Zgjedhjet lokale

Haradinaj: U dëshmua vendosmëria e Klinës për të vazhduar me Zenun Elezajn

Ramush Haradinaj

Në ditën e tretë të fushatës për zgjedhjet e balotazhit, AAK-ja e ka mbajtur tubimin qendror në komunën e Klinës. Kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, ka thënë se puna e deritanishme e kryetarit dhe e kandidatit të AAK-së edhe për një mandat, Zenun Elezaj, është dëshmi e vendosmërisë për të vazhduar me udhëheqjen e tij. E kandidatë të tjerë të AAK-së për kryetarë komunash, fushatën e kanë përqendruar te kritikat për qeverisjet aktuale komunale dhe në zotime për fuqizimin e rolit të gruas në vendimmarrje

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se puna katërvjeçare e kryetarit aktual të Klinës dhe e kandidatit të partisë së tij për edhe një mandat, Zenun Elezaj, e ka dëshmuar vendosmërinë e komunës për ta vazhduar rrugën e zhvillimit me të njëjtën udhëheqje edhe për katër vjet të tjerë.

Në tubimin me qytetarë të mbajtur të mërkurën në Klinë, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e balotazhit të 9 nëntorit, Haradinaj ka përmendur projektet që i ka realizuar Elezaj e të cilat e kanë çuar komunën përpara.

“Sonte, në një tubim të jashtëzakonshëm, Klina e dëshmoi vendosmërinë për ta vazhduar rrugën e zhvillimit me kryetarin Zenun Elezaj – 174. Bashkëqeverisja që prof. Zenun Elezaj ka ndërtuar me qytetarët është garanci e projekteve që e kanë çuar Klinën përpara dhe që do ta çojnë edhe më lart në mandatin e ri”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, pas tubimit.

E kandidati Elezaj e ka quajtur AAK-në parti fituese në Klinë.

“Sonte, ishim bashkë dhe krenarë për rezultatin e 12 tetorit, kur qytetarët e Klinës folën qartë e bindshëm se AAK është partia fituese në Klinë. Kjo është fitore e besimit tuaj, e punës sonë të ndershme, e përkushtimit për çdo fshat, çdo lagje dhe çdo qytetar. Por gara nuk ka mbaruar. Tani jemi në rundin vendimtar, në një betejë që do ta vulosë fitoren e plotë të Aleancës dhe do ta përcaktojë rrugën e zhvillimit të Klinës për katër vitet e ardhshme. Fitorja e së dielës është në duart tona”, ka shkruar ai.

Kandidatë të tjerë të AAK-së për kryetarë komunash, ditën e tretë të fushatës e kanë përqendruar në kritika për qeverisjet aktuale lokale dhe në shpalosjen e premtimeve dhe vizioneve për mandatet që i synojnë.

Në Juniku, kandidati Agron Kuçi e ka kritikuar qeverisjen aktuale, duke thënë se për arsye politike i ka lënë në gjysmë shumë projekte.

“Kjo rrugë, që të çon te shtëpia e Bardhyl Himajt, është lënë qëllimisht pa asfalt, edhe pse çdo gjë është gati për t’u shtruar. Arsyeja? Sepse banorët nuk janë të LDK-së. Por Juniku nuk është i një partie – është i qytetarëve të ndershëm që meritojnë barazi dhe respekt”, ka shkruar ai.

E në Suharekë, kryetari aktual që e synon edhe një mandat, Bali Muharremaj, e ka quajtur garën politike në këtë komunë të përfunduar, teksa në tubimin me qytetarë në fshatin Duhël e ka kujtuar kontributin e dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës.

“Mos me kanë dëshmorët e invalidët, sot nuk kishim me qenë këtu. Gara për partitë është kry, por tash ka ardhë puna për kryetar komune. Unë sonte nuk po flas vetëm si anëtar i Aleancës, por si qytetar i këtij vendi”, ka theksuar Muharremaj. 

Kryetari i komunës së Rahovecit që e kërkon edhe një mandat, Smajl Latifi, fushatën e ka përqendruar te gratë. Ai ka premtuar që në rast se i siguron edhe katër vjet të tjerë në detyrë do të angazhohet që gratë të fuqizohen në vendimmarrje.

“Mandati ynë i ardhshëm do të karakterizohet nga një përkushtim i veçantë për mbështetjen e grave të komunës sonë, duke u dhënë hapësirën që meritojnë dhe duke i përfshirë në vendimmarrje institucionale. Këtë çështje e diskutuam së bashku sot, në një tubim me gra, ku patëm rastin të diskutojmë edhe për masat konkrete që do t’i ndërmarrim që gratë të gjejnë mbështetjen e nevojshme si në sektorin publik, ashtu edhe në sektorin privat”, ka shkruar ai në rrjete sociale. 

Latifi në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, të mbajtura më 12 tetor, ka dalë kandidati i parë, duke i siguruar 37 për qind të votave. Në balotazh, ai do të përballet me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Ali Dula, i cili në raund të parë ka marrë 23 për qind të votave. 

Në Klinë, Elezaj si kandidati i parë i raundit të 12 tetorit, më 5 nëntor do të ballafaqohet me  Sokol Bashotën e Partisë Demokratike (PDK). E në Rahovec, Latifaj do t’i matë forcat me Visar Korenicën e LVV-së.

AAK-ja ka shkuar në balotazh në pesë komuna.

Lexo përditësimet tjera
Votimi

Dita e tretë e fushatës për balotazhin e zgjedhjeve lokale