Gjatë takimit me kryeministrin hungarez në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë që Hugaria të hiqet nga lista e shteteve që mund të sanksionohen për shkak të naftës ruse. E Orbani ka kërkuar bashkëpunim më të ngushtë me SHBA-në. Të dy u pajtuan se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë sa më shpejt, megjithëse shprehën dyshime për mundësinë e fitores së Kievit
Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk e ka përjashtuar mundësinë që Hungaria të përjashtohet nga sanksionet e dedikuara për shtetet që furnizohen me naftën ruse.
E Trumpi po ashtu nuk e ka përjashtuar mundësinë e një takimi të ri me homologun rus, Vladimir Putin, pasi për këtë u pyet teksa e priti në Shtëpi të Bardhë kryeministrin hungarez, Viktor Orban. Trumpi e ka nisur fjalimin me lavdërime për Orbanin.
“Ai ka drejtuar një vend vërtet të shkëlqyer, dhe nuk ka krim, nuk ka probleme si disa vende të tjera. Por ndoshta ka disa gjëra që unë nuk i di, ndoshta gjëra që nuk dua t’i di”, ka thënë ai. Para takimit, Trump ka paralajmëruar se me Orbanin do të flasin për tregtinë, Rusinë dhe energjinë.
E kryeministri Orban e hapi fjalimin e tij me lavdërime për Trumpin dhe me kritika ndaj paraardhësit të tij demokrat, Joe Biden.
“Arsyeja pse jemi këtu është për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Hungarisë, në thelb, sepse gjatë administratës demokrate, gjithçka u shkatërrua. Pra, pas largimit tuaj, zoti President, gjithçka u bllokua, u shkatërrua, u anulua”, ka thënë Orbani.
Më pas presidenti Trump u pyet nëse do të ishte i gatshëm t’i jepte Orbanit një përjashtim nga sanksionet për naftën ruse.
“Po e shqyrtojmë, sepse është shumë e vështirë për të që të sigurojë naftë dhe gaz nga zona të tjera. Siç e dini, ata nuk e kanë avantazhin e daljes në det”, ka thënë Trumpi.
Orban konfirmoi edhe njëherë se çështja e furnizimit me naftë ruse është kritike për hungarezët.
“Tubacionet nuk janë një çështje ideologjike apo politike. Është një realitet fizik, sepse ne nuk kemi port, pikërisht siç ju shpjegoi presidenti Trump. Prandaj, do të negociojmë për këtë çështje. Është jetike për ne”, ka deklaruar ai.
E për luftën e Rusisë në Ukrainë të dy liderët pohuan se është koha që lufta të përfundojë shpejt, porse shprehën dyshime nëse Ukraina mund ta fitojë luftën. Kur u pyet nga Trumpi, nëse Ukraina do të mund të fitojë, kryeministri hungarez u përgjigj duke thënë se “veç nëse ndodh një mrekulli”.
Ndër të tjera, Orbani ka theksuar se nuk ka shkuar në SHBA për t’i kërkuar presidentit Trump të menaxhojë konfliktet e veta apo konfliktet e Bashkimin Evropian.
“Kjo është çështja jonë, dhe ne do ta zgjidhim vetë. Ajo që na nevojitet është një epokë e artë, të hapim një epokë të artë të marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Hungarisë. Kjo do të ishte ndihmesa më e madhe që mund të marrim nga Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Orbani.
Para takimit me Trumpin, Orbani pati theksuar se Hungaria nuk ka alternativa të tjera të qëndrueshme për furnizim me naftë përpos Rusisë.
“Nuk po kërkoj ndonjë dhuratë nga amerikanët apo ndonjë gjë të pazakontë. Thjesht po kërkoj të kuptohet se sanksionet e vendosura së fundmi ndaj energjisë ruse i vënë në një situatë të pamundur disa vende, si Hungarinë, që nuk kanë dalje në det. Dhe do t’i kërkoj presidentit ta pranojë këtë”, pati deklaruar ai.
Ai e ka përshkruar marrëdhënien politike të vendit të tij dhe të administratës së Trumpit si të shkëlqyeshme.
Kryeministri hungarez njihet mes udhëheqësve evropianë për marrëdhëniet e tij të afërta si me presidentin rus Putin, ashtu edhe me Trumpin. Ai ka fituar gjithashtu mbështetje nga Trumpi dhe lëvizja e tij MAGA, që Hungarinë e sheh si shembull të nacionalizmit konservator, pavarësisht dobësimit demokracisë në këtë shtet.
Përderisa pjesa më e madhe e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian i kanë reduktuar ndjeshëm apo i kanë ndalur plotësisht importet e karburanteve nga Rusia, pas pushtimit të Ukrainës më 2022, Hungaria nuk e ka ndaluar furnizimin me naftë nga Moska zyrtare.