Humbja e ndeshjeve të mëdha çon në mënyrë të pashmangshme në pyetjen për të ardhmen. Me Pedri Gonzalez, Spanja tashmë duket se e ka përgjigjen. Akoma vetëm 18 vjeç, Pedri ishte njeriu në mesfushë në Kampionatin Evropian, duke filluar çdo ndeshje si titullar për ekipin e tij dhe duke kontrolluar kalimin e topit midis mbrojtjes dhe sulmit. Kjo cilësi dhe udhëheqje, madje edhe nga një adoleshent që luante në turneun e tij të parë të madh, e ndihmuan Spanjën të kalonte në gjysmëfinale.
“Ajo që Pedri ka bërë gjatë këtij Kampionati Evropian nuk e kam parë të bëhet nga asnjë 18-vjeçar në ndonjë turne tjetër”, insistoi përzgjedhësi i Spanjës, Luis Enrique. “Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë”
Krahasimet e vazhdueshme te Pedrit me Andres Iniestan, krijuesin e madh të Spanjës që ndihmoi ekipin të fitonte në “Euro 2008”, “Euro 2012” dhe Kampionatin Botëror “Afrika e Jugut 2010”, nuk duken më të ekzagjeruara. Jo pas këtij turneu.
“As Iniesta nuk bëri atë që e bëri Pedri”, tha Luis Enrique.
Gjithmonë i qetë dhe i përmbajtur, Pedri ishte thelbësor në kontrollimin e ritmit të mesfushës së Spanjës në ndeshje pas ndeshjes. Që nga mëngjesi i së mërkurës ai ishte lojtari me më shumti distancë të përshkuar në “Euro 2020”. Ai gjithashtu kishte saktësinë më të lartë të pasimeve në ndeshjen gjysmëfinale kundër Italisë, me 98 për qind nga 65 pasime të përfunduara. Por, kishte edhe lojtarë të tjerë të rinj që ndihmonin Pedrin, si 23-vjeçari Dani Olmo që luante si sulmues krahu. Edhe pse Olmo humbi penalltinë në disfatën 4:2 ndaj Italisë të martën mbrëma në stadiumin “Wembley”, ai ishte ende një pjesë e rëndësishme e Spanjës që arriti deri në gjysmëfinale të turneut. Ai ishte i pari sa i përket tentimeve dhe i dyti në asistime në “Euro 2020”. Ferran Torres gjithashtu kontribuoi. Sulmuesi 21-vjeçar shënoi dy herë gjatë ndeshjeve të Spanjës në Evropian. Spanja arriti në “Euro 2020” e rrethuar me dyshime dhe nën presion për të kapërcyer dështimet e fundit. Përfaqësuesja spanjolle nuk e kishte kaluar 1/8 e finales në një turne të madh që nga triumfi në “Euro 2020”, me një ekip që ende përfshinte mesfushorët Iniesta dhe Xavi Hernandez. Paraqitja e mirë nga lojtarët e rinj, megjithatë, i lehtësoi këto shqetësime vetëm një vit para turneut tjetër të madh – Kampionatit Botëror “Katari 2022”.
“Ne duhet të jemi të lumtur dhe krenarë për atë që kemi arritur”, shtoi Luis Enrique. “Ne kemi disa lojtarë të rinj dhe ata kontribuuan në një mënyrë të tillë që është e vështirë të kuptohet kur e shikon moshën e tyre. Ka shumë gjëra pozitive për të parë përpara. Pra, e ardhmja është e ndritur”.
Gjashtë lojtarë të Spanjës në “Euro 2020” u përfshin në ekipin nën 24 vjeç që do të luajë në Lojërat Olimpike të Tokios. Përveç Pedrit dhe Olmos, të tjerët që do të bëjnë udhëtimin në Japoni janë edhe portieri Unai Simon, sulmuesi Mikel Oyarzabal dhe mbrojtësit Pau Torres e Eric Garcia. Dhe kishte më shumë lojtarë të rinj në skuadrën e “Euro 2020”, gjithashtu, si Marcos Llorente dhe Adama Traore. Ansu Fati, gjithashtu 18-vjeçar, dhe një bashkëlojtar i Pedrit te skuadra e Barcelonës e humbën Evropianin për shkak të dëmtimit.
“Ky mund të jetë fillimi i një gjëje të madhe për këtë ekip kombëtar. Besoj se vitin tjetër në Katar mund të shkojmë edhe më larg sesa në Evropian”, u shpreh Garcia, 20-vjeçar.
Të gjashtë lojtarët që do të paraqiten në LO “Tokio 2020” ishin startues te Spanja në një moment në “Euro 2020” dhe të rëndësishëm. Simon e priti një penallti në humbjen nga Italia në gjysmëfinale dhe ishte njeriu kryesor në fitoren e Spanjës në penallti ndaj Zvicrës në çerekfinale. Portieri 24-vjeçar bëri një gabim të madh në 1/8 e finales kundër Kroacisë, por e kompensoi atë me pritjet vendimtare më vonë gjatë lojës që Spanja e fitoi 5:3 pas vazhdimeve.
Olmo humbi penalltinë e tij në gjuajtjen e parë të Spanjës kundër Italisë, duke dërguar topin mbi traversë, por ai asistoi në golin e barazimit të Alvaro Moratas që dërgoi ndeshjen në vazhdime. Morata ishte lojtari tjetër që dështoi nga pika e bardhë kundër Italisë.
“Dani Olmo u tregua i madh për ne në Evropian”, deklaroi Enrique. “Ai është shumë i zgjuar, ka shumë cilësi. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne”.
Spanja luajti në “Euro 2020” pa kapitenin e vjetër Sergio Ramos, i cili humbi turneun pas një sezoni të mbushur me lëndime te Real Madridi. Sergio Busquets ishte lojtari më me përvojë i ekipit dhe i vetmi që mbeti nga skuadra fituese e Botërorit të vitit 2010. Por tani fokusi është në Botërorin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Katar. Dhe me Pedrin në përbërje, Spanja mund të kthehet te triumfi në turnetë e mëdhenj.