Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka thënë se në këtë periudhe Kosovës në mënyrë absolute nuk i duhet provokimi i një palë zgjedhjeve të reja parlamentare.
Sipas tij në situatën aktuale pas vendimit të Gjykatës Speciale, e cila i dënoi me 81 vjet burgim ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, Kosovës i duhet unitet politik.
“Rrethanat ndërkombëtare dhe në veçanti implikimet gjeopolitike në rajonin tonë do të duhej të merreshin me seriozitet maksimal nga klasa jonë politike, dhe ajo që në mënyrë absolute sot nuk i duhet Kosovës është provokimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, ka thënë Fetoshi në emisionin “Konfront” në KTV.
Ai ka thënë se shpreson që do të gjendet një zgjedhje sa i përket çështjes së presidentit.
“Nuk e di se çfraë loje politike po zihet lidhur me presidentin e vendit dhe afati që ka përcaktuar tani Gjykata Kushtetuese, shpresoj shumë që të arrihet të gjendet një zgjidhje e minutave të fundit me qëllim që të shmangen zgjedhjet, për shkak se Kosovës, sot më shumë se kurrë i duhet stabiliteti i brendshëm, konsolidimi institucional dhe i duhet përballimi me sukses i sfidave që vinë jo vetëm nga ky rivalitet gjithnjë e më i ashpërsuar gjeopolitik, por edhe nga padrejtësia që e sfidon rëndë funksionalitetin dhe shtetin e Kosovës, me vendimin e Speciales kundër krterëve të UÇK-së”, është shprehur Fetoshi.
Ai ka thënë se pas vendimit të Gjykatës Speciale, institucionet e Kosovës duhet të angazhohen në diplomaci e të hartojnë një strategji për të iu qasur fazës pasuese në Speciale, që është ankimimi i vendimit në shkallën e Apelin.
“Do të duhej fillimisht një unitet politik e më pas edhe angazhim i jashtëzakonshëm i institucioneve të Kosovës në diplomaci, ekspertizë dhe parapërgatitjet me një strategji të qartë në fazën e Apelit”, ka theksuar Fetoshi.
Nurellari thotë se Kosova po humb përparësinë ndaj Serbisë në arenën ndërkombëtare
Studiuesi dhe analisti politik, Adri Nurellari, ka paralajmëruar që pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare do të vështirësohet, nëse Serbia rimerr një pozitë strategjike në raport me SHBA-në dhe vendet tjera të perëndimit.
Ai ka thënë se në këtë aspekt bëhet alarmante që Kosova nuk është duke përfituar nga një klimë e favorshme evropiane e përshpejtimit të procesit të integrimit, ndërkohë që edhe i është pezulluar dialogu strategjik i parashikuar me SHBA-në, ndërkohë që atë po e nis Serbia.
“Duhet të alarmohemi sepse jemi duke e humbur përparësinë qe e kemi pasur deri tani, epërsinë morale, ne kemi pasur qasje dhe mbështetje të jashtëzakonshme nga SHBA-ja dhe partnerët tjerë të perëndimit dhe do ta shikojmë që pozita e Kosovës vështirësohet ndjeshëm nëse Serbia rehabilitohet, rimerr një peshë strategjike, bëhet më e pranueshme dhe e humbet atë njollë morale që neve na jepte një avantazh të thekuar”, ka theksuar Nureallri në emisionin “Konfront” në KTV.
Ai ka thënë se Kosova ka humbur kohë duke u marrë me ambiciet ditore të liderëve, siç ka thënë, veçanërisht të kryeministrit, Albin Kurti.
“Ne kemi humbur kaq shumë kohë të vyer duke u marrë me çështje të brendshme politike, me emra të përveçëm, me ambicie ditore të liderëve, në mënyrë të veçantë të Kurtit, për të kontrolluar çdo cep të institucioneve, ndërkohë që armiqtë ose kundërshtarët tanë e kanë shfrytëzuar këtë amulli dhe trazirë të brendshme tonën për të fituar terren në arenën ndërkombëtare”, është shprehur Nurellari.
Sa i përket hapave që duhet të ndërmarrë Kosova pas aktvendimit të Gjykatës Speciale, ai ka thënë se duhet të ndiqet rruga që ka ndjekur Kroacia e cila pas një angazhimi të madh shtetëror ka arritur që ta rrëzojë në apel dënimin ndaj gjeneralit Ante Gotovina.
“Nuk kemi nevojë këtu për të improvizuar, ajo betejë i doli me sukses Kroacisë, në i kemi ata partnerë, ata mund të na e përcjellin përvojën më të mirë të tyre, mjafton të kuptojmë që jemi në një situatë të ngjashme, ku nuk bëhet fjalë për akuzë dhe përgjegjësi individuale, por bëhet fjalë për Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale, e cila është një njollë e drejtpërdrejtë ndja luftës sonë çlirimtare”, është shprehur Nurellari.
Koci: Ka elemente të krijimit të një sentimenti antiperëndimor, nuk i duhet Kosovës
Ish-kryeredaktori i Radio Evropës së Lirë, Melazim Koci, ka thënë se këto ditë në Kosovë po ka elemente të krijimit të një sentimenti antiperëndimor.
Koci ka thënë se kjo nuk i duhet Kosovës.
Ai ka përmendur reagimet e djeshme të Partisë Demokratike të Kosovës dhe debutetëve të saj ndaj një postimi të ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Hargreaves në postim në Facebook kishte thënë se “dënimet nga Haga janë individuale, në asnjë mënyrë s’e gjykojnë shtetësinë e Kosovës”.
“Këto ditë ta zëmë, besoj s’do të ndodhë, por ka elemente të krijimit të një sentimenti antiperëndimor. Kjo nuk i duhet Kosovës. Është gabim. Do të ishte shkuarja në një ekstrem tjetër. Duhet qenë kokëftohtë dhe gjakftohtë e të vlerësohet se çfarë është e mundur e çfarë nuk është e mundur. T’i ruajmë miqësitë që i kemi, e i kemi pasur së paku...Ta zëmë mbrëmë lexova disa reagime për fjalët e ambasadorit britanik. Pajtohem me kundërshtimin, reagimin ndaj ambasadorit. Por, mendoj se duhet bërë me ton pak tjetër, nuanca tjera”, tha Koci në "Konfront" të KTV-së.
Koci ka folur edhe për mundësinë e zgjedhjeve të reja në Kosovë. Ai ka thënë se duhet evituar ato me çdo kusht.
“Do të zhyteshim jo vetëm në përçarje politike të mëtejme, por para botës do të tregonin se nuk kemi ndërgjegjësim të klasës politike”, tha opinionisti Koci.
Ai ka thënë es beson se mund të realizohet si miratimi i projektligjit të Partisë Demokratike të Kosovës për Dhomat e Specializuara e po ashtu edhe zgjedhja e presidentit e evitimi i zgjedhjeve, por tha se s’duhet kushtëzuar këto procese.
Dhomat e Specializuara më 16 shtator dënuan katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 81 vjet burgim në total për krime lufte. Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 e Rexhep Selimi me 13 vjet.
PDK-ja ka dorëzuar në Kuvend nismën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.