Përfaqësuesja e Spanjës do të duket paksa ndryshe në Kupën e Botës këtë vit. Nuk do t’i ketë veteranët si Sergio Ramos, Gerard Pique, Andres Iniesta apo David Silva në skuadër. Në fakt, do të jenë të rinjtë si Pedri Gonzalez, Gavi Paez dhe Nico Williams. Spanja do të shkojë me të rinj për ta fituar çmimin më të madh në futboll dhe ta ngrejë lart trofeun e parë të madh që prej vitit 2012.
Pedri është 19-vjeçar dhe tashmë vlerësohet si një prej më të mirëve në përfaqësuese.
Gavi, 18-vjeçar, jo shumë kohë më parë u bë lojtari më i ri që debutoi dhe shënoi për “La Rojan” si 17-vjeçar dhe së fundmi e fitoi “Kopa Trophy” për lojtarin më të mirë nën moshën 21-vjeçare, një çmim që Pedri e kishte fituar një sezon më herët. Williamsi u bë 20-vjeçar në korrik dhe shpejt gjeti hapësira, pasi impresionoi në dy ndeshjet e para në rrugëtimin për në Kupë të Botës. Ka edhe 19-vjeçar të tjerë, Yeremy Pino dhe Ansu Fati. Megjithatë, Fati nuk ka arritur të krijojë vend në skuadër për shkak të minutazhës së vogël me Barcelonën. Afro gjysma e skuadrës në Katar pritet të jetë 25-vjeçare apo më e vogël.
“Të rinjtë kanë talent të jashtëzakonshëm dhe mund t’i japin shumë skuadrës”, ka thënë sulmuesi 30-vjeçar Pablo Sarabia.
Përzgjedhësi i Spanjës, Luis Enrique, që hyn në Kupën e Botës për herë të parë në këtë pozitë, nuk e pati telash të ftonte lojtarë të rinj, por ata do t’i balancojë me eksperiencën e Sergio Busquetsit, Cesar Azpilicuetas, Koke Resurreccionit, Dani Carvajalit dhe Jordi Albas – të gjithë 30-vjeçarë apo më të vjetër.
“Kemi grup të të rinjve dhe disa veteranëve me të cilët mund të përballemi me çdo rival”, ka thënë Luis Enrique.
Luis Enrique e ka ngushtuar listën e sulmuesve me Alvaro Moratan, Ferran Torresin, Marco Asension, Pablo Sarabian dhe Pinon, të cilët e kanë siguruar vendin praktikisht.
Ata të cilët po mundohen të hyjnë në listën finale janë Williams dhe Borja Iglesias, ndërsa humbësit mund të jenë veterani Iago Aspas dhe të lënduarit Gerard Moreno e Fati, i cili nuk ka luajtur shpesh për Barcelonën. Raul de Tomas është me shumë gjasë jashtë fushës, sepse nuk do të luajë për klubin e ri, Rayo Vallecano deri në muajin janar.
Luis Enrique ka thënë se ka listë prej 40 lojtarëve të cilët mund të luajnë për përfaqësuesen spanjolle, por nuk pritet ta plotësojë numrin e 26 lojtarëve për Botëror sepse nuk pëlqen të ketë shumë lojtarë në skuadër që nuk kanë minuta të rëndësishëm.
Spanja nuk ka fituar titull që prej Kampionatit Evropian 2012, por ka bërë mirë duke shkuar deri në gjysmëfinale të Evropianit 2020 dhe në finale të Ligës së Kombeve vitin e kaluar. Humbi nga Italia dhe Franca respektivisht. Pak kishin pritur që Spanja të ketë sukses në këta turne për shkak të ndërrimit mes gjeneratave, por Luis Enrique i ka futur të gjithë në konkurrencë. Ekipi do të hyjë në këtë Kupë të Botës me motiv pas fitores ndaj Portugalisë në raundin e fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve, për të avancuar në “Final Four” të kësaj gare për vitin e dytë rresht.
Paraqitja e fundit e Spanjës në Kupën e Botës u shënua nga shkarkimi i turpshëm e i hershëm i përzgjedhësit Julen Lopetegui, vetëm disa ditë para debutimit. Lopetegui e kishte udhëhequr Spanjën në serinë prej 20 ndeshjeve pa humbje pas “Euro 2016”, por ai u largua për shkak të pranimit të postit si trajner i Real Madridit, pa i treguar Federatës së Futbollit të Spanjës paraprakisht. Ndryshimi i papritur doli të jetë i kushtueshëm pasi Spanja u mposht në penallti nga nikoqirja, Rusia, në 1/8 e finales.
Në vitin 2014 në Brazil, Spanja madje bëri edhe më keq. Dështoi ta kalonte fazën e grupeve.