Kosovarët kanë besim të madh në BE-në dhe duan që Kosova të bëhet vend anëtar. Këtë e dëshmojnë anketat e fundit të publikuara nga “Eurobarometër”. Por Kosova, pas Turqisë, ka mbështetjen më të vogël të qytetarëve brenda BE-së, edhe pse dallimi mes atyre që do ta pranonin Kosovën në BE dhe atyre që janë kundër nuk është i madh. Mesazh shqetësues për partitë politike në Kosovë do të duhej të ishte se atyre qytetarët u besojnë më së paku. Rezultatet e “Eurobarometrit” të fundit, që mat perceptimin ndaj procesit të zgjerimit në BE, është përplot befasi. Për shembull, shumica e spanjollëve do ta pranonin Kosovën në BE, edhe pse vendi i tyre nuk e njeh Kosovën si shtet. Qytetarët nga vendet si Greqia dhe Qiproja e mbështesin Kosovën më shumë sesa Shqipërinë. Kroatët i mbështesin shumë Kosovën dhe Shqipërinë, ndërsa shumica prej tyre do ta pranonin edhe Serbinë në BE. Por, shumica e serbëve nuk duan të bëhen anëtarë të BE-së dhe zemrën e mendjen i kanë me Kinën e Rusinë.
Nuk ka dyshim se në BE është krijuar një “momentum i favorshëm“ për procesin e zgjerimit dhe tash ky proces ka një mbështetje të madhe. Për fat të keq, shumë vende kandidate apo Kosova si i vetmi vend “kandidat potencial“, sepse nuk e ka statusin e kandidatit, nuk e kanë shfrytëzuar sa duhet këtë moment. Avancim të madh në proces kanë bërë vetëm Shqipëria dhe Mali i Zi. Lajm i mirë për procesin e zgjerimit është edhe mbështetja, që tash qytetarët e shumicës së madhe të vendeve të BE-së janë në favor të zgjerimit të mëtejmë të bllokut. Këtë e tregojnë të dhënat e hulumtimit të fundit të publikuar nga “Eurobarometri”. Në përgjithësi 56 për qind e tyre janë në favor të zgjerimit të BE-së.
Ky do të duhej të ishte një lehtësim për politikanët në vendet e BE-së, sepse nganjëherë ata e përdorin perceptimin negativ në publik për të penguar progresin në procesin e zgjerimit. Por mbetet një fakt i cili nuk është shumë pozitiv e ai është se qytetarët e dy vendeve kryesore të BE-së, gjermanët dhe francezët, janë më shumë kundër zgjerimit sesa në favor të tij. Megjithatë, shumica në këto vende, e cila nuk do të donte pranim të vendeve të reja anëtare në bllok, nuk është aq e madhe sa ka qenë në të kaluarën. Pra, me një vullnet politik, me guximin e liderëve politikë dhe fushatë të duhur informimi, pa manipulime, nuk do të ishte vështirë që shumica e shtetasve të tashëm të BE-së ta mbështesin hyrjen e vendeve të cilat synojnë anëtarësimin në të ardhmen.
Lufta në Ukrainë ka ndikuar më së shumti në krijimin e një perceptimi pozitiv për procesin e zgjerimit. Politikanët evropianë, e tash po shihet se këtë trend e ndjekin edhe qytetarët, e shohin zgjerimin si një projekt paqeje dhe nuk është befasi që në mesin e tyre pikërisht Ukraina ka mbështetjen më të madhe. Por, mbështetje të konsiderueshme ka edhe për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, megjithëse jo edhe ndonjë shumicë e qartë.
Kosova, pas Turqisë, ka mbështetjen më të vogël të qytetarëve brenda BE-së edhe pse dallimi mes atyre që do ta pranonin Kosovën në BE dhe atyre që janë kundër nuk është i madh.
