TEMPUS

Shala: Qartazi kemi të bëjmë me vepër penale të terrorizmit

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se lidhur me sulmin e djeshëm në veri dhe zhvillimet tjera pas tij, pa mëdyshje kemi të bëjmë me terrorizëm. Ai ka deklaruar se Kosova duhet të garantojë gjykim të drejtë në këtë rast.

“Nga mënyra e kryerjes së këtyre veprave penale, nga ajo që shohim nga armatimi që është sekuestruar definitivisht se shihet qartazi se kemi të bëjmë me vepër penale të terrorizmit dhe vepra penale e terrorizmit do të thotë që është shumë më e rëndësishme për nga qëllimi që ka se sa për nga pasojat që lë. Sipas Kodit Penal, me vepër penale të terrorizmit kuptohen situatat kur kryhen një sërë veprash penale, 19 të listuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës e të cilat kanë për qëllim destabilizimin e vendit, frikësimin e popullsisë në masë ose detyrimin e institucioneve për të kryer veprime të caktuara ose për të mos ndërmarrë veprime të caktuar”, ka theksuar Shala në emisionin “Tempus” në KTV.

Ai ka delaruar se ky gjykim dhe ky hetim duhet të jetë profesional dhe të jetë bindës me prova e argumente në mënyrë që në asnjë rrethanë të mos lihet shija se Kosova nuk ka garantuar gjykim të drejtë.

“Përpos personave të përfshirë direkt në veprat penale të terrorizimit, dënohen edhe përgatitjet për kryerjen e veprave penale të terrorizimit, ndihma, financimi e të gjitha këto të tjerat. Pra, po flasim se Kodi në mënyrë gjithëpërfshirëse i mbulon të gjitha veprimet që flasin për aspektin e terrorizmit. Ajo se çfarë duhet ta ketë parasysh Prokuroria, në rastin konkret sistemi i drejtësisë është që ky gjykim dhe ky hetim duhet të jetë jashtëzakonisht profesional dhe që të jetë bindes me prova, me fakte, me argumente në mënyrë që në asnjë rrethanë të mos lihet shija se Kosova nuk ka garantuar gjykim të drejtë. Për këtë arsye, duhet të garantohet një gjykim i drejtë që as nga faktori ndërkombëtar dhe as nga publiku i gjerë të mos të vihet në dyshim, mirëpo të jetë një vendim profesional që garanton gjykim të drejtë”, ka deklaruar Shala.


Shala: Ndërkombëtarët të mos lejojnë që Serbia të shërbejë si parajsë për kriminelët

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, ka theksuar se nuk duhet që në asnjë rrethanë bashkësia ndërkombëtare të tolerojë që Serbia të shërbejë si parajsë për kriminelët që kryejnë krime në Kosovë.

“Dhe pikërisht këtu pres që me pas një presion ndërkombëtar nga bashkësia ndërkombëtare për shkak se nuk duhet në asnjë rrethanë që bashkësia ndërkombëtare të tolerojë që Serbia të shërbejë si një lloj parajse e kriminelëve të cilët kryejnë krime në Kosovë”, ka thënë Shala.

Sipas tij, duhet gjetur një zgjidhje në mënyrë që të njëjtit të gjykohen dhe të dalin para ligjit.

“Kuptohet që në secilin rast, në një gjykim të drejtë duke garantuar të drejtat e të pandehurit në procedurë”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër sipas Shalës, është pothuajse e pamundur që gjithë ai arsenal që sot u prezantua të ketë pasur mundësi të futet në Kosovë pa ndihmën e strukturave institucionale serbe.

Po ashtu, Shala e ka cilësuar si pozitive faktin që ka pasur një reagim të menjëhershëm dhe të gjerë të faktorit ndërkombëtar lidhur me këtë rast.

“Derisa është edhe shumë e rëndësishme që Bashkimi Evropian spcifikisht e cilësoi si sulm terrorist”, ka thënë Shala.

Sipas tij, në kuptim të procedimit të këtij rasti penal, sfidë do të jetë çështja e personave.

“Sepse është si në mjegull kjo çështje që janë larguar që kanë ikur që kanë dalë jashtë kufirit dhe i janë shmangur drejtësisë në këtë situatë”, ka theksuar ai.

Shala po ashtu ka thënë se Kosova nuk ka marrëveshje për bashkëpunim ndërkombëtar me Serbinë si dhe nuk ka reciprocitet.

“Edhe e kaluara ka treguar për një mungesë të bashkëpunimit ndërkombëtar me Serbinë dhe që i bie se në këtë situatë do të jetë jashtëzakonisht e vështirë që të njëjtit ose të ekstradohen ose të gjykohen”, ka deklaruar Shala.