Edhe Pedri Gonzalez nuk mund të jetë i sigurt se sa ndeshje i ka luajtur në këtë sezon të pafund.
“Unë mendoj se është një numër shumë i madh”, tha mesfushori i Barcelonës, i cili luajti për Spanjën në Kampionatin Evropian dhe tani po luan për vendin e tij në Lojërat Olimpike të Tokios. “Unë, në të vërtetë, nuk i numëroj ndeshjet që i kam luajtur”.
Rezulton se ai ka luajtur 70 ndeshje në 11 muaj në një sezon të përparimit të tij të shpejtë dhe ai mund t’i luajë edhe tri ndeshje të tjera nëse Spanja arrin në finalen e Lojërave Olimpike, e paraparë të zhvillohet më 7 gusht. Është ky një numër rraskapitës i ndeshjeve, madje edhe për një 18-vjeçar si Pedri. Në shtator, Pedri po luante për ekipin U21 të Spanjës, duke treguar prekjet e tij të talentuara dhe kontrollin e shkëlqyeshëm të topit për një audiencë mjaft të vogël. Debutimi i tij te Barcelona erdhi tri javë më vonë pasi fitoi përvojë në një sezon si huazim te Las Palmasi në divizionin e dytë të Spanjës. Debutimi i Ligës së Kampionëve pasoi në tetor. Shtojini kësaj edhe paraqitjet në Superkupën e Spanjës e Copa del Rey dhe është më se e qartë të kuptohet se sa i rëndësishëm u bë Pedri për ekipin katalanas. Kishte vetëm një ndeshje të ligës në të cilën ai nuk luajti dhe kjo ishte ndeshja e fundit e sezonit kur nuk pati rrezik për Barcelonën. Kjo ia mundësoi Pedrit një pushim të shkurtër përpara “Euro 2020”, sepse në mes të këtij sezoni mbresëlënës, Pedri gjithashtu u promovua me shpejtësi në Përfaqësuesen A të Spanjës për fillimin e kualifikimeve të Kampionatit Botëror. Ndërsa, gjatë turneut të “Euro 2020”, Spanja vendosi ta dërgonte Pedrin në Lojërat Olimpike, pothuajse pa pasur kohë për të marrë frymë para se të fluturonte për në Japoni. Kishte vetëm nëntë ditë mes humbjes së Spanjës nga Italia në gjysmëfinale të Evropianit dhe një ndeshje ngrohëse olimpike kundër Japonisë. Minuta e vetme që Pedri nuk luajti për Spanjën në Evropian ishte në çerekfinale kundër Zvicrës, kur ai u zëvendësua në favor të një lojtari tjetër pak para se ndeshja të shkonte në penallti. Pedri u emërua lojtari më i mirë i ri i turneut me një normë prej 91 për qind të pasimeve të kompletuara dhe vrapoi më shumë se çdo lojtar tjetër në fushë, deri në fazën e gjysmëfinaleve.
“Ne kurrë nuk kemi parë diçka të tillë”, tha trajneri i Spanjës, Luis Enrique, pasi u mahnit nga paraqitjet e Pedrit që tërhoqën krahasime me lojtarët fitues të Kupës së Botës, Xavi Hernandez dhe Andres Iniesta.
Barcelona, megjithatë, do të kishte preferuar që Pedri të mos shkonte në Olimpiadë. Dhe, këtë e ka pranuar edhe trajneri Ronald Koeman.
Edhe
Pedri, futbollisti që me stilin e tij të lojës po mahnit Spanjën
“Ne duhet t’i mbrojmë lojtarët tanë”, tha Koeman. “Për mua, Olimpiada ka të bëjë më shumë me atletikën sesa me futbollin”.
Por, klubet spanjolle duhet të lirojnë lojtarë për Lojërat Olimpike, edhe pse nuk janë të obliguara nga FIFA. Sindikata ndërkombëtare e lojtarëve FIFPRO do të donte periudha pushimi të përcaktuara për lojtarët para dhe gjatë sezoneve.
“Unë nuk e trajtoj këtë si një punë”, tha Pedri pas ndeshjes me Argjentinën të mërkurën në Saitama. “Është kënaqësi të luash futboll”.
Ndryshe nga turneu olimpik i futbollit të femra, ku nuk zbatohen kufizimet, futbolli olimpik i meshkujve ka një limit. Të gjithë lojtarët, përveç tre prej tyre, duhet të jenë nën moshën 24-vjeçare.
Pedri është një nga gjashtë lojtarët e Spanjës në Japoni që gjithashtu luajtën në Kampionatin Evropian, ndërsa sulmuesi brazilian Richarlison erdhi në Lojërat Olimpike direkt nga Copa America.
“Fakti që ata zhvilluan turnetë njëri pas tjetrit është i jashtëzakonshëm dhe sinqerisht jo i shëndetshëm”, tha sekretari i përgjithshëm i FIFPRO-s, Jonas Baer-Hoffmann. “Ka djegie fizike dhe gjithashtu djegie mendore”.
Edhe
Pedri, 72 ndeshje të luajtura në 9 gara të ndryshme brenda një sezoni
Franca, megjithatë, nuk mund ta thërriste sulmuesin e Paris Saint-Germainit, Kylian Mbape, dhe Egjiptit iu mohuan shërbimet e sulmuesit të Liverpoolit, Mohamed Salah.
“Ndihem shumë me fat që mund të kem lojtarë”, shtoi trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente. “Është përgjegjësia jonë të jemi në gjendje t’i sjellim më të mirët”.
Një tjetër është portieri Unai Simon, i cili ishte në gol për të gjashtë ndeshjet e Spanjës në “Euro 2020”. Në mbrojtje janë ende Pau Torres dhe Eric Garcia. Përpara në sulm te Spanja janë Mikel Oyarzabal dhe Dani Olmo.
“Ndoshta ndonjëherë në lojë do të ndieni pak lodhje”, tha Olmo. "Por, në fund, ajo që ka rëndësi është këtu në zemër”.
Goli i Olmos ia siguroi Spanjës titullin në Evropianin U21 në vitin 2019, një turne që përcakton kualifikimin olimpik. Mirëpo, a do të preferonte sulmuesi 23-vjeçar i Leipzigut të ishte në pushime tani?
“Disa njerëz më pyesin pse duhet të vij dhe të mos pushoj pak”, tha ai. “Por, unë them se kjo është një mundësi e madhe për mua dhe nuk dua të pushoj. Olimpiada është e rëndësishme për mua dhe nëse trajneri më jep një mundësi unë do t’i përgjigjem pozitivisht”.
Edhe
Spanja ka shpresë për një të ardhme të ndritur pas eliminimit në gjysmëfinale
Në sport, shpesh ka të bëjë me shfrytëzimin e mundësive. Thjesht pyesni Pedrin, i cili filloi sezonin në shtator, u bë spanjolli më i ri që luajti në një kampionat evropian në qershor dhe ende ka një shans për ta fituar medaljen e artë olimpike në gusht. Një javë pas finales në Lojërat Olimpike fillon sezoni i ri në La Liga. Ndërsa, te Barcelona do të jenë të detyruar ta pushojnë Pedrin.
“Unë e ndiej dashurinë që njerëzit ma japin. Dhe jam gati edhe për shumë ndeshje të tjera”, insistoi Pedri.