Arbëri

Shala: Serbia po përpiqet t’i bindë ndërkombëtarët se nuk jemi të aftë të udhëheqim shtet

Avokati Hasan Shala derisa ka folur për përfshirjen e Serbisë në sulmin në “Ibër-Lepenc”, ka thënë se qëllimi strategjik i Serbisë është të krijojë perceptim te ndërkombëtarët se Kosova nuk është e aftë të udhëheqë një shtet funksional.

Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Shala ka thënë se Serbia nuk do të ndalet derisa “të vërtetojë” se Kosova është destabilizues i Ballkanit e jo ajo.

“Sekreti publik që e kemi ditur të gjithë ne se Serbia është e involvuar në këtë çështje, si në Banjskë, por edhe që nga çlirimi deri sot Serbia punon dhe përgatit njerëz për ta destabilizuar shtetin e Kosovës. Andaj duhet të jemi të përgatitur që t’i kundërvihemi këtyre për shkak se Serbia nuk do të ndalet që ta vërtetojë një fakt se ‘Kosova është destabilizues i Ballkanit’, e në fakt Serbia është ai shtet që e destabilizon Ballkanin. Serbia nuk ndalet në këtë drejtim, ajo do të veprojë për t’i bindur organizmat ndërkombëtarë që ne nuk jemi të aftë për të udhëhequr një shtet”, është shprehur ai.

Shala kritikoi gjithashtu ndërhyrjet e politikës në punën e Prokurorisë Speciale, duke theksuar se presioni i autoriteteve qeveritare e dëmton seriozitetin e proceseve në sytë e ndërkombëtarëve.

“Politika nuk është dashur të ndërhyjë në çështjet e prokurorisë. E dimë ne se kryeministri me ministren e Drejtësisë gjatë tërë kohës kanë ndërhyrë dhe kanë bërë presion në Prokurorinë Speciale se pse nuk po ngrihet aktakuza. Ndërkombëtarët në momentin kur ndërhyn politika nuk e marrin seriozisht atë çështje, andaj duhet pasur kujdes”, ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar se vërtetimi i përfshirjes së Serbisë në sulmin e “Ibër-Lepencit” është fitore e madhe për Kosovën.

“Këtu fitorja më e madhe është se u vërtetua zyrtarisht me aktakuzë se Serbia ka ndërhyrë në çështje të Kosovës me akte terroriste. Këtë e kanë vërtetuar provat. 20 kg tritol nuk është lehtë të gjenden, vetëm nëse ke përkrahjen e shtetit”, ka shtuar ai.