Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Spanja i gëzohet shpërthimit të Gavit në prag të Botërorit

Madrid, 13 qershor (AP) – Përfaqësuesja e Spanjës do ta nisë pushimin veror në krye të grupit të saj në Ligën e Kombeve dhe duke e ditur se adoleshenti Gavi Paez i ka të gjitha cilësitë për ta dëshmuar veten në kampionatin botëror “Katari 2022”.

17-vjeçari Gavi shfrytëzoi maksimalisht shansin e tij te Spanja këtë muaj, duke ndihmuar në qetësimin e disa kritikave që rrethuan ftesën e tij të papritur shtatorin e kaluar. Shumë e kishin kritikuar përzgjedhësin e Spanjës, Luis Enrique, për zgjedhjen e një adoleshenti që mezi kishte luajtur për ekipin A të Barcelonës në atë kohë. Shumë thanë se ishte shumë herët për t'ia dhënë mesfushorit të ri një vend në Përfaqësuese. Megjithatë, pas katër paraqitjeve të Gavit këtë muaj, nuk ishte e vështirë për Enriquen që të mbronte zgjedhjen e tij.

“Kur Gavi është në fushë, ai është si një vullkan që shpërthen. Është e vështirë të mos biesh në dashuri me të”, pranoi Luis Enrique. “Të gjithë duan ta shohin atë duke luajtur. Është e pamundur që të ketë pasur një tifoz të vetëm në stadiumin ‘La Rosaleda’ që nuk e ka pëlqyer atë. Ai mund të luajë si askush tjetër, është gjithmonë në një pozicion të mirë, është i patrembur, mund të shënojë, të pasojë, të mbrohet”.

Gavi u inkuadrua në minutën e 59-të kundër Çekisë dhe ndihmoi në shënimin e golit të dytë të ekipit në Malaga të dielën. Spanja fitoi 2:0. Gavi kishte qenë titullar në tri ndeshjet e para të këtij muaji, duke luajtur mirë në të gjitha. Mesfushori i ri bëri debutimin me ekipin A të Spanjës në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve të sezonit të kaluar, kur Spanja mposhti Italinë në muajin tetor. Gavi ishte titullar edhe në finale kundër Francës, ndeshje që Spanja e humbi. Ai ka qenë titullar i rregullt për Luis Enrique që atëherë, duke luajtur në kualifikimet e kampionatit botëror “Katari 2022” dhe në ndeshjet miqësore. Lavdërime për trajnerin erdhën pasi ai kishte thënë se Gavi kishte shumë për t’u përmirësuar “në dhe jashtë fushës”. Enrique nuk dha detaje, por tha se Gavi ishte i zgjuar dhe e dinte saktësisht se për çfarë po fliste. Po ashtu, shtoi se mesazhi “ishte i vlefshëm për të gjithë lojtarët”.

“Të gjithë lojtarët mund të përmirësohen brenda dhe jashtë fushës”, tha ai.

Gavi është në mes të negociatave për rinovimin e kontratës me Barcelonën, me presidentin e klubit, Joan Laporta, duke thënë së fundmi se janë afër arritjes së një marrëveshjeje. Gavi është një nga të rinjtë e shumtë që ka fituar hapësirë te Spanja nën drejtimin e Luis Enriques, së bashku me 19-vjeçarët Ansu Fati e Pedri Gonzalez.

Enrique e vlerësoi gjithashtu Marco Asension. Ai kishte paraqitje të mira në Ligën e Kombeve, pavarësisht se nuk mori shumë minuta me Real Madridin gjatë edicionit.

“Nuk ka shumë dyshime për Marcon”, tha Enrique. “Ne e pëlqejmë atë dhe ai e di këtë. Sa herë që luante ai ndihmonte si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje”.

Spanja hapi Grupin 2 të Ligës A të Ligës së Kombeve me dy barazime, kundër Portugalisë dhe Çekisë, përpara se të fitonte në Zvicër dhe të triumfonte të dielën mbrëma. Me dy ndeshje në grup që mbeten për të luajtur në shtator para Kupës së Botës, Spanja ka tetë pikë, një më shumë se kampioni i Ligës së Kombeve të vitit 2019, Portugalia, që humbi nga Zvicra 1-0 të dielën. Vetëm fituesit e grupeve kalojnë në “Final Four”.

Artikuj të ngjashëm