Drejtori i institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka thënë se situata me ngërçin politik në Kosovë është shqetësuese në aspektin e sigurisë për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme hibride nga Serbia.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Fetoshi të premten ka thënë se Serbia e ka në thelb të strategjisë së saj destabilizimin e Kosovës. Këtë e ka ndërlidhur edhe me afrimin e datës së publikimit të vendimit në rastin gjyqësor ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në gjyqin në Hagë.
“Situata me ngërçin për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit, është shqetësuese sidomos në pikëpamje të sigurisë për shkak se Kosova vazhdon të përballet me sfida serioze, që ne i kualifikojmë si kërcënime hibride nga Serbia, dhe në veçanti nëse kemi parasysh se po i afrohemi 16 shtatorit, pra vendimit të Dhomave të Specializuara në rastin e katër udhëheqësve të UCK-së, mendojmë që formimi sa më i shpejtë i institucioneve do të ishte në interesin më të mirë të sigurisë nacionale të Kosovës”, ka thënë ai. “Ajo që ne vëzhgojmë në mënyrë sistematike, nga komunikimi strategjik i Serbisë kundrejt Kosovës e vërejmë se në vazhdimësi në thelbin e strategjisë së Serbisë është destabilizimi dhe mbi këtë bazë, Kosova me institucione jo të konsoliduara pas zgjedhjeve është më e fragmentuar, pak më fragjile ndonëse institucionet e sigurisë po dëshmojnë gjithmonë e më tepër kapacitete e aftësi profesionale për të neutralizuar çfarëdo kërcënimi që vjen nga Serbia. Klima e përgjithshme është shqetësuese dhe formimi i institucioneve do të ishte mesazhi më i mirë për të konsoliduar sigurinë e vendit në kohën kur gjithçka mund të pritet në kuptimin e operacioneve që targetojnë destabilizimin e Kosovës”.
Kosova ende nuk ka konstituuar Kuvendin pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ka kërkuar shtyrjen e konstituimit me arsyetimin se i duhet më shumë kohë për të negociuar për ta zgjedhur presidentin, pa të cilin ka thënë se konstituimi dhe formimi i Qeverisë pashmangshëm sërish çojnë në zgjedhje të reja. LVV-ja është në negociata me Lidhjen Demokratike për presidentin. Ndërkaq dy partitë tjera, Partia Demokratike dhe Aleanca kanë refuzuar takimet.
Kosova ka mbajtur tri palë zgjedhje në krizën e vazhdueshme politike që prej fillimit të vitit 2025. Një palë të tjera rrezikohen po që se 60 ditë pas konstituimit nuk ka president të zgjedhur.
-
Fetoshi: Serbia po ndërhyn në zgjedhje përmes propagandës, rrjeteve kriminale dhe Listës Serbe
-
Shprehet drojë për ndërhyrje të Serbisë në zgjedhjet në Kosovë
- Paralajmërimi i Krishtlindjeve 2.0
-
Pasojat sociale të krizës politike dhe institucionale në Kosovë
-
Behrami: Kurti e ka zgjedhur datën e zgjedhjeve të radhës