjeçare, kam shërbyer Kosovën dhe kombin si kryetar i Aleancës. Kam pasur nderin të zgjidhem deputet në çdo legjislaturë dhe të zgjidhem kryeministër dy herë, me mbështetjen tuaj. Faleminderit Aleancë për rrugëtimin bashkë”, tha Haradinaj.
Megjithëse u largua nga kreu i partisë, Haradinaj theksoi se nuk do të tërhiqet nga angazhimi politik
“Nga sot do të vazhdoj t’i shërbej Kosovës dhe kombit si njëri nga ju. Shërbimi për Kosovën nuk përfundon kurrë. Për jetë Aleancë, për jetë UÇK, për jetë shqiptarët ndër breza”, tha Haradinaj.
Ai shprehu mbështetje të plotë për pasardhësin e tij, Ardian Gjinin, duke theksuar besimin që ka tek ai për drejtimin e partisë.
Edhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, pati fjalë vlerësuese për Haradinajn, i cili në një moment u emocionua.
“Rrnoftë Kosova, rrnoftë shteti, rrnoftë Ramushi. S’pata qare pa e thënë kështu, sepse na dha shumë emocione, na preku shumë, por na bëri edhe shumë krenarë. Faleminderit Ramush, faleminderit kryetari ynë”, tha Tahiri.
Tahiri më pas nominoi zyrtarisht Ardian Gjinin për kryetar të AAK-së.
Ndërkaq, kryetari i ri Gjini, deklaroi se është nder dhe krenari të jetë pjesë e Aleancës, duke kërkuar besimin e anëtarëve për të vazhduar rrugën politike të partisë pas Haradinajt.
“Po e lypim besimin tuaj pas Ramush Haradinajt. Ai nuk ka qenë vetëm kryetar partie, por simbol i Kosovës, simbol i lirisë dhe i politikës së mençur që ka ndodhur në Kosovë për më shumë se 30 vjet”, tha Gjini.
Mbledhja e Këshillit të AAK-së u përmbyll me prezantimin e kandidatëve për deputetë.
Ramush Haradinaj dha dorëheqje në shkurt 2026 nga udhëheqja e AAK-së pas 26 vitesh.