Zgjedhjet lokale

Kandidati i AAK-së në Klinë ankohet për mosmbështetje nga Qeveria

Kandidati për kryetar të Klinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Zenun Elezaj, njëherësh edhe kryetar i kësaj komune, ka hedhur akuza në drejtim të Qeverisë për mbështetje të pamjaftueshme ndaj kësaj komune.

“Nuk mund të them që kemi qenë shumë të mbështetur”, ka thënë Elezaj.

Teksa ka folur për zgjidhjen e problemit për trajtimin e ujërave të zeza, në emisionin “Gara për Klinën – Zgjedhjet në KOHË”, Elezaj ka thënë se kjo çështje nuk duhet të mbetet vetëm në kompetencë të komunave.

“8 vite në krye të Klinës, ka pasur zero interesim nga Ministria e Mjedisit, për impiantin kryesore të trajtimit të ujërave të zeza, duhet të ketë bashkëfinancim nga niveli qendror”, ka thënë Elezaj.

Kandidati i AAK-së ka thënë se Komuna e Klinës ka staf të mjaftueshëm për të menaxhuar këtë proces, por jo edhe ta bëjë projektin ekzekutiv.

Mbështetjen më të madhe nga niveli qendror, Elezaj ka thënë se e ka marrë nga Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Arsimit.

Kandidati Elezaj i cili po synon edhe një mandat të tretë në krye të kësaj komune, ka shpalosur edhe programin e tij për fushën e arsimit, ku ka premtuar ndërtimin e dy shkollave dhe një çerdheje.

“Kemi kërkesë të vazhdueshme për një shkollë në Zllakuqan dhe unë kam premtuar se nëse nuk do të kem mbështetje nga Ministria e Arsimit të njëjtën do ta ndërtojë me buxhet vetanak komunal. Gjithashtu planifikojmë ndërtimin edhe të një shkolle dhe një çerdheje në lagjen Dollc”, ka shtuar kandidati i AAK-së.

Ai ka thënë se nuk e sheh të arsyeshme prishjen e shkollave që janë ndërtuar pas luftës, dhe se ato vetëm janë rinovuar.

Mungesa e mjekëve në Klinë – Kandidati i AAK-së flet për gjendjen e shëndetësisë në këtë komunë

Kryetari aktual i Klinës, Zenun Elezaj ka bërë të ditur se komuna që ai e ka drejtuar tash e 8 vjet është duke u përballur me mungesë të mjekëve, dhe se konkursi për pranimin e specialistëve të mjekësisë familjare mbetet i hapur vazhdimisht.

Në emisionin “Gara për Klinën – Zgjedhjet në KOHË”, Elezaj që është edhe kandidat i AAK-së për kryetar të kësaj komune edhe për një mandat, ka kërkuar angazhimin e Ministrisë së Shëndetësisë që të përkujdeset për pagat e mjekëve në mënyrë që të arrihet një zgjidhje për këtë problem.

“I mbetet Ministrisë së Shëndetësisë të përkujdeset për pagat e mjekëve... Ne kemi krijuar kushte të mira për punë. Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare është në gjendje të mirë kemi pasur investim para një viti nga Komisioni Evropian, dhe ka kapacitete të mjaftueshme”, ka thënë Elezaj.

Tutje kandidati i AAK-së ka bërë të ditur se me mbështetjen e një donacioni nga Katari kanë filluar ndërtimin e një QMF-je dhe një urgjence në lagjen e Dollcit, aty ku është ndërtuar shtëpia e të moshuarve e cila është në prag të hapjes.

Me këtë organizatë nga Katari sipas Elezajt pritet të arrihet edhe një tjetër marrëveshje për ndërtimin e një qendre të qëndrimit ditor për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Komuna e Rahovecit është në mesin e 18 komunave të cilat kanë shkuar në balotazh pas zgjedhjeve të 12 tetorit. Në raundin e dytë kandidati i AAK-së, Zenun Elezaj do të përballet me kandidatin e PDK-së, Sokol Bashota.