Pas vërshëllimës së fundit në barazimit 1:1 të Spanjës me Gjermaninë në Kupën e Botës, të dielën, trajneri Luis Enrique doli në fushë dhe filloi të fliste me disa nga lojtarët e tij.
Enrique kaloi më shumë kohë me njërin prej tyre - Sergio Busquetsin. Mesfushori Busquets është i vetmi anëtar i mbetur në përfaqësuese i skuadrës së Spanjës që fitoi Kupën e Botës në vitin 2010. Busquets dhe veteranët e tjerë në ekip janë ende duke luajtur rol të rëndësishëm për Luis Enriquen në Katar, ku Spanja ka një nga skuadrat më të reja.
Të rinjtë si Gavi, Pedri dhe Nico Williams kanë tërhequr pjesën më të madhe të vëmendjes deri më tani, por lojtarë si Busquets, Dani Carvajal dhe Jordi Alba mbeten figura kyçe për “La Rojan” teksa përpiqet të fitojë titullin e dytë të Botës.
“Është normale që njerëzit të lodhen nga veteranët”, tha Luis Enrique. “Por veteranët këtu kanë qenë spektakolarë. Unë nuk i kam sjell vetëm për sfilatë. Jordi Alba është pa dyshim mbrojtësi më i mirë. Busquetsin donin ta pensiononin katër vjet më parë por shpresojmë se mund ta bindim të luajë edhe në një Botëror tjetër”.
33-vjeçari Alba është ndër liderët e turneut me dy asistime, nga një në secilën nga dy ndeshjet e para të Spanjës. Ai është lojtari më i vjetër në mbrojtjen që përfshin 30-vjeçarin Carvajal dhe 33-vjeçarin Cesar Azpilicueta. Në mesfushë është 34-vjeçari Busquets, lojtari më i vjetër në gjithë skuadrën, i cili ka luajtur mirë dhe ka siguruar mbrojtjen e nevojshme për 18-vjeçarin Gavi dhe 20-vjeçarin Pedri. Dhe në sulm janë 30-vjeçari Alvaro Morata dhe 26-vjeçari Marco Asensio që performojnë mirë së bashku me 22-vjeçarin Ferran Torres dhe 20-vjeçarin Williams.
Morata dhe Torres kanë shënuar nga dy gola dhe Asensio ka një deri më tani. Ndërsa Busquets është lojtari i vetëm i kthyer nga turneu i Afrikës së Jugut, vetëm tre të tjerë ishin në Brazil në vitin 2014 - Alba, Azpilicueta dhe Koke. Gjashtë ishin në Rusi në vitin 2018 - Busquets, Azpilicueta, Alba, Carvajal, Asensio dhe Koke.
“Ne që jemi pak më të vjetër, kemi kaluar tashmë momente të vështira në Brazil dhe në Rusi”, tha 30-vjeçari Koke të martën. “Kjo na lejon të jemi në gjendje të ndihmojmë lojtarët më të rinj”.
Spanja u eliminua në fazën e grupeve në Brazil dhe në 1/8 e finales në Rusi. Që atëherë Luis Enrique ka rinovuar gradualisht skuadrën. Ai mbërriti në Katar me 20 lojtarë që bëjnë debutimin në Kupën e Botës, dhe një moshë mesatare të ekipit prej 25.3 vjeç.
“Veteranët janë po aq të motivuar sa të rinjtë”, tha Koke. “Të gjithë duam t'u tregojmë njerëzve se çfarë mund të bëjmë. Ky unitet e bën këtë grup kaq të shëndetshëm dhe të fortë. Të gjithë ndihemi të rëndësishëm. Ne kemi këtë ndjenjë të mirë mes nesh, këtë energji të mirë”.
Koke tha se ka kaluar kohë duke i dhënë këshilla Gavit, i cili është 12 vjet më i ri dhe ulet pranë tij në zhveshtore.
“Unë i them atij që të mos rrëmbehet nga çmenduria që rrethon Kupën e Botës”, tha Koke. “Ai duhet të vazhdojë të luajë, duhet të vazhdojë ta shijojë dhe të qëndrojë i qetë. Ne lojtarët më të vjetër kemi luajtur në kupat e botës dhe në kampionatet evropiane dhe përpiqemi t'i bëjmë ata të ndihen rehat dhe t'u themi që të japin më të mirën”.
Gavi shënoi në fitoren 7:0 të Spanjës kundër Kosta-Rikës për t'u bërë golashënuesi më i ri në Kupën e Botës që nga Pele në vitin 1958. Spanja, e cila nuk ka fituar titull të madh që nga “Euro 2012”, e mbyll kampanjën e saj në fazën e grupeve kundër Japonisë, të enjten. Ka nevojë për të paktën një barazim për të kaluar në raundin tjetër, pa pasur nevojë të varet nga ndeshja tjetër e grupit midis Gjermanisë dhe Kosta-Rikës.