Përfaqësuesja e SHBA-së në basketboll, është kualifikuar në finale të turneut olimpik të femrave në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.
Amerikanet në gjysmëfinale, e kanë eliminuar Serbinë, që e mposhtën me shifrat 79:59 të premten në Saitama.
Për amerikanet, që janë në kërkim të medaljes së shtatë rresht olimpike, kjo ishte fitorja e pestë në po aq ndeshje të zhvilluara në Olimpiadën e Tokios.
Në fakt, kjo ishte fitorja e 54 rresht në Lojërat Olimpike që nga gjysmëfinalja e vitit 1992. Brittney Griner me “double-double” prej 15 pikëve e 12 kërcimeve, e ka udhëhequr SHBA-në drejt finales, ndërsa pikë dyshifrore ndaj Serbisë, ka regjistruar Chelsea Gray, 12 sosh.
Te Serbia, më e dalluara ishte amerikania e natyralizuar, Yvonne Anderson me 15 pikë të shënuara.
Për Serbinë, kjo ishte humbja e dytë në pesë ndeshje të luajtura në turneun olimpik.
Në ndeshjen për medaljen e artë, që do të luhet të dielën, SHBA-ja do të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër, që zhvillohet ndërmjet Francës e Japonisë.