Në favor të pranimit të Kosovës në BE do të ishin 43 për qind e qytetarëve të Bashkimit Evropian ndërsa 46 për qind janë kundër. Më së shumti në favor janë suedezët, danezët dhe kroatët ndërsa më së shumti kundër janë gjermanët, francezët, austriakët dhe çekët. Qytetarët e këtyre tri vendeve të fundit janë më skeptikët ndaj zgjerimit në përgjithësi dhe qëndrimi i tyre nuk duhet parë si ndonjë kundërshtim specifik ndaj Kosovës. Vetëm për Ukrainën dhe Malin e Zi ekziston një mbështetje mbi 50 për qind. Përveç në rastin e Turqisë dhe Kosovës, për të gjitha vendet e tjera është më e madhe përqindja e atyre që do t’i pranonin në BE sesa e atyre që do të ishin kundër.
Në anën tjetër, kosovarët kanë besim të madh në BE dhe duan të bëhen pjesë e saj. Kjo, me gjithë faktin se Kosova akoma po mbahet nën masa ndëshkuese të padrejta nga ana e Bashkimit Evropian. Këtë e dëshmojnë anketat e fundit të publikuara nga “Eurobarometër”.
Rreth 64 për qind të kosovarëve kanë mendim pozitivë për BE-në, ndërsa vetëm 9 për qind negativë. Kosovarët kanë besim të madh në BE dhe 78 për qind i besojnë. Por, SHBA-së dhe NATO-s i besojnë 88 për qind të kosovarëve. Në Kosovë 94 për qind janë të vetëdijshëm për ndihmën që BE-ja ia jep Kosovës.
Në Serbi, në anën tjetër, vetëm 38 për qind kanë mendim pozitiv për BE-në. Qytetarët e Serbisë shumë më tepër kanë besim në Rusinë dhe Kinën sesa në BE-në. BE-së i besojnë vetëm 38 për qind, ndërsa Rusisë 59 për qind e Kinës 57 për qind.
Kur është fjala tek besimi i qytetarëve, mesazh shqetësues për partitë politike në Kosovë do të duhej të ishte se atyre qytetarët u besojnë më së paku.
Sa i përket besimit që kanë kosovarët, më së paku u besojnë partive politike. Atyre u beson vetëm 26 për qind të qytetarëve, ndërsa nuk u beson 58 për qind e tyre. Më së shumti kosovarët kanë besim në forcat ushtarake, në autoritetet fetare dhe organizatat e shoqërisë civile. Sa u përket institucioneve, 81 për qind i besojnë presidentes , 61 për qind Qeverisë, ndërsa më së paku besim, 51 për qind, kanë në Kuvendin e Kosovës. Mediave në Kosovë u besojnë 54 për qind të qytetarëve, ndërsa besim në media nuk kanë 35 për qind.
Rezultatet e “Eurobarometrit” të fundit, që mat perceptimin ndaj procesit të zgjerimit në BE-së, janë përplot befasi. Për shembull, shumica e spanjollëve do ta pranonin Kosovën në BE, edhe pse vendi i tyre nuk e njeh Kosovën si shtet. Qytetarët nga vendet si Greqia dhe Qiproja e mbështesin Kosovën më shumë sesa Shqipërinë. Kroatët i mbështesin shumë Kosovën dhe Shqipërinë, ndërsa shumica e tyre do ta pranonin edhe Serbinë në BE. Por, shumica e serbëve nuk duan të bëhen anëtarë të BE-së dhe zemrën e mendjen i kanë me Kinën e Rusinë.
Mbështetjen që kanë kosovarët për integrim në BE, vetëdijesimin e tyre për ndihmën që Kosova merr nga BE-ja, do të duhej shfrytëzuar edhe BE-ja, edhe partitë politike në Kosovë, për të punuar më shumë në realizimin e synimeve të qytetarëve. Sepse Kosova padrejtësisht po mbetet jo vetëm në fund të vargut të vendeve kandidate, por i vetmi vend pa status kandidati. Tash u pa se qytetarët e BE-së nuk kanë ndonjë kundërshtim të veçantë për Kosovën krahasuar me vendet e tjera dhe gëzon fakti se mbështetje ka edhe nga qytetarët e vendeve, të cilat formalisht nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.