Në sportin ku mosha e re është gjë shumë e çmuar, Kupa e Botës që fillon të enjten jep prova se nuk mund të ndalet një sportist i përkushtuar.
Një rekord prej tetë lojtarësh që janë 40-vjeçar apo më shumë, janë përzgjedhur për të luajtur në Botërorin në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Shifra është për një më shumë se në gjithë 22 turnetë e kaluar së bashku.
Pjesëmarrësit e mëparshëm në këtë kategori të rrallë përfshijnë gjashtë portierë dhe sulmuesin kamerunas, Roger Milla, i cili mbetet lojtari më i vjetër që shënoi në Botëror. Ai kishte realizuar në moshën 42-vjeçare në Botërorin 1994.
Arritja e Millas nuk do të tejkalohet këtë herë, por lojtarë si Cristiano Ronaldo, Luka Modriq dhe Edin Xheko do të kërkojnë t’i bashkohen atij në “klubin” e golashënuesve mbi 40-vjeç në Kupë të Botës.
Më i vjetri në Kupë të Botës do të jetë portieri 43-vjeçar i Skocisë, Craig Gordon. Nëse aktivizohet, Gordon do të jetë lojtari i dytë më vjetër në histori të Botërorit. Portieri Essam El Hadary i Egjiptit luajti në moshën 45-vjeçare në vitin 2018.
Prej lojtarëve të pozitave të tjera, Ronaldo është më i vjetri. 41-vjeçari merr pjesë në Botëror për herë të gjashtë. Për herë të gjashtë marrin pjesë edhe portieri 40-vjeçar i Meksikës, Guillermo Ochoa dhe Lionel Messi, që mbush 39 vjet më vonë këtë muaj.
Trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez, ka theksuar se do të mbështetet në përvojën e Ronaldos.
“Ai sjell përvojë në momente vendimtare që askush tjetër në ekip nuk mund t’i afrohet”, ka theksuar Martinez.
Lojtarët e tjerë që kanë mbushur 40 vjet e që janë në Botëror janë portieri Vozinha i Kepit të Gjelbër dhe Manuel Neuer, që shpreson të jetë gati të ruajë portën e Gjermanisë kundër Kuraçaot të dielën në Houston.
Portieri i Uruguait, Fernando Muslera feston ditëlindjen e 40-të të martën e ardhshme, një ditë pas ndeshjes me Arabinë Saudite.
Vëmendja natyrisht do të jetë te Ronaldo e Messi, por edhe te Modriqi që e ka udhëhequr Kroacinë drejt sukseseve historike në dy Botërorët e kaluar